Gjithçka e thënë më poshtë është thjesht një përfundim jopërfundimtar, i nxjerrë nga përpunimi dhe interpretimi i statistika vepër shkaqet kryesore të vdekjeve në Shqipëri për vitin 2019…
Ku është ‘futur’, vetëm për krahasim edhe një projeksion i ‘thjeshtë’ për numrin e vdekjeve të shkaktuara (ndoshta jo drejtpërdrejtë) nga COVID-19 për periudhën mars 2020-mars 2021, bazuar në shifrën e deritanishme të numrit të vdekjeve nga COVID (rreth 380 nga muaji mars 2020 deri në fund të muajit shtator 2020, pra për rreth 7 muaj)…
Numri më i lartë i vdekjeve, ashtu si edhe në të gjithë botën, në Shqipëri vjen nga sëmundjet e qarkullimit te gjakut, ku futen kryesisht ato qe lidhen me sëmundje të zemrës, të tensionit të gjakut, e tjerë…
Kjo shifër, sipas statistikave të vitit 2019 të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë rezulton 11704, duke zënë 53,4 përqind të të gjithë vdekjeve…E lartë, rreth 17,2 përqind, është edhe shifra e vdekjeve që vijnë nga shkaqe të pa përcaktuara mirë…
Në vlerë absolute për vitin 2019 kjo shifër ka qenë 3772… Në vend të dytë nga shkaqet e përcaktuara saktë, janë sëmundjet e ndryshme tumorale, që kanë shkaktuar një numër vdekjesh prej 3583 ose 16,3 % të të gjithë rasteve…
COVID-19 nuk përcaktohet nga ekspertët si një shkak direkt për vdekje por si një arsye indirekte që shkakton vdekjen përmes sëmundjeve të tjera jo vetëm në rastet kur i prekuri nga virusi vuan edhe nga sëmundje shoqëruese por edhe në rastet kur mendohet se i prekuri nga virusi nuk ka qenë trajtuar apo investiguar në mënyrë konkrete për ndonjë sëmundje specifike.
Në këtë kuptim numri i vdekjeve të raportuara nga Instituti i Shëndetit Publik nga ‘fillimi’ i pandemisë në fillim të muajit mars 2020 deri në fund të shtatorit rezulton rreth 380.
Nëse do të bëhej një projeksion i ‘thjeshtë’ 12 mujor për të pasur një ide për shifrën vjetore të vdekjeve të shkaktuar nga COVID-19, do të mund të thuhej se brenda kufijve të gabimit, shifra vjetore e vdekjeve indirekte nga COVID-19 do të ishte rreth 660. Nëse kjo do të konsiderohej një shifër e besueshme, atëherë rezulton se vdekjet nga COVID-19 do të renditeshin në vendin e 5/të…
Nga krahasimi i të dhënave, rezulton se vdekjet e shkaktuara nga sëmundjet e qarkullimit të gjakut janë rreth 18 herë më të larta se ato nga COVID… Kurse shifra e vdekjeve nga sëmundjet tumorale është rreth 5,5 herë më e lartë…
Madje edhe shifra e vdekjeve për shkaqe të papërcaktuara saktë është rreth 5,7 herë me e lartë sesa ajo e vdekjeve nga COVID.
Në këtë kuptim,ndonëse shkaku indirekt i vdekjeve nga COVID nuk është ndër 3-4 më kryesorët, ai nuk duhet nënvlerësuar…Duhet patur parasysh se përfundimet më të sakta do të nxirren ndoshta më vonë pasi të jenë përpunuar të gjithë të dhënat për COVID…dhe kjo do të mund të ndodhë mesa duket vetëm pasi pandemia të jetë larguar…