Duka flet para mediave: Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë!

0
153

Këtë fundjavë do të duhet të luhej java e tretë e Kategorisë Superiore, por futbolli është pezulluar pa afat, pasi mes qeverisë edhe Ligës nuk është gjetur gjuha e përbashkët për të rivënë topin në fushën e lojës.

Në mbledhjen e organizuar ditën e sotme nga Liga në ambientet e “Air Albania”, ishte i pranishëm edhe presidenti i FSHF-së, Armando Duka, i cili iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në lidhje me bojkotin.

“Ne jemi këtu për të zgjidhur një gjë për sportin. Unë personalisht e kam shprehur, jam plotësisht i gatshëm që të takohem me çdo person, vetëm që ligji të behet. Në mbledhjen e Ligës disa nga presidentët kanë deklaruar se po na bënë ligjin do ta votojmë maxhorancën e sotme.

Javët e humbura- Ndërprerja e sportit nuk është e mirë as 1 orë. Fakti që na ka sjellë sot në këtë sallë dhe ka bërë shumë njerëz të diskutojnë, tregon se nuk është dhe aq i keq bojkoti.

Çfarë do të kemi në të ardhmen- Për mua është e rëndësishme që këto ndryshime të bëhen. Ka shumë që thonë sporti ka 1001 probleme. Për t’i minimizuar këto probleme duhet të bëjmë ndryshime. Do t’i hapë rrugë zhvillimit. E rëndësishme është të realizohet dhe palët ta shohin me dashamirësi. Në qoftë se do të rrimë në mendimet e pseudo zyrtarëve apo servilëve, nuk do të bëjmë asgjë. Kjo nuk është më shumë se 5 minuta punë. Nuk është ligj individual, është për fëmijët. Po të ishte një ligj për një individ, do të ishte miratuar brenda natës.

Në takimin me Ligën, Fideli e ka deklaruar që kërkesat janë të drejta dhe duhet të realizohen. E bëmë relacionin më të zgjeruar. Fëmijët, sporti do të humbin ca ditë më shumë po u zvarrit.

Zgjidhja – Mua më duket logjike. Çfarë po kërkon sporti në Shqipëri, po kërkon sa Kosova, një shtet i krijuar 90 vjet mbrapa Shqipërisë, mos themi edhe shifra të tjera. Buxheti që jep qeveria shqiptare është 700 mijë euro. Kosova jep 12 milionë euro. Pse 12 herë më të këqij se Kosova jemi ne? Nuk bëhet mbrojtja duke thënë që kjo qeveri ka financuar, këtë e këta, po mo i ka financuar, e kemi duartrokitur kur është dashur. Ose merre dhe kopjo Kosovën, Maqedoninë, Hungarinë dhe bëj një gjë për sportin që të jetë e sigurtë. Minimum jetik për sportin.

Pika kritike – Kjo nuk është pika kritike që erdhi sot, është vazhdë e historisë dhe veprimeve të të gjithë qeverive. Në logo thuhet që qeveritë e kanë braktisur sportin apo futbollin. Do të vijë një ditë, që të merren vendime ekstreme. Qeveria duhet të marrë përgjegjësitë e veta. Mundohet të hedhin baltë mbi sportin. Janë disa gjëra të vërteta po ka edhe shumë sukses. Ne kërkojmë ndryshime ligjore për të përmirësuar sportin. Vetëm Kategoria Superiore sot pagua afërsisht 500 milionë lekë tatime. Nuk është se e tëra është informale, por ne kërkojmë idealen.

3 kërkesat e tjera – Do të doja që të sqaronim në këtë dalje publike dhe 3 kërkesat e tjera. Pse ne i konsiderojmë që duhen. Nuk kanë asnjë argument që mund të japin për ligjin e sponsorizimit. Kam dëgjuar argumenta të ndryshme. Ne nuk kërkojmë gjëra të mëdha. Bujqësia është jetike, sporti i domosdoshëm. 3 klube janë me borxhe. Nuk janë detyrime fiskale për arsye të aktivitetit, janë të trashëguara, kur janë privatizuar. Qeveria mund t’i falë gjobat dhe kamatvonesat. E di sa është ndikimi në buxhetin e shtetit, më pak se 1 milionë euro. Le të bëjnë ligjin e sponsorizimit, le mos i falin ato, ligji i sponsorizimit është më i rëndësishmi.

UEFA- Vendimin Liga e ka marrë më 5 gusht. E kemi informuar UEFA-n, në çdo hap që ne marrim. Kemi marrë dhe ekspertizën e tyre. Janë plotësisht të informuar. Janë në dijeni të situatës. Kemi pasur një diskutim me presidentin në Budapest pas finales. Janë të interesuar që çështja të zgjidhet sa më shpejt.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here