Presidenti i Republikës Ilir Meta rishpall thirrjen për plotësimin e vendit vakant në Gjykatën Kushtetuese pas mbarimit parakohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, i cili u dorëhoq më 31 janar 2018.
Në dekretin e Presidentit thuhet se rishpallja e kësaj procedure aplikimi dhe publikimi i saj sipas tekstit bashkëlidhur bëhet menjëherë në mjetet e informimit publik dhe në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës.
REPUBLIKA E SHQIPËRISË
PRESIDENTI
NJOFTIM
PËR RISHPALLJEN (PËR TË TRETËN HERË) TË PROCEDURAVE TË APLIKIMIT PËR PLOTËSIMIN E VENDIT VAKANT GJYQTAR NË GJYKATËN KUSHTETUESE “VAKANCË E PARAKOHSHME”
Presidenti i Republikës, pasi u njoh me njoftimin nr. 268 prot., datë 18.09.2020 dhe Vendimin nr. 29, datë 16.09.2020, të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, administruar me nr. 3188 prot., datë 21.09.2020, konstatoi se:
Në përfundim të procedurave të verifikimit të kandidaturave nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED), për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese “Vakancë e parakohshme”, e krijuar nga përfundimi përpara kohe i mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, e shpallur fillimisht për aplikim nga Presidenti i Republikës me Dekretin nr.10723, datë 07.02.2018 dhe rishpallur me Dekretin nr. 11291, datë 27.09.2019, rezulton se në garë për plotësimin e këtij vendi vakant nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë.
Me përfundimin përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, Presidenti i Republikës me Dekretin nr. 10723, datë 07.02.2018 shpalli procedurën për plotësimin e kësaj vakance.
Nga 15 (pesëmbëdhjetë) kandidatë që shprehën interesin për konkurrim, në përfundim të procedurave të verifikimit të plotësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidimit, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi shqyrtoi dhe lejoi kandidimin vetëm për 2 kandidatë, konkretisht:
- Zoti Besnik Muçi.
- Zonja Regleta Panajoti.
Presidenti i Republikës, pasi vlerësoi informacionin dhe njoftimin e përcjellë me shkresën nr. 530 prot. datë 26.09.2019 nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, me Dekretinnr. 11291, datë 27.09.2019, dekretoi: “Rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, me qëllim plotësimin e“Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit, zotit Besnik Imeraj.”
Pas përfundimit të afatit të rishpalljes për aplikim për këtë vend vakant, rezultoi se shprehën interesin për kandidim edhe6 aplikantë të tjerë, përveç 2 (dy) kandidatëve që vijonin të ishin në garënë atë moment për plotësimin e “Vakancës së parakohshme” në Gjykatën Kushtetuese.
Lista e kandidatëve iu dërgua menjëherëKëshillit të Emërimeve në Drejtësi, me shkresën me nr. 3802 prot., datë 22.10.2019.
Në përfundim të procedurës së vlerësimit të kushteve dhe kritereve ligjore të kandidatëve për këtë vend vakantnuk është lejuar kandidimi për asnjë nga 8 kandidatët, që shprehën interes dhe paraqitën kandidaturën, ndërsa për kandidatin e fundit të ngelur në garë të verifikuar nga KED,zotin Shaqir Hasanaj,vendimi i KED-së për ndalimin nga kandidimi është kundërshtuar në Gjykatën e Apelit Administrativ dhe nuk ka ende një vendim gjyqësor të formës së prerë.
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, në mbledhjen e datës 16.09.2019 shqyrtoi gjendjen e krijuar për këtë vend vakant dhe me vendimin nr. 29, datë 16.09.2020, vendosi të njoftojë Presidentin e Republikës për të vlerësuar mundësinë e rishpalljes së procedurës së konkurrimit për plotësimin e vendit vakant, vakancë e parakohshme, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, të krijuar për shkak të përfundimit përpara afatit të mandatit të gjyqtarit Besnik Imeraj. Ky njoftim është administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 3188 prot., datë 21.09.2020.
Bazuar në këto kushte, ku në garën për kandidim për plotësimin e kësaj vakance nuk ka kandidatë të kualifikuar me vendim të formës së prerë (ndërsa vetëm për kandidatin Shaqir Hasanaj vijon procesi gjyqësor), çka në çdo rast bën që të mos plotësohet numri i domosdoshëm prej 3 (tre) kandidatësh, i parashikuar nga neni 125, pika 1 e Kushtetutës dhe neni 7/b, pika 4 e ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93, 125, 127 pikat 1/c, 2, 3, dhe nenit 179 pika 2 të Kushtetutës, neneve 7 pika 2, 7/a, 7/b, 7/dh pika 2, 86 pika 4 shkronja “d”, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, pasi u njoh dhe vlerësoi njoftimin nr. 268 prot., datë 18.09.2020 dhe Vendimin nr. 29, datë 16.09.2020, të KED-së, me qëllim ndjekjen pa vonesë tëprocedurave të kërkuara nga Kushtetuta dhe ligji për plotësimin e kësaj “Vakance të parakoshme” në Gjykatën Kushtetuese, në cilësinë e organit të emërtesës, me Dekretin nr. 11742, datë 24.09.2020, ka miratuar:
- Rishpalljen e procedurës së aplikimit për plotësimin e vendit vakant gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë me qëllim plotësimin e “Vakancës së parakohshme”, të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit të ish-gjyqtarit Besnik Imeraj.
Presidenti i Republikës, duke vlerësuar informacionin e përcjellë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi dhe ecurinë e procesit për plotësimin e këtij vendi vakant, dhe ripërtëritjen sa më parë të Gjykatës Kushtetuese, fton dhe inkurajon:
Çdo person të interesuar që plotëson kushtet dhe kriteret e parashikuara në Kushtetutën e vendit dhe nenin 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të marrë pjesë në këtë procedurë konkurrimi të hapur publik për plotësimin e vendit vakant, për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese dhe të paraqesë pranë Institucionit të Presidentit të Republikës këto dokumente:
- Kërkesën për shprehjen e interesit për të kandiduar për vendin vakant të rishpallur;
- Jetëshkrimin, me të dhënat e plota të kontaktit (numër telefoni/e-mail);
- Fotokopje të kartës së identitetit;
- Dokumentacionin shoqërues, nëpërmjet të cilit vërteton përmbushjen e kushteve dhe kritereve të përcaktuara në nenin 125, pikat 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar;
- Formularin e vetëdeklarimit të plotësuar dhe nënshkruar sipas përcaktimeve të ligjit nr.138/2015 “Për garantimin e integritetit të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”. Formulari i vetëdeklarimit është i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.
- Formularin e aplikimit të plotësuar “Për informim përpara emërimit/zgjedhjes në poste të larta”, në përputhje me parashikimet ligjore të nenit 29, të ligjit nr. 45/2015 “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, formular i cili gjendet i publikuar bashkëlidhur këtij njoftimi në faqen e Institucionit të Presidentit të Republikës.
Afati i paraqitjes së kërkesës për shprehjen e interesit, së bashku me dokumentacionin e nevojshëm bashkëlidhur është data 14 tetor 2020.
Pas administrimit të dokumentacionit, lista e aplikuesve do të publikohet në faqen zyrtare të Institucionit të Presidentit të Republikës si dhe në mjetet e informimit publik.
Lista e aplikuesve dhe dosjet respektive të tyre do t’i përcillen menjëherë Këshillit të Emërimeve në Drejtësi (KED) për vijimin e procedurës së verifikimit dhe vlerësimit sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Institucioni i Presidentit të Republikës, do të bëjë transparente ecurinë dhe çdo rezultat të këtij procesi në përputhje me Kushtetutën dhe procedurën e parashikuar në nenin 7/b, të ligjit nr.8577/2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar.
Për lehtësinë e të gjithë aplikuesve, me qëllim plotësimin e dokumentacionit të nevojshëm, më poshtë gjeni të botuar përmbajtjen e nenit 125, pikat 4 e 5 të Kushtetutës dhe nenit 7/a, të ligjit nr.8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, ku parashikohen kushtet dhe kriteret për verifikim dhe vlerësim për emërimin si gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
- Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë
Neni 125
[…] 4. Gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese duhet të kenë arsim të lartë juridik, të paktën 15 vjet përvojë pune si gjyqtarë, prokurorë, avokatë, profesorë ose lektorë të së drejtës, nëpunës të nivelit të lartë në administratën publike, me një veprimtari të spikatur në fushën e së drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në sfera të tjera të së drejtës.
- Gjyqtari nuk duhet të ketë mbajtur funksione politike në administratën publike ose pozicione drejtuese në një parti politike gjatë 10 vjetëve të fundit përpara kandidimit. Kritere të tjera, si dhe procedura për emërimin dhe zgjedhjen e gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese rregullohen me ligj. […]
- Ligji nr. 8577, datë10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar:
Neni 7/a
Kriteret dhe kushtet e emërimit të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese
- 1. Gjyqtari i Gjykatës Kushtuese mund të zgjidhet shtetasi shqiptar që përmbush këto kushte:
a) të ketë zotësi të plotë për të vepruar; - b) të ketë mbaruar arsimin e lartë juridik, Diplomë e Nivelit të Dytë;
- c) të mos ketë ushtruar funksione politike në administratën publike dhe të mos ketë mbajtur pozicione drejtuese në parti politike gjatë 10 viteve të fundit nga data e kandidimit;
ç) të mos jetë në procedim penal dhe të mos jetë dënuar me burgim për kryerjen e një vepre penale;
d) të mos jetë larguar nga detyra për shkaqe disiplinore dhe të mos ketë masë disiplinore në fuqi;
dh) të ketë kaluar me sukses procesin e kontrollit dhe verifikimit të pasurisë së tij personale dhe të familjarëve të tij, sipas ligjit.
- 2. Kandidati që përmbush kushtet e parashikuara në pikën 1 të këtij neni, duhet të plotësojë edhe këto kritere:
a) të ketë përvojë pune jo më pak se 15 vjet si gjyqtar, prokuror, avokat, profesor ose lektor i së drejtës, jurist i nivelit të lartë në administratën publike;
b) të ketë një veprimtari të njohur në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose sfera të tjera të së drejtës;
c) të jetë vlerësuar për aftësitë profesionale dhe integritetin etik e moral. - 3. Plotësimi i kritereve të mësipërme vlerësohet në bazë të:
- a) vjetërsisë në profesion;
- b) përvojës së veçantë të kandidatit në një fushë të caktuar të së drejtës, ose këshilltar ligjor i Gjykatës Kushtetuese a Gjykatës së Lartë;
- c) kualifikimeve pasuniversitare dhe trajnimeve në fushën e të drejtës kushtetuese, të drejtave të njeriut ose në një fushë tjetër të së drejtës;
ç) treguesve shkencorë, ku përfshihen botimet dhe artikujt shkencorë në fushën juridike;
- d) ecurisë gjatë kryerjes së arsimit të lartë juridik, me një mesatare notash jo më pak se 8 ose të barasvlershme me të, nëse arsimi i lartë është përfunduar jashtë vendit ose vlerësimit përfundimtar në Shkollën e Magjistraturës;
- dh) informacioneve të marra nga institucione të tjera publike.
- 4. Organet e emërtesës marrin parasysh përbërjen e Gjykatës Kushtetuese në momentin e emërimit të kandidatit për të garantuar balancën ndërmjet përvojave profesionale të anëtarëve dhe respektimin e barazisë gjinore.
Kërkesa dhe dokumentet shoqëruese mund të dorëzohen me postë ose drejtpërsëdrejt në zyrën e protokollit të Institucionit të Presidencës, në adresën: Institucioni i Presidentit të Republikës, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Nr. 1 Tiranë, Kodi Postar 1001.
Sqarim:
- Njëri prej kandidatëve në garë për plotësimin e kësaj vakance, zoti Shaqir Hasanaj, nuk ka ende një vendim të Gjykatës së Apelit Administrativ për shqyrtimin e vlefshmërisë së vendimit të KED-së për ndalimin nga kandidimi.
- Në zbatim të nenit 127, pika 3, të Kushtetutës dhe nenit 7/dh, pika 2, të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për oganizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, kandidati që do të propozohet nga KED dhe do të përzgjidhet nga Presidenti i Republikës për t’u emëruar gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, për plotësimin e vakancës së parakohshme të krijuar për shkak të përfundimit përpara kohe të mandatit ish-gjyqtarit Besnik Imeraj, do të qëndrojë në detyrë deri në përfundimin e mandatit të gjyqtarit të larguar.
Tiranë, më 24.09.2020