Liga Profesioniste e Futbollit, me anë të një video, i jep zë bojkotit të futbollit, në rast se nuk mbahen premtimet për investime në këtë sport mjaft të rëndësishëm.
Në mesazhin e tyre, futbollistët e Ligës shprehen se kryeministri Edi Rama duhet t’i mbështesë, me qëllim që sporti më i dashur i shqiptarëve të kthehet në fushë.
https://www.facebook.com/watch/?v=620087452208965&extid=LGxBkqe8KXKnodjh
Mesazhi i plotë:
Të nderuar sportdashës!
Në emër të të gjithë futbollistëve, ju kërkoj falje që ne nuk do të luajmë sot. Fusha dhe topi janë pasioni e dashuria jonë. Ne sot kemi dalë në fushë për të mbështetur kërkesat e drejtuesve tanë, për t’i sjellë ato akoma më afër tavolinës se zgjidhjeve.
Futbolli ka kohë që është në vështirësi. Kjo nuk mund të fshihet. Ne dhe klubet tona jemi shumë larg kushteve të kolegëve tanë.
Nuk kërkojmë luks, nuk kerkojmë pasuri, por më shumë vëmendje ndaj lojës më të rëndësishme të shqiptarëve. Duam më shumë fusha për t’u stërvitur ne dhe fëmijët e klubeve që përfaqësojmë. Duam më shumë siguri për të ardhmen e lojës dhe këto arrihen vetëm nëpërmjet një baze të shëndoshë ligjore.
Ne duam vlerësim real të lojës sonë.
Që futbolli të mos lëngojë më dhe fëmijët e të rinjtë, të jenë të sigurt në ushtrimin e pasionit të tyre.
Katër kërkesat e Ligës janë minimale dhe plotësisht të realizueshme, madje të premtuara nga të gjitha qeveritë në fushata elektorale, e të harruara sapo marrin mandatet. Harresa më e freskët është ajo e Kryeministrit në mars të vitit të shkuar.
I dashur Kryeministër, mbaji premtimet e na kthe në fushë.
Ne shpresojmë shumë në mirëkuptimin e arsyetimin tënd.
Nuk do të kthehemi të luajmë, pa u përmbushur të katër kërkesat e paraqitura.
Ne ju bëjmë thirrje:
Bashkohu me Ligën! Bashkohu me ne! Mbështet futbollin!