Vjeshta sjell virozat, infeksionistja: Qarkullojnë 200 lloje virusesh me shenja të ngjashme klinike

0
121

Me vjeshtën vijnë dhe virozat. Ulja e temperaturave, rritja e lagështisë në ajër, grumbullimet në vende të mbyllura janë disa nga shkaqet kryesore.

Mjekja infeksioniste, Valbona Gashi tregon se në qarkullim janë rreth 200 lloje virusesh të cilat shfaqin shenja të ngjashme klinike.

“Përfshihen rreth 200 lloje virusesh. Ndër të cilët adenoviruse, rinoviruse, apo edhe koronaviruse, një familje e madhe e koronaviruseve. Ankesat, kryesisht në ditët e para janë gati të njëjta. Mund të fillojë me dhimbje të lehta të fytit, rrufë, rrjedhje të hundëve, e më pas situata mund të rëndohet, apo mund të kemi përmirësim gradual të situatës.”

Përgjithësisht këto viroza zgjasin nga 3 deri në 5 ditë ndryshe nga gripi që zgjat më tepër dhe shfaq simptoma pak më të rënda.

“Infeksioni që vjen nga virusi i gripit ka një ecuri pak sa më të rëndë. Shoqërohet me temperaturë më të lartë, zgjat disa ditë më tepër. Shoqërohet me dhimbje të forta të trupit, me dobësi të theksuar trupore, sa personi detyrohet të paraqitet tek mjeku dhe kërkon trajtim..”

Mjekja infeksioniste në Tiranë Valbona Gashi sugjeron mbajtjen e një diete të ekuilibruar dhe konsum të lëngjeve.

Ndërkohë që grupet më në risk si personat me sëmundje kronike, të moshuarit, apo fëmijët i këshillon të bëjnë me kujdes të shtuar për të parandaluar sëmundjen. /abcnews.al/

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here