Gjermania i heq vizën Edi Ramës…

0
196

Kryeministri Edi Rama prej dy ditësh ndodhet në Gjermani. Mediat afër qeverisë e nisën ditën e djeshme duke raportuar lajme për takime të kryeministrit me Angela Merkel dhe raporte të shkëlqyera mes qeverisë “Rama” dhe përfaqësuesve më të lartë të Bundestagut Gjerman.

Shkrimet e mediave dhe deklaratave të shoqëruesve të Edi Ramës në Berlin flisnin për një vizitë që do t’i jepte mbështetje qeverisë “Rama” për negociatat, e në këtë mënyrë kjo do të shitej si mbështetje edhe për mandatin e tretë që ëndërron Rilindja. “Zjarrin” e sukseseve që ndezën mediat e Ramës për vizitën në Berlin e shoi dje media shtetërore gjermane në gjuhën shqipe “Deutsche Welle”. Në disa raportime të njëpasnjëshme ditën e djeshme media gjermane çmontoi gjithë propagandën dhe gënjeshtrat për axhendën e kryeministrit Edi Rama në Berlin, e quajti këtë vizitë si një dështim spektakolar në të gjitha drejtimet.

Së pari, Edi Rama nuk u prit nga kancelarja gjermane Angela Merkel. Vizita kishte si qëllim një foto me Merkel dhe marrjen e mbështetjes për negociatat.  “Deutsche Welle”, radio shtetrore gjermane, pyeti dje zëdhënësin e Merkel, Steffen Seibert, i cili konfirmoi se nuk ishte asnjë takim në axhendë me kryeministrin e Shqipërisë. Pasi stafi i Edi Ramës dështoi të merrte një takim për kreun e qeverisë duket se është kërkuar një takim me Merkel në cilësinë e Kryesuesit të radhës së OSBE. Edhe ky takim është refuzuar dhe zëdhënësi i Merkel deklaroi dje me diplomaci se “Kancelarja mbështet përpjekjet e OSBE për krizën në Bjellorusi”.

Një deklaratë e tillë është bërë dhe disa javë më parë nga Gjermania dhe nuk ka asnjë vlerësim të veçantë për Edi Ramën. Dështimi nuk përfundon vetëm këtu. Gjatë dy ditëve në Gjermani kryeministri Edi Rama nuk ka arritur as të zhvillojë një bisedë telefonike me Merkel. Është refuzuar si kryeministër, por dhe si drejtues i OSBE dhe sinjali që i ka dhënë Kancelarja është një distancim i qartë prej kryeministrit Rama, pasi ka shkelur çdo rregull demokratik në Tiranë si dhe mashtroi ndërkombëtarët me Marrëveshjen me Opozitën.

Së dyti arsyeja e dështimit të vizitë së Edi Ramës në Gjermani lidhet me bojkotin që i kanë bërë vizitës së tij drejtuesit e koalicionit qeverisës CDU-CSU. Me anë të një kompanie lobimi, e cila ka organizuar aktivitete të mëparshme në Gjermani, Edi Ramës, ishte  organizuar një takim me drejtues të Bundestagut gjerman. Tema kryesore e takimit ishte hapja e negociatave dhe vota e Gjermanisë. Në Tiranë ky takim u shit si mbështetje e parlamentit gjerman për Qeverinë dhe Edi Ramën. Ndërkohë Deutsche Welle citon burime nga Bundestagu gjerman që thonë se “në takim nuk merrte pjesë as kryetari i grupit parlamentar të Ballkanit Perëndimor nga partia CDU/CSU, Johann Wadephul, dhe as kryetari i Komisionit për BE në Bundestag, Günther Krichbaum”. Njerëzit kryesorë të politikës së jashtme dhe koalicionit qeverisës në Gjermani kanë refuzuar hapur të ulen në një tavolinë me Edi Ramën. Ndërkohë, përfaqësues të CDU/CSU në një tjetër konferencë të organizuar këto ditë për Ballkanin Perëndimor kanë thënë hapur se Shqipëria nuk meriton vijimin e procesit të negociatave, për shkak të problemeve me qeverisjen e Edi Ramës.

Gjermania është vendi që ka mbështetur më shumë procesin e integrimit në BE të Shqipërisë. Rezervat që kanë pasur për qeverinë “Rama” i kanë shprehur në paketën e famshme të 15 kushteve, të cilat nuk janë plotësuar.  Kritikat për klimën politike dhe zgjedhjet gjithashtu i kanë deklaruar hapur me anë të Ambasadorit në Tiranë dhe zyrtarëve të lartë të Bundestagut. Por kulmi i durimit të Gjermanisë me qeverinë e Edi Ramës ka arritur me dy aktet e fundit të Rilindjes; prishjen e marrëveshjes së 5 qershorit për reformën zgjedhore dhe ligjin për mediat. Rrëzimi i marrëveshjes politike dhe ndryshimi i Kushtetutës është një vendim i Edi Ramës që u konsiderua si vijë e kuqe nga ana e Gjermanisë. Akti i Rilindjes prishi paktin e 5 qershorit, por ka vënë në pikëpyetje zgjedhjet e ardhshme dhe rrezikon seriozisht krijimin e kaosit politik në Shqipëri. Kokëfortësia e Ramës për ta ndryshuar Kushtetutën për interesa të PS dhe tallja me ndërkombëtarët që u investuan për reformën zgjedhore, vendimi i tij personal që ti vjedhë zgjedhjet që në tavolinë e më pas siç ka treguar gazeta BILD, bashkë me bandat, ka sjellë që Gjermania të jetë e distancuar nga qeveria Rama.

Për këto dhe arsye të tjera, Gjermania ka dhënë dje një sinjal të qartë kundër Edi Ramës duke i refuzuar gjithë takimet. Ky mbetet sinjali më i fortë ndaj një kryeministri të Ballkanit Perëndimor, po te kemi parasysh se përfaqësuesit e Maqedonisë së Veriut, Bosnjës dhe Serbisë nuk janë refuzuar asnjëherë nga Berlini zyrtar. Goditja vjen para vendimit për negociatat dhe 6 muaj para zgjedhjeve. E thënë troç dhe pa zbukurime diplomatike, Gjermania i ka hequr vizën Edi Ramës si kryeministër.

Edi Rama shkoi në Gjermani vetëm për një foto me Merkel që ta përdorte në Tiranë si gjoja mbështetje e kancelares gjermane para zgjedhjeve.

Por nuk e mori mbështetjen!

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here