Nga VOA-
Politikanë republikanë e demokratë i uruan presidentit Trump dhe Zonjës së Parë shërim të shpejtë pas njoftimit të lajmit për infektimin e tyre nga koronavirusi.
Në një postim në Twitter Nënpresidenti Mike Pence shkruante se: “Karen dhe unë i dërgojmë dashurinë dhe lutjet tona miqve tanë të dashur Presidentit Donald Trump dhe Zonjës së Parë Melania Trump. Ne bashkohemi me miliona në të gjithë Amerikën që po luten për shërimin e tyre të plotë e të shpejtë. Zoti e bekoftë Presidentin Trump dhe Zonjën tonë të Parë të mrekullueshme Melania”.
Urime për shërim të shpejtë Presidenti Trump dhe Zonja e Parë morën edhe nga rivali i zotit Trump për garën presidenciale demokrati Joe Biden dhe bashkëshortja e tij. Zoti Biden shkruante në twitter se ai dhe Jill Biden: “do të vazhdojmë të lutemi për shëndetin dhe sigurinë e presidentit dhe familjes së tij”.
Nuk dihet saktësisht se deri në çfarë mase infektimi i Presidentit Trump nga koronavirusi do të ndikojë në aktivitetet e fushatës së tij për rikandidim. Aktualisht zoti Trump nuk do të udhëtojë për tubime zgjedhore apo aktivitete të tjera që lidhen me mbledhje fondesh.
Ndërkohë sekretari i Shtetit Mike Pompeo i cili u nis të premten për një vizitë në Kroaci, siguroi gazetarët që udhëtonin me të se ai ndihet mirë dhe se nuk është prekur nga COVID-19, duke theksuar se testi që kishte bërë sot paradite kishte dalë negativ. Zoti Pompeo i uroi shërim të shpejtë Presidentin dhe Zonjës së Parë.
Ligjvënësi demokrat i Teksasit Joaquin Castro shprehu gjithashtu shqetësim e tij lidhur me shëndetin e presidentit. Në një postim në Twitter ai shkruante se: “kjo nuk është vetëm çështje e shëndetit personal të Presidentit, por edhe çështje e sigurisë kombëtare”.
Mesazhe për shërim të shpejtë të Presidentit ndanë edhe disa nga kritikët më të ashpër të tij. Udhëheqësi amerikan i të drejtave civile, Jesse Jackson shkruante në twitter se “lutej sinqerisht që Presidenti dhe Zonja e Parë të mos përjetojnë pasojat më të rënda të sëmundjes”.
“Ne të gjithë duhet të lutemi për shërimin e plotë të Presidentit dhe bashkëshortes së tij. Pavarësisht bindjeve fetare apo politike, të gjithë duhet të lutemi pasi miliona njerëz janë prekur nga kjo sëmundje“, vijonte mesazhi i tij në Twitter.
Ndërkohë shumë udhëheqës ndërkombëtarë i uruan shërim të shpejtë Presidentit dhe Zonjës së Parë, mes tyre Kryeministri Britanik Johnson, Kancelarja gjermane Merkel, Presidenti rus Putin, Kryeministri turk Erdogan, Kryeministri i Indisë Modi, Kryeministri izraelit Netanjahu, kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë Ghebreyesu e të tjerë.
Pas lajmit se presidenti Trump ishte infektuar nga COVID-19 tregjet ndërkombëtare pësuan rënie. Që prej fillimit të pandemisë së koronavirusit më shumë se 207 mijë amerikanë kanë humbur jetën dhe më shumë se 7.2 milionë të tjerë janë infektuar.