“Mos më hidhni poshtë, i kam kënduar këtij vendi”, këngëtarja Luljeta Përbasha e harruar dhe mes mjerimit kërkon ndihmë

0
332

“Më harroi vendlindja ime…më harruan shokët, nuk u kujtuan më për mua”, këto janë disa nga fjalët e këngëtares së njohur mirditore Luljeta Përbasha e cila jeton mes mjerimit dhe varfërisë së tejskajshme në një lagje periferike të qytetit të Bilishtit.

Edhe pse me zërin e saj, kontributi ka qenë i madh ndër vite, duke përfaqësuar në mënyrë dinjitoze qytetin e lindjes jo vetëm në Shqipëri por edhe në Europë, fati deshi që karriera e saj të ndërpritej tek të 30-tat.

Këtu nis edhe kalvari i vuajtjeve të Luljeta Përbashës, e cila la vendlindjen, familjen, karrierën, shokët, kolegët, për të nisur një jetë të re, të largët në një qytet të vogël siç është Bilishti.

Jeta e përballi me shumë vështirësi, ashtu sikurse e thotë vetë ajo, “i mori të tatëpjetën”, e ndërsa lotët nuk i mbanin Luljeta Përbasha rrëfen momente nga jeta e saj si artiste dikur por edhe si një nënë me 3 fëmijë sot, që vuajnë për një copë buke.

Shtëpia e saj rënkon dhimbje ashtu si vetë ajo. Në këtë fund shtatori dimri thuajse është brenda mureve të saj, aq sa mund të thuhet se jeton jashtë. Çdo cep dhome, mban peshën e viteve ndërsa tavani dhe muret e varura janë veçse një realitet i trishtë.

Brenda shtëpisë nuk janë më ata fëmijët e vegjël që brohorisnin dikur, ku edhe skamja nuk i kishte ndarë, tashmë jeton një nënë e përmalluar për fëmijët e saj dhe një bashkëshort i cili dergjet në shtrat prej 7 vitesh.

Luljeta Përbasha mes lotësh pret çdo moment të ribashkohet me fëmijët që për fat të keq në këtë gjendje dhe në këto kushte ata e kanë të pamundur të jetojnë së bashku.

Të vetmet të ardhura për Luljetën janë 27 mijë lek nga kempi i bashkëshortit dhe një pension simbolik i lidhur se fundmi për të, të ardhura këto që nuk mjaftojnë as për ilaçet dhe nevojat personale të tyret.

Në çdo fjalë të sajën, Luljeta kërkon ndihmë, kërkon një shtëpi ku të gjejë ngrohtësi së bashku me fëmijët.
“Mos më hidhni poshtë, i kam kënduar këtij vendi”, Luljeta Përbasha mes lotësh tashmë nuk ngre zërin e bukur për të kënduar por për një jetë më të mirë./Ballkanweb.com

Nëse doni t’i vini në ndihmë këngëtares mund të komunikoni në numrin +355 69 34 85 922.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here