Nga Kosta Barka
Kryeministri Edi Rama ka njoftuar dje nga 1 janari i vitit të ardhshëm mijëra biznese te vogla në vend nuk do të paguajnë tatim-fitim dhe as TVSH. Zoti Rama e cilësoi këtë masë agresive në mbështetje të biznesit të vogël, dhe unikale në rajon. Pyetja më e natyrshme do të ishte: A do ta ngrejë lart balonën e shpuar të ekonomisë lëshimi i litarit tatimor, me urdhër nga lart të vetë kryerilindasit? Tani Ramës i mungon vetëm një spidometër për të matur se sa shpejt do të rrjedhin proceset fiskale në çdo moment. Që një politikë fiskale apo monetare të japë efektin e saj duhen të paktën disa vite dhe për këtë duhet një konsensus i zbatueshëm.
A mund të jetë kjo politikë fiskale një mjet stabilizimi?
Vetëm pak muaj para zgjedhjeve parlamentare, “Rilindja” del me një recetë të gatshme fiskale, të huazuar nga programi ekonomik i PD-së! Politika fiskale nuk ndryshon në prag zgjedhjesh, si diçka krejt artificiale, me urdhër “nga lart”. Reforma fiskale kërkon koherencë, imagjinatë, mprehtësi, njohuri për ngjarjet aktuale, ndjenjën e perspektivës si dhe njohuri për teknikat formula të analizës ekonomike. Vendimi i fundit qeveritar nuk i redukton pasiguritë dhe nuk i nxit njerëzit të bëjnë një planifikim me besim të plotë në të ardhmen. Rama nuk mund të ndryshojë të ardhmen e ekonomisë me mjete politike në fund të mandatit, pasi janë njerëzit që krijojnë të ardhmen. Në atmosferën lënguese të ekonomisë bizneset nuk shohin ndonjë perspektivë. Prodhuesit dhe konsumatorët i shohin perspektivat e tyre të pasigurta. Bizneset i shqetëson më shumë korrupsioni, mungesa e konkurrencës së lirë, gjobat absurde dhe selektive të tatimorëve militantë etj. Kryeministri ka dëshmuar se punon për interesat e një lobi oligarkësh me influencë që ka kapur ekonominë nëpërmjet tenderave dhe PPP-ve.
Projektligji ka shenja nxitimi
Kryeministri nuk ka asnjë pushtet që të mund të vendosë në mënyrë të njëanshme dhe kur t’i dojë qejfi për kohën e uljes së taksave apo heqjes së tyre. Ai vepron në bazë të rekomandimeve të ekspertëve dhe jo të frymëzimeve elektorale, që burojnë nga pushteti absolut. Pushteti absolut është absolutisht korruptues. Bindja për të ndryshuar politikën fiskale mbështet mbi bazë analizash profesionale për të stabilizuar kërkesën agregate dhe për një programim shumë të përafërt në kohë. Rama kishte 7 vjet kohë të stabilizonte ekonominë nëpërmjet politikës fiskale, të ulte normat e taksave apo t’i zeronte taksat e shpenzimet e biznesit. Tani koha e tij ka fluturuar. Këto janë veprime të njëanshme të pakonsultuara me partnerët ndërkombëtarë dhe me vetë përfaqësuesit e komunitetit të biznesit. Në korrik të këtij viti Fondi Monetar Ndërkombëtar është shprehur tepër i shqetësuar kundër nismës së propozuar nga Qeveria shqiptare për të hequr, deri në vitin 2029, tatim-fitimin për të gjitha bizneset me një qarkullim vjetor deri në 14 milion lekë dhe TVSH-në për ato me një qarkullim vjetor deri në 10 milion lekë. Në përfundim të misionit të radhës, drejtuesja e ekipit të FMN-së, Yan Sun, ka shprehur shqetësim për këtë propozim.
Sipas FMN-së “Pragjet për regjistrimin në përgjegjësinë tatimore për tatimin mbi fitimin dhe për TVSH-në duhet të unifikohen në një nivel i cili do të duhej të përcaktohej me kujdes, në përputhje me objektivat e strategjisë afatmesme për të ardhurat. Vendosja e pragut në një nivel shumë të lartë për një periudhë tepër të gjatë, do të gërryente bazën tatimore dhe do të cënonte përmbushjen e detyrimeve nga subjektet tatimore”, theksonte në deklaratën e saj zonja Sun.
Politika fiskale duhet të jetë e paramenduar
U vendos që të përjashtohen nga TVSH dhe tatim – fitimi një kategori biznesesh. Por cili është qëllimi? Sa është efektive një masë e tillë? Sa fuqi ka një qeveri e falimentuar për të shmangur theqafjen e ekonomisë? Mos vallë me heqjen e TVSH dhe tatim – fitimit qeveria do të ndalojë recensionin dhe do të frenojë inflacionin, shkaktuar nga nivelet e ulëta të shpenzimeve konsumatore dhe investuese? Po a ka vënë qeveria në dispozicion të publikut të ardhura shtesë gjatë recesionit të tanishëm? A ka funksionuar një politikë fiskale automatike për të amortizuar goditjet e pandemisë ndaj ekonomisë, për të forcuar stabilitetin dhe për të zvogëluar ndikimin negativ në klimën e investimeve? Askush nuk e tha këtë nga ministrat “kopetentë” që kapardiseshin përkrah kryeministrit. Përderisa ka filluar një gremisje ekonomike, të ardhurat nga taksat bien automatikisht, pasi bien të ardhurat personale dhe të kompanive prodhuese. Duket qartë se kemi një pafuqi të politikës monetare për rimëkëmbjen e ekonomisë. Nuk mund të nxitet ripërtëritja e huave bankare dhe shpenzimeve private. A do ta ulë kjo reformë fiskale normën e lartë të papunësisë që përbën shqetësimin kryesor në Shqipëri? Sipas Bankës së Shqipërisë “të dhënat e tregut të punës tregojnë se ekonomia shqiptare humbi rreth 17000 mijë vende pune në këtë periudhë, ndërsa norma e papunësisë u rrit në 11.4 përqind”. Parimet e shkencës së ekonomisë nuk kanë asgjë të përbashkët me konfuzionin. Ç’kuptim kanë taksat e zvogëluara kur shpenzimet qeveritare po arrijnë majat?