Ish-ministri i Shëndetësisë Tritan Shehu nepermjet nje postimi ne Facebook këshillon qeverinë që të mos hedhë “fishekzjarre”, pasi sipas tij, nuk ka realizuar ndonjë mrekulli me sjelljen e një sasie vaksinash gripi, në kuadër të masa lehtësuese për përballimin e pandemisë së koronavirusit që ka përfshirë vendin tonë që prej muajit mars.
Postimi i plote:
Mos hidhni fishekzjarre, Qeveria nuk ka realizuar ndonjë mrekulli me ardhjen e një sasie vaksinash Gripi!
Kjo është vetëm një pjesë e kësaj detyrë elementare të qeverisë, veçanërisht në këtë periudhë epidemie.
Në radhë të parë, Qeveria duhet të falënderojë Opozitën që ishim të parët prej disa muajsh duke kërkuar këtë gjë.
Nga ana tjetër, jemi shumë larg asaj që duhet bërë:
– Ministria e Shëndetësisë deklaron për fillimin e ardhjes me transhe të 320 mijë dozave, gjë që së pari duhet të sqarojë se për sa kohë bëhet fjalë deri në realizimin e kësaj shifre.
– Së dyti, insistimi i ynë e nevojat e këtij viti të veçantë kur menaxhimi anti-Covid, gjendja e sistemit shëndetësor e pasojat e kësaj janë në nivele të rrezikshme në vendin tonë, ishte dhe është sigurimi gratis i këtij vaksinimi për të gjithë popullsinë, ashtu si po ndodh në shumicën e vendeve të zhvilluara.
320 mijë doza janë shumë pak, edhe duke mos llogaritur diapazonin kohor të arritjes.
Kjo të çon në një pyetje: Po pjesa tjetër e popullsisë çfarë do të bëjë? Do të lihet e zbuluar, kur dhe kërkesat nga qytetarët janë të mëdha?
– Së treti, Ministria duhet të sqarojë origjinën e prodhimit të kësaj vaksine, të faktit nëse ajo është e certifikuar në vendet e BE-së, dhe a mund të qarkullojë në ata apo të tjerë që operojnë nën EMA a FDA, siç ishte vitin e kaluar në tërësi e këtë vit me ato në ardhje për tregun tonë privat?!