Mësuesit, të fyer dhe të poshtëruar!

0
123

Nga Namir LAPARDHAJA

Në tetë ditë mësimore, në Berat, sipas të dhënave zyrtare, rezultojnë tetë mësues të infektuar me Covid-19, ndërkohë në të gjithë vendin numri i tyre raportohet të jetë 65 të tillë.

Mësuesit, së bashku me mjekët, janë sot në Shqipëri dy profesionet më të ekspozuara ndaj rrezikut.

Nëse për mjekët mund të thuhet se janë vija e parë e betejës kundër virusit vdekjeprurës, mësuesit janë “hedhur” në një betejë që nuk është e tyre, duke mos pasur mjetet dhe mundësitë për ta përballuar.

Përveç ngarkesës së madhe mësimore, shkollës me turne, orëve të zgjatura paradite dhe pasdite, mungesës së kushteve minimale, mungesës së ushqimit (ndalohet në shkollë, sipas udhëzimeve të institucioneve eprore), lodhjes dhe burokracisë shkresore, krejt pa nevojë dhe pa kuptim, mësuesit të pambrojtur dhe në kushte te barabarta me nxënësit, janë shndërruar këto ditë në mjekë, që u raportohet gjendja shëndetësore, dhe në infermierë, duke u matur atyre temperaturën, paradite dhe pasdite, në varësi të turneve, mes 2 dhe 6 herë në ditë.

Kjo situatë e re, jo vetëm që e ka gjetur pushtetin tonë pa përgatitjen e duhur, por, nëpërmjet propagandës, synohet të jepet një realitet i përmbysur dhe i pavërtetë, duke i përngjarë asaj që Guy Debord përmend tek “Shoqëria e spektaklit”, kur thotë se “në botën realisht të përmbysur, e vërteta është një moment i së rremes”.

Në këtë vend gënjeshtra thuhet aq shumë, përsëritet aq gjatë dhe mbrohet me seriozitet aq fortë, saqë e drejta është tërësisht e papërfillshme dhe e pazëshme.

Në kushtet e mungesës së kushteve minimale, në një farë kuptimi, mësuesit janë shndërruar në kavie biologjike, të cilave më infektimin e parë u gjendet menjëherë zëvendësuesi, por askush nuk merr masa parandaluese (nëpërmjet bërjes së tamponëve etj.) dhe më pas të kujdeset për gjendjen e tyre, duke i paraprirë lehtësimit të ushtrimit të detyrës dhe misionit të tyre.

Këtë gjendje fyese dhe poshtëruese nuk e zgjidhin as premtimet boshe për rritje page, as ato për stimulim dhe veçim ekonomik për më të mirët e tyre.

Mësuesit kanë nevojë për trajtim dinjitoz. Për lehtesi në ushtrim të profesionit dhe jo vështirësi.

Ata janë një shtresë e rëndësishme e shoqërisë, ndaj duhen trajtuar me dinjitet.

Ky trajtim do t’i kthehet shoqërisë në edukimin e një brezi të shëndetshëm dhe dinjitoz.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here