Në konferencën e rregullt për shtyp, zëdhënësi i qeverisë gjermane, Steffen Seibert, tha se nuk mund ta konfirmonte një takim me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama. Pyetjes së DW se a nuk do të ishte Rama, si kryetar i radhës së OSBE-së, një bashkëbisedues i rëndësishëm për Merkel, aktualisht kryetare e radhës së BE-së, për zgjidhjen e krizës në Bjellorusi, Seibert iu përgjigj: “Qeveria gjermane i mbështet shprehimisht përpjekjet e OSBE-së dhe kryetarit të saj, i cli është Edi Rama, për të zhvilluar bisediem në Bjellorusi”. Më parë (10:30), qarqe qeveritare nga Berlini i bënë të ditur ndërkohë DW se kryeministri shqiptar ka planifikuar të bëjë një telefonatë me kancelaren Angela Merkel.
Burime të Deutsche Welles bëjnë të ditur se kryeministri shqiptar Edi Rama, ndodhet për një vizitë dyditore në Gjermani. Ai është takuar të enjten, 17.09.20 në mbrëmje, në një darkë me një grup parlamentarësh nga Bundestagu Gjerman. I pranishëm ka qenë edhe kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste në Kuvendin e Shqipërisë, Taulant Balla, i cili është edhe kryetar i Shoqatës Parlamentare të Miqësisë Shqipëri-Gjermani.
Ende shumë punë
Në një konferencë të Institutit Aspen në Berlin, të zhvilluar të enjten, me 17.09., si dhe në një konferencë të mëparshme të zhvilluar javën e kaluar në Fondacionin Konrad Adenauer në Berlin, të dyja me rregulla “chattam house”, ka dalë në pah, se deri tani vendet e zakonshme skeptike të BE-së, ndër to edhe Gjermania, nuk janë bindur ende se Shqipëria e meriton çeljen e konferencës së parë ndërqeveritare.
Dy pikat më delikate në argumentimin e skeptikëve nga Gjermania janë: ligji anti-shpifje dhe ndryshimet që iu bënë marrëveshjes së për ligjin elektoral në parlament, vetëm disa ditë pasi palët, opozita dhe qeveria, ishin dakordësuar pas ndërhyrjeve të diplomatëve perëndimorë në Shqipëri. “Do të duhet shumë punë diplomatike dhe politike deri sa të vijë te hapja e konferencës së parë ndërqeveritare”, thonë skeptikët në Berlin.
Nuk takohet me kancelaren
Kohët e fundit Shqipëria është lëvduar nga qeveria gjermane për angazhimin e saj për të ndërmjetësuar në konfliktin e Bjellorusisë. Por, ndryshe nga ç’ishte raportuar më parë nga disa mediume të Tiranës. Rama nuk ka pasur takim me kancelaren Angela Merkel, i thanë DW-së burime diplomatike nga Berlini. Sipas burimeve të DW, në mesditë, Edi Rama do të niset për Bavari.