Në ditën e përkthimit, ndërkohë që në Ministri të kulturës “festohej” për përkthyesit profesionistë u kthye në një ditë dramatike, pas deklaratës së bërë se duhet vendosur “urdhëri i përkthyesit”. Kanë reaguar menjëherë botues e përkthyes duke e quajtur këtë “deklaratë” absurd dhe të pamundur duke kujtuar se ky zanat nuk është si të tjerat, por kërkon liri dhe cilësi dhe jo “urdhëra” nga lart…
Reagojnë përkthyes e botues
Në ditën e përkthimit, ndërkohë që në Ministri të kulturës “festohej” për përkthyesit profesionistë u kthye në një ditë dramatike, pas deklaratës së bërë se duhet vendosur “urdhëri i përkthyesit”. Kanë reaguar menjëherë botues e përkthyes duke e quajtur këtë “deklaratë” absurd dhe të pamundur duke kujtuar se ky zanat nuk është si të tjerat, por kërkon liri dhe cilësi dhe jo “urdhëra” nga lart…
Përkthyesja Valbona Nathanaili u shpreh se “Po shpjegoj: Të gjitha institucionet shtetërore që kërkojnë përkthyes, kanë rregullat dhe protokollet e tyre për licencim, për shkak të njohurive shumë specifike që kërkohen, kështu të tjera njohuri kërkohen nga një përkthyes ligjor dhe të tjera nga një që përkthen shkencë. Deri tani kështu ka funksionuar (për shembull, ministria e drejtësisë certifikon përkthyesit e saj, por pa guxuar të krijojë urdhrin e përkthyesit, pikërisht sepse kupton absurditetin e rastit). Për të mos u shkelur ky parim, i bie që QKLL të licensojë përkthyesit e librit artistik. Këtu fillon gjithë paradoksi dhe edhe argumenti i dytë.
Të krijosh Urdhrin e Përkthyesve, është njësoj si të krijosh “Urdhrin e Autorit”, “Urdhrin e redaktorit” ose “Urdhrin e lexuesit”! As në kohën e komunizmit, që duhet thënë se kishin shumë fantazi kur binte fjala për urdhra e organizime, nuk i ka vajtur njeriu në mend ta krijojë. Po shpjegoj: kur kemi Urdhër, të gjithë anëtarët e tij duhet të zbatojnë normat e standardet e vendosura me ligj nga ministri nga varen (në këtë rast nga ministri i kulturës). Për të mos përmendur faktin që pjesëmarrja në urdhër kërkon edhe kuotizacion! Por e rëndësishme është që përkthimi i librit artistik është i lirë, që do të thotë se standardet që do vendosen nga Urdhëri, të detyrueshme për t’u zbatuar nëpërmjet ligjit përkatës, do jenë kaq të përgjithshme, sa mund të shndërrohen në qesharake. Po ashtu edhe vetë ligji. Për shembull, misioni i këtij urdhri mund të jetë: “Urdhri i Përkthyesit ka si mision ruajtjen e standardeve të miratuara nga Ministri i Kulturës, në ushtrimin e profesionit përkthyes, si dhe të mbrojtjes së lexuesit dhe të publikut nga kequshtrimi i profesionit të përkthyesit”. Nuk e di ku e kanë parë një përvojë të tillë? Ajo çfarë kemi dëgjuar dhe dimë, është që përkthyesit e librave krijojnë shoqatat e tyre, që lobojnë për mbrojtjen e interesave dhe promovimin e punës që bëjnë! Këto shoqata mund të japin edhe çertifikata përkthimi, që në vetvete janë një lloj rekomandimi se ai që e ka fituar mund të hyjë në garë, por asnjëherë në formën e detyrimit. QKLL jo vetëm është në kundërshtim me praktikën e përgjithshme, por edhe me logjikën!Nëse QKLL ka dy lekë, le t’i shpenzojë në mënyrë të mençur! Kam shkruar që përkthyesi mund të quhet kuazi-autor i veprës që përkthen dhe kam lobuar fort që emri i përkthyesit të shkruhet në kopertinë. Por, nuk e mendoja kurrë që Nolit që ka përkthyer Shekspirin t’i duhej një licencë përkthyesi! Asnjë botues nuk të merr për të përkthyer një libër, jo një licencë të kesh, por dhjetë, nëse nuk bindet vetë për punën e kryer. Hajde të nxjerrësh edhe këtë gur që hodhi QKLL në lumë…”
Ndërkohë ka reaguar edhe botuesja Marjan Ymeri, duke thënë se: “Sot Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit organizoi simpoziumin (?!) “Kufijtë dhe gjuha”. Një ide interesante, sidomos në një ditë të veçantë për përkthimin. Nuk isha ndër pjesëmarrësit (dhe nuk di nëse botuesit kanë qenë të ftuar), por propozimi më i rëndësishëm, që pret të materializohet, me sa lexoj, është organizimi i “Urdhrit të përkthyesit”, i cili, siç lihet të kuptohet është nismë dhe do të varet nga QKLL. Natyrshëm më lindin disa pikëpyetje: Këto Urdhra apo grupime apo shoqata, nga kush organizohen zakonisht? Nga shteti, përmes ingranazheve të tij apo nga grupimet e interesuara e të pavarura?! Cili do të ishte autoriteti i këtij “Urdhri”? Sa detyrues mund të jetë ndaj aktorëve të tregut kulturor? Atij lokal? Atij ndërkombëtar? A ekziston një Urdhër i profesioneve të tjera intelektuale? Urdhri i muzikantëve? I shkrimtarëve? I piktorëve a skulptorëve etj.. Përkthyesit zyrtarë i certifikon institucioni përkatës, p.sh. Ministria e Drejtësisë etj. dhe regjistrohen në Gjykatë, po kush do të përcaktojë se cili përkthyes (i letersise fiction dhe nonfiction) është i përshtatshëm për “tregun” kulturor? Një organizim profesional të vetë përkthyesve e kuptoj, do të ishte shumë i dobishëm: mund të kishte një platformë që do të ndihmonte në rritjen e një brezi të ri përkthyesish, në radhë të parë do të punonte e të bashkërendonte punën për kualifikimin dhe mund të bënte trajnime, mund të lobonte për probleme të ndryshme të përkthyesve etj. Shoh në fotot e botuara nga kjo ngjarje disa përkthyes të njohur, por jo botues, të cilët janë aktorë me shumë peshë të tregut letrar. Nuk e di cili ka qenë opinioni i përkthyesve për këtë. Mbase kur t’u botohen kumtimet e mbajtura në simpozium, mund të qartësohet ideja e Urdhrit dhe sidomos probleme, të cilat shpresoj janë rrahur dhe që presin zgjidhje, në bashkëpunim edhe me ekspertë të fushave të tjera.
Gezuar Diten e Perkthimit!”