Kreu i qeverisë Edi Rama, i cili nga mëngjesi deri në darkë flet për lajmet e rreme, dhe bën editorin madje dhe të mediave në vend, duket se vetë ka marrë një damkë nga Facebook për “Fake News”.
Gjatë 15 Tetorit, kreu i qeverisë justifikonte vendimin e marrë për maskat e detyrueshme, me gripin spanjoll të vitit 1918, dhe thoshte se pandemia kishte shkaktuar 50 milionë viktima.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë album të vitit 1918, kur pandemia zgjati 2 vjet, pati 3 valë, infektoi 500 milionë persona, vrau 50 milionë njerëz, prej të cilëve pjesën dërmuese gjatë valës së dytë, si pasojë edhe e mosrespektimit masiv të rregullave pas hapjes së parë, duke ju kujtuar se NGA SOT MASKA ËSHTË E DETYRUESHME KUDO JASHTË SHTËPISË, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruante Rama duke e shoqëruar postimin edhe me foto.
Por duket se ky postim i Ramës është detektuar nga Facebook, i cili shkruan në një tabelë më poshtë: “Informacion i rremë. Ky postim është verifikuar nga fact-checkers dhe është i rremë”.
Me siguri Ramës do ti duhet që të jetë më i kujdesshëm me postimet e tij, pasi larg qoftë edhe mund tia mbyllnin fare faqen e Facebook, që e ka mjet pune dhe komunikimi me qytetarët.