DW: Për herë të parë pas katër vitesh, Turqia dhe Greqia të gatshme për dialog. Ja ku do të mbahet takimi…

0
108

Turqia dhe Greqia kanë shprehur për herë të parë në katër vitet e fundit gatishmëri për zgjidhjen e problemeve me dialog. Takimi i parë është planifikuar të mbahet në Stamboll.

Presidenca turke ishte e para, e cila publikoi lajmin se palët kanë rënë dakord që të bisedojnë për shpuarjet dhe kërkimet e gazit në pjesën lindore të Detit Mesdhe. Ecuria e bisedimeve do të varet nga hapi i ardhshëm i Greqisë, mendon presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, kumtoi zyra e tij. “Impulsi për shtendosje dhe dialog duhet të ketë për bazë hapat e përafrimit nga të dy palët.” Më parë kancelarja Angela Merkel dhe presidenti i Kishillit të BE, Charles Michel janë këshilluar në një videokonferencë për këtë çështje.

Presidenti turk shpreson se samiti i BE në fillim të tetorit do t’i japë një “jetë të re” raporteve mes BE dhe Ankarasë, thuhet më tej. Në samit do të flitet për vendosjen e mundshme të sanksioneve kundër Turqisë, për shkak të tensioneve në Mesdhe.

Zypern Militärübung im Mittelmeeer (picture-alliance/dpa/Griechisches Verteidigungsministerium)
Ministria e Jashtme greke ka konfirmuar se do të vazhdojnë negociatat e ndërprera me Ankaranë në vitin 2016. Takimi do të mbahet së shpejti në Stamboll. Këshillimet mes Athinës dhe Ankarasë kanë filluar të mbahen në vitin 1999, por me ndërprerje të shpeshta. Raundi i ri i bisedimeve do të jetë i 61 me radhë, thuhet në Athinë.

Erdogani do që në bisedimet të përfshihet pjesa turke e Qipros

Erdogani ka propozuar mbajtjen e një konference rajonale ku do të përfshiheshin të gjitha palët e interesuara në këtë grindje, duke përfshirë edhe pjesën turke të Qipros. Një konferencë e këtillë do të kishte influencë “pozitive dhe konstruktive” në situatën e tanishme në Mesdheun lindor”, deklaroi Erdogan.

Presidenti turk foli për këtë konflikt edhe në Asamblenë e Përgjithshme të OKB. Në fjalimin e tij përmes videos ai kërkoi një dialog “të vërtetë” për përfundimin e krizës. Njëkohësisht ai dënoi edhe “pengesat” e krijuara nga Perëndimi.

Grindjet në Mesdheun lindor kanë shpërthyer për shkak të kërkimeve të gazit nga Turqia në zonat ujore mes Greqisë, Turqisë dhe Qipros. Qeveria turke ka hedhur poshtë kritikat dhe është e mendimit se këto ujëra ndërkombëtare i përkasin Turiqisë. Palët në konflikt kanë pretendime të kundërta dhe atje kanë dërguar edhe anije luftarake.

Macroni paralajmëron

Grindjet në Mesdhe kanë qenë temë trajtimi edhe në telefonatën mes presidentit të Francës Emmanuel Macron dhe presidentit turk Erdogan. “Presidenti Erdogan pret nga Franca që në këtë proces të jetë e arsyeshme dhe konstruktive”, kumtoi presidenca turke. Ndërsa presidenti i Francës ka kërkuar, sipas të dhënave të Pallatit Elysée, ka kërkuar nga Erdogani që “të respektojë vendet anëtare të BE dhe të drejtën ndërkombëtare”.

Macroni i ka bërë thirrje Erdoganit që të heqë dorë nga hapat dhe masat e njëanshme, me qëllim uljen e tendosjeve. “Turqia duhet të angazhohet për krijimin e një hapësire paqësore dhe bashkëpunimi në Mesdhe”. Edhe Franca ka forcuar prezencën e saj ushtarake në Mesdhe, për shkak të tendosjeve të fundit mes Greqisë dhe Turqisë. Para dy javësh Macroni i ka bërë thirrje Turqisë që të mos kalojë “linjat e kuqe” në këtë konflikt.

Qipro bllokon BE-në

Autoritet e Qipros kanë kërkuar nga BEja sankskione kundër Turqisë, për shkak të këtij konflikti. Për të shtuar presionin ndaj partnerëve, ky vend ka bllokuar futjen e sanksioneve kundër Bjellorusisë. BE planifikon sanksione kundër krerëve në Minsk, për shkak të manipulimit të zgjedhjeve dhe dhunës kundër opozitarëve. Por sanksionet nuk janë vënë për shkak të kundërshtimit të Qipros. Në këtë konflikt është përzier tani edhe SHBA-ja dhe ka kërkuar nga Qipro që të pranojë vendosjen e sanksioneve kundër autoriteve bjelloruse. Uashingtoni është i gatshëm që të mbështesë këto sanksione.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here