Nga Ilir Kalemaj
Cilido vrojtuesi alien të ardhur nga një planet tjetër, në një plan të gjerë krahasimi do i binte në sy kjo copëz Shqipëri, me rreth 140 parti, shumë prej të cilave “fantazëm”, ku politika është kryefjala që hap e mbyll diskutimet e ngeshme kafeneve, institucionit kryesor kulturor në vend. Prodhojmë politikë shumë më tepër se ç’mund të konsumojmë. Politika është hobi kryesor, problemi kryesor nga burojnë kokëçarjet kryesore por edhe zgjidhjet e halleve. Politika kontrollon administratën publike por edhe sektorin privat. Politika pra ka në dorë edhe gurin, edhe arën. Natyrisht ka dhe një prirje të përgjithshme grafomane për t’u bërë politologë, pra interpretues të politikës pavarësisht se si çdo shkencë ka metodën e saj e cila ndryshon nga opinionet apo bindjet e brendshme që shiten si analiza cilësore.
Jetojmë në vendin e cudirave kur cfarë thuhet sot, pështyhet nesër, ku katapultimet 180 gradë nuk bëjnë përshtypje, ku shitjet dhe blerjet e deputetëve dhe formacioneve politike bëhen si në pazar të Roskovecit. Sulmet ad honimem, pra që bazohen mbi cilësitë e kundërshtarit, që kalohet nga baltosja te adhurimi, nga përdhosja te përdëllimi me shpejtësi që vetëm politika shqiptare mund t’i kuptojë, nuk i shërbejnë as demoracisë së brendshme partiake, as demokratizimit të vendit në përgjithësi. As i shtojnë gram kulturës politike dhe as ndihmojnë në qartësimin e votuesit se pse duhet mbështetur iks apo ypsilon kandidat për deputet në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të prillit 2021.
Partitë në Shqipëri ndahen në tre lloje: parti kryetarësh pra parti ku kemi një “big man” rethuar me një entourage aparatçikësh dhe servilësh që presin të zhvasin ndonjë copë torte nga ajo e pushtetit që zë partia kryesore në rast të ardhjes në pushtet si pjesë e koalicionit. Në parti të mesme, si LSI dhe PDIU që pavarësisht mungesës së një ideologjie apo programi qartësisht të dallueshëm nga partitë e mëdha të së majtës apo së djathtës kanë një elektorat bazë dhe të qëndrueshëm, pavarësisht se edhe këto funksionojnë kryesisht si parti klienteliste, pra me ardhjen në pushtet shtojnë pritshmëritë për të ndarë “plaçkë” mes mbështetësve. Dhe së treti, në dy partitë e mëdha, PD dhe PS që kanë mbas një histori, një elektorat, ndonëse ju mungon një filozofi përbashkuese por edhe ndarje faksionale bazuar në diferenca ideore brendpërbrenda partisë.
Me fjalë të tjera, zëvendësimi i disa emrave me emra të tjerë nuk luan ndonjë peshë automatike elektorale, pasi përtej emrave, që mund të jenë profesionistë apo jo, me integritet personal apo të korruptueshëm, emrat nuk kanë qenë emblematikë për një platformë të caktuar, nuk kanë mbrojtur një ideologji të caktuar, nuk kanë pasur qëndrime të forta politike në lidhje me çështje të caktuara që ngacmojnë opinionin publik dhe ndajnë shoqërinë më dysh. Për shembull, cilët politikanë brenda PS-së përfaqësojnë progresistët? Cilët të gjelbërtit? Cilët fermerët apo sindikalistët? Cilët quhen të moderuar? Po liberalë të majtë? Po të qendrës? E njëjta paqartësi është brenda PD-së. Cilët politikanë aty janë konservatorë? Po libertarianë apo të moderuar? Këto nuk janë thjesht karakterizime dogmatike por përpara se të dilet me një propozim për paketë fiskale fjala bie, duhet të ketë koherencë mendimi me filozofinë politike të lidership-it të kësaj apo asaj partie. Ndryshe kemi paradokse si fjala bie partitë e majta, si PS dhe LSI janë në garë së fundmi se cila do të ulë taksat më shumë, qoftë tatimin për të ardhurat, tatimin mbi fitimin apo tatimin mbi dividendin që janë karakteristikë e qëndrimeve të partive të djathta? Ose qëndrime nga e djathta që krahas të tjerave janë për subvencionim të fortë të bujqësisë dhe rritjen e pensioneve. Po ashtu ka pak apo aspak llogari mbi cilat kritere bazohen këto projeksione, mbi cilën rrymë mendimi dhe sa të aplikueshme janë për kushtet e Shqipërisë apo si do të mbulohet defiçiti buxhetor apo të parandalohet rritja e borxhit nëse realizohen njëkohshëm këto premtime.
Por ndërkohë që nga ana sasiore vëmë re një bum të vogël në shtimin e ofertës politike, nga ana e përmbajtjes ka pak apo aspak risi që lënë vend për debat. A ka nevojë të diskutohen tema të tilla si roli i tregut të lirë si vet-korrigjues dhe nevoja për një qeverisje të vogël apo përkundrazi duhet t’i mëshohet mekanizmave rregullatorë dhe rritjes së atributeve të një qeverie të fortë qëndrore? Në fakt e fundit nuk duhet ngatërruar me shkallën e autoritetit pasi numrat, vençarisht në shtete të dobëta dhe jo-funksionale si i yni, nuk shtojnë gjë në kandarin e cilësisë por përkundrazi shërbejnë si qerasje postesh bazuar në klientelën e radhës. Duhet t’i kushtohet më tepër vëmendje konceptit të rishpërndarjes si rezultat i rritjes së polaritetit apo barazisë së shanseve dhe uljes së taksave për të nxitur sipërmarrjen?
Ndërkohë i duhet mëshuar më tepër përgjegjësisë individuale, pra bazimit në meritën vetjake dhe jo kërkesë-llogarisë ndaj strukturave shtetërore për të kapërcyer atë lloj fryme etatiste ku shteti nënkupton njëkohësisht “lopën që duhet mjelë” po aq sa fajësohet për dështime individuale. Që në vetvete është një akt lidershipi që duhet të gjejë përfaqësimin e tij politik dhe ku më tepër se te forcat politike të djathta të cilat i kanë këto parime në ADN-në e tyre politike. Apo duhet vënë theksi te shpërndarja më e drejtë e burimeve dhe fryteve të punës për të krijuar premisat për një shoqëri më barazitare? A duhet që platformat elektorale të partive të djathta të theksojnë incentivat që shpërblejnë sipërmarrjen, aftësitë dhe punën dhe ato të majta ta vënë theksin te zbutja e pabarazive dhe efektet sociale të biznesit apo do të vazhdojmë të zgjedhim mes iks dhe ypsilon lideri si rëndom në të kaluarën? A duhet të kemi një kthim në vlerat tradicionale si një ankorim i sigurtë në kohë sfidash ekonomike sa globale, aq edhe lokale si familja apo komuniteti (vençarisht në zonat rurale apo edhe qytetet e vogla ku të gjithë i njohin të gjithë) apo duhet të orientohemi drejt debateve për legalizim marijuane dhe prostitucioni sikundër artificialisht hidhen si “shashka tymuese” herë pas here? Këto janë disa pikëpyetje modeste në prag të çeljes së fushatës elektorale jo-zyrtare të radhës. Tregu politik premton bollëk si rrallëherë por ngelet të shihen premtimet fluturake nëse do bazohen apo jo në programe reale.
Elektorati i secilës parti, por edhe shtresa gri që përcakton balancën fituese, ku secila nuk është një grupim homogjen por përbëhet nga shtresa të ndryshme dhe interesa të kithëta, ky elektorat pra ka nevojë të dëgjojnë në mënyrë koherente të artikuluar se si do të adresohen problemet e tyre, si projektohet modeli i zhvillimit dhe strategjitë për të rritur ekonominë. Njerëzit kanë nevojë të kenë interpretues të mirë politikë që kanë integritetin e duhur, moralin dhe forcën për të ngritur problemet reale që ata kanë, por edhe dijen dhe ekspertizën e nevojshme për t’i adresuar këto probleme. Që kanë pasionin për të shërbyer dhe jo të vjedhur. Që kanë kurajon qytetare të mbrojnë një qëndrim të vetin politik, një platformë apo një ide dhe nuk ekanë mendjen vetëm te kolltuku i tyre i rehatshëm, shërbimi i interesave meskine apo puthadorët servilë që vijnë bashkë me postin. Politika duhet të ketë kurajon të hapet realisht dhe t’i kërkojë këta profesionistë, t’i përfshijë dhe t’u vjeli kontributin, pasi vetëm kështu mund të shkëputemi përfundismisht nga baltosja e tranzicionit të pambarimtë dhe të shohim dritë në fundtuneli.
BoldNews.al