Pavarësisht nga thirrjet e faktorit ndërkombëtarë që të mos shkelë marrëveshjen e 5 qershorit dhe që çdo ndryshim i saj të bëhet me konsensus dhe me opinion të OSBE-ODHIR, mazhoranca e Edi Ramës ka ecur përpara dhe ka miratuar këtë të premte në Komisionin e Ligjeve heqjen e koalicioneve për zgjedhjet e ardhshme.
Kështu është vendosur që partitë pjesë e koalicionit, do të garonjë në një listë të vetme duke deklaruar partinë udhëheqëse.
‘Në nenin 65, shtohet pika 3, në momentin e regjistrimit koalicioni duhet të deklarojë partinë udhëheqëse. Dhe kriteret përmbushen nga partia udhëheqëse. Marrëdhëniet reciproke mes tyre, rregullohen në koalicion. Ky është nenin ose pika 3 e nenit 65’, deklaroi Gjiknuri.
Çështja e listave të hapura dhe mundësisë së kandidimit të kryetarit të partisë në 4 zona u shtynë për mbledhjen e ardhshme. Ndërkohë opozita parlamentare bojkotoi mbledhjen sepse nuk pranon draftin e mazhorancës.