Ardit Gjinali
Shtresa e mesme si simbol i lirisë individuale është shpirti i një shoqërie të shëndetëshme dhe demokratike; është largëpamësia që pengon tjetërsimin e identitetit shoqëror; është vlera e ruajtur pozitive e traditës dhe garancia për një të ardhme shoqërore të qëndrueshme; është thelbi që garanton balancën shoqërore duke reduktuar pabarazinë; është fluksi intelektual që materializon dhe jetëson inovacionin që ideohet nga elitat; është kundërtrupi ndaj vulgut dhe banalitetit të inkurajuar nga segmente të errëta shoqërore; pengon përhapjen e autokracisë, frenon keqqeverisjen, nxit maturimin dhe mbrojtjen e demokracive të reja.
Demokracitë e reja janë terreni më i ekspozuar ndaj autoritarizmit që shfaqet si tendencë dhe më vonë shndërrohet në një normë të sjelljes politike dhe qeverisëse, gjithashtu. Autoritarizmi ndërton fabulën e instalimit mbi parimin e stabilokracisë që shërben si teza retorike justifikuese ndaj çdo deviance demokratike, të tillat që janë të prekshme dhe pa të njëjtat nuk mund të ndodhë instalimi i tij. Trajektorja e instalimit të tij është në përpjestim të zhdrejtë me vlerat e lirisë dhe qëndrueshmëria e tij kultivohet përmes dobësimit të fuqisë individuale dhe publike reaguese; dobësim dhe mpirje që paraqitet si stabilitet i rremë i tilli që nuk buron nga harmonizimi i flukseve të shëndetëshme shoqërore, por nga dobësimi i thelluar i tyre.
Instalimi i autokracisë realizohet përmes inkurajimit të instrumentave negative përkatësisht ,- dobësimi i fuqisë ekonomike dhe forcës intelektuale të individit në shoqëri; humbja e qëllimtë e misionit të tij shoqëror duke dekurajuar pavarësinë e mendimit dhe inkurajuar varësinë ndaj pushtetit autokratik që është origjina politike e instalimit të “shtetit privat” ; – entitet formalisht juridik, që ndjell varfëri vrasëse në dinjitet njerëzor, pabarazi të thelluar dhe liri në trajtën e dhurim- përcaktimit. “Shteti privat” tjetërson hapësirën shoqërore që garanton lirinë individuale, thellon polarizimin shoqëror përmes dobësimit të shtresës së mesme dhe inkurajon konceptin politik të lirisë grupore që i mundëson shtet-pushtetit gjithëfuqinë e tij mbi vulnerabilitetin shoqëror të shkaktuar nga i njëjti.
Shqipëria e së djesshmes së afërt dhe së sotmes mbetet pasqyra e thyer në fytyrën e qytetarit nga keqqeverisja që niset – me taksimin e lartë progresiv,korrupsionin mbi dhe nën dorë, zvogëlimin e lirisë ekonomike, taksimi thuajse i dyfishtë mbi dy-punësimin, vijon – me mungesën e mbështetjes mbi sektorët e turizmit dhe bujqësisë, pagat më të ulëta në rajon për profesionistët si mjekët dhe mësuesit, hapësira e kufizuar e veprimit në sektorin privat për profesionistët e të gjitha fushave që detyrohen të largohen jashtë vendit dhe – bitiset me mbylljen e 32 mijë bizneseve gjatë këtij viti dhe humbjen e vendit të punës nga 100 mijë qytetarë. Nga ana tjetër, një studim i Bankës Botërore nënvizon situatën në kufijtë e tragjikes për bizneset që vijojnë të mbijetojnë ku përkatësisht 6 në 10 biznese nuk kanë realizuar asnjë fitim në periudhën e pas-heqjes së masave bllokuese. Faktet e përmendura më lart dëshmojnë komiken e medetit dhe tragjiken e qeverisjes që nuk qeveris, por rendit gëzueshëm në heshtje enumeracionin negativ të mbylljes së bizneseve, largimit të trurit dhe zërit të ekspertizës; mbyllje dhe largime në funksion të një mendësie të mbrapshtë të instalimit të autokracisë dhe vendosjes së “shtetit privat”.
Ne nuk mund të pranojmë tjetërsimin e misionit qytetar dhe shndërrimin në numra statistikorë të borderosë së shtetit privat që rreket të shtrijë tentakulat në çdo qelizë të shoqërisë. Bashkimi i madh për ditë më të mira në një Shqipëri që punon është apeli për liri, dinjitet, drejtësi shoqërore, shanse të barabarta, qeveri normale, shtet efektivisht funksional dhe zhvillim ekonomik. Bashkë sepse ka ende shpresë….