Ish-presidenti Bujar Nishani, i ftuari në edicionin kryesor të lajmeve në SYRI TV komentoi votimin e njëanshëm të ndryshimeve në Kodin Zgjedhor.
Sipas tij, ky parlament nuk përfaqëson sovranin.
Sipas tij, edhe në momentet më të vështira, gjithmonë në Shqipëri rregullat e lojës për zgjedhjet dhe ndryshimet kushtetuese janë bërë në mënyrë konsensuale.
“Këto rregulla për herë të parë ndryshohen nga një njeri, ligji u shkrua nga një njeri,” tha Nishani.
“Procesin e integrimit, Rilindja e ka hedhur në erë prej kohësh. Ata që e shikojnë këtë çështje thjesht si një truk elektoral, i shohin gjërat vetëm në sipërfaqe. Ky i sotmi është vetëm një element i një kushti që i është ngritur Shqipërisë dhe shqiptarëve,” tha Nishani.
Sipas ish-presidentit, Shqipëria është në një moment historik.
“Ne jemi në një moment historik, sepse nuk është vetëm pjesa elektorale, por kemi me një politikë djallëzore për të bërë që Shqipëria dhe shqiptarët të mos jenë të zotët të ngrenë kokën. Pra është instaluar një sekt, që është ushqyer, rritur dhe mbahet në terapi intensive me qëllim shkatërrimin e shtetit shqiptar,” tha Nishani.