Edi Rama, Juda i Shqipërisë…

0
259

Nga Erl Kodra

Mund të duket si teori konspiracioni, por në fakt është e vërtetë: Edi Rama është antishqiptari më i madh në histori. Argumentet e rënditura më poshtë nuk lënë vend për dyshim.

Si Kryetar i Bashkisë Tiranë, Edi Rama shkatërroi strukturën urbanistike të Tiranës nëpërmjet betonizimit. Si pasojë, Tirana është kthyer në një qytet që nuk funksionon, ku nuk mund të qarkullohet lirshëm nga qytetarët dhe që përmytet rregullisht. Të dhëna të besueshme tregojnë se sektori i ndërtimit ka pastruar rregullisht të ardhura nga aktivitete mafioze si trafiku i drogave dhe korrupsioni. Edi Rama, me cilësinë e Kryetarit të Bashkisë ka bashkëpunuar me eksponent mafioz dhe kriminal në këtë sektor, me të cilët ka ndarë interesa të drejtpërdrejta financiare.

Në vitin 2005 Edi Rama zgjidhet Kryetar i Partisë Socialiste, ku akuzohet se ka përdorur pozitën e tij si Kryetar i Bashkisë për të blerë pozitën e Kryetarit nëpërmjet trafikut të influencës, ose ndryshe, “një pallat, një votë”. Pozitat e Edi Ramës në krye të Partisë Socialiste forcohen ndër vite nëpërmjet pastrimit të partisë nga çdo zë kritik, por edhe mbushjes së strukturave me element të botës së krimit. Sot, nga PS e Fatos Nanos ka mbetur vetëm emri i saj, Gramoz Ruçi, Pandeli Majko, Musa Ulqini dhe Erion Braçe. Nën drejtimin e tij, Partia Socialiste është kthyer në një tokë të djegur, ku mungojnë personalitetet intelektuale. Vendin e tyre e kanë zënë disa qenie pa asnjë pikë dinjiteti dhe integriteti moral. Kriteri kryesor dhe i panegociushëm është besnikëria pa kushte ndaj Kryetarit Rama.

Edi Rama vjen në pushtet në vitin 2013, por vetëm dy vjet më herët, më 21 Janar 2011, ai kishte organizuar një sulm të dhunshëm kundër qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, me pretekstin e supozuar të korrupsionit të Ilir Metës, atë kohë aleat i Berishës. Dhuna e asaj dite u përmbyll me katër viktima, pas 4 orësh sulmi të pandërprerë kundër selisë së Qeverisë, ku pati shumë të plagosur nga rradhët e Polisicë së Shtetit. Agron Malaj, Komandanti i Grupit të Zjarrit me 21 Janar, që ishte në mbrojtje të selisë së Qeverisë Shqiptare, emërohet Kryetar i Partisë Socialiste të Matit. Sot, i njëjti individ është emëruar Kryetar i Bashkisë Burrel.

Ardhja e Edi Ramës në pushtet u bë e mundur vetëm pas një aleance me Ilir Metën, Kryetar i Lëvizjes Socialiste për Integrim (LSI), për korrupsionin e supozuar të të cilit, u organizua sulmi i dhunshëm mbi Qeverinë Shqiptare. Një personazh tjetër i mistershëm, “njeriu hije” që qëndron krah Kryeminstrit Edi Rama, dhe që njihet si personi që organizoi dhe sponsorizoi sulmet kundër qeverisë së Kryeministrit Sali Berisha, me taktika tipike mafioze, akuzon Ilir Metën, aleatin e Kryeministrit, se “ka urdhëruar një vrasës me pagesë” për ta vrarë atë. Atë kohë, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri vetofrohet në mënyrë private për të zgjidhur këtë aferë kriminale në sferat më të larta të shtetit shqiptar. Personazhet e përfshira në skenarin grotesko – kriminal, jo vetëm që enden të lirë, por aktualisht kanë përgjegjësi të larta shtetërore. “Njeriu hije”, është shpallur nga Departamenti i Shtetit si person që nuk mund të hyjë në SHBA, si i përfshirë në aktivitete kriminale dhe korrupsion domethënës.

Zgjedhjet e 2013-tës sollën në Parlamentin e Shqipërisë eksponent të lartë të krimit të organizuar shqiptar, të dënuar në vendet e Bashkimit Europian, trafikantë dhe “biznesmen” të korruptuar, deri edhe killer që kishin vrarë nëpër Europë. E përbashkëta e të gjithë këtyre individëve ishte vetëm një: të gjithë ishin të zgjedhur dhe promovuar nga Edi Rama. Ligji i Dekriminalizimit që u miratua më vonë, pas një beteje të jashtëzakonshme të Opozitës shqiptare, dhe pas një presioni të madh të SHBA-ve dhe BE-së, rezultoi në zhveshjen e propagandës frenetike të Kryeministrit, por jo në heqjen dorë nga praktika të tilla, që tregojnë qartësisht se Edi Rama është Kumbari i Mafias.

Përgjatë viteve 2014, 2015, 2016, 2017, shoqëria shqiptare u kriminalizua masivisht, sepse i gjithë vendi u mboll me droge, nga jugu në veri. I gjithë ky aktivitet u krye nën mbikqyrjen e drejtëpërdrejtë nga Policia e Shtetit, nëpërmjet kordinimit dhe bashkëpunimit me grupet kriminale zonale. Një Raport Sekret, me statistika të sakta me emrat e rreth 120 emra oficerësh të lartë të Policisë së Shtetit, ku përcaktoheshin sipërfaqet e kultivuara, me emrat e eksponentëve mafioz që bashkëpunonin hapur me Policinë, me numrin e saktë të parcelave, shkon në zyrën e Kryeministrit dhe në zyrën e Presidentit të Republikës. Qindra mijëra hektarë plantacione hashashi, dhe një ushtri me shtetas që punonin në këtë industri kriminale, nuk do të thoshte asgjë për Edi Ramën, i cili e injoron hapur realitetin. Ky Raporti Sekret i SHISH ishte dokumenti më serioz, i prodhuar nga një institucion i zbatimit të ligjit.

Krahu i djathë i Kryeministrit Edi Rama, Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri akuzohet direkt nga Oficeri i Policisë shqiptare Dritan Zagani, si një ndër bashkëpunëtorët e një grupi të rrezikshëm trafikantësh nga qyteti i Vlorës, kushërinj të Ministrit, të cilët përdornin makinën e tij për trafik droge. Më vonë, pas presionit të aleatëve SHBA dhe BE, Saimir Tahiri largohet nga pozita e tij si Ministër, për t’u zëvëndësuar nga Fatmir Xhafa, edhe ky implikuar në trafik ndërkombëtar droge nëpërmjet të vëllait Agron (Geron) Xhafaj. Saga e Ministrave të Brendshëm të Kryeministrit Edi Rama është një tragjikomedi hollivudiane, sepse bëmat e tyre tejkalojnë çdo fantazi të shfrenuar shkrimtarësh. Telenovela e tyre akoma nuk ka përfunduar, i pari me dënimin qesharak për “shpërdorim detyre”, ndërsa i dyti me manipulim të trashë provash dhe fabrikim dëshmitarësh, në përpjekje për të shpëtuar “nderin” e shefit Edi Rama.

Në planin ekonomik, Edi Rama ka kryer plaçkitje të hapur të pasurive publike, me forma antikushtetuese, duke kryer një seri shkeljesh të rënda të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Dëmi ekonomik i shkaktuar Buxhetit të Shtetit përllogaritet në rreth 2 miliad euro. Kontratat e tipit PPP janë jo vetëm praktika të hapura korruptive, por mbi të gjitha, ato nuk kanë asnjë leverdi ekonomike. Edi Rama mund të mbahet mend si njeriu që zhduku çdo dallim mes vjedhjes së 100 dhe 100.000.000 euro.

Çdo sektor i ekonomisë kombëtare është konçensionuar me periudha 5, 10 ose 15 vjeçare, çka ka sjellë që tani një barrë të rëndë për Buxhetin, duke eleminuar çdo mundësi për rishpërndarje të drejtë të financave publike. Vetëm 2 klm rrugë qytetase në Tiranë tenderohen me 40 milion euro, ku njëra prej “kompanive” fituese të tenderit rezulton të jetë një mashtrim ndërkombëtar i Ministrit Damian Gjinuri dhe i Drejtorit Afrim Qendro. Afera e kësaj plaçke shoqërohet edhe me një krim që po konsumohet edhe sot me banorët e Unazës së Re, të cilët po protestojnë në mbrojtje të shtëpive të tyre që prej një viti. Duket qartë se kjo është një ndër aferat më të neveritshme të ndërmarra ndonjëherë nga një qeveri që sipas ligjit, presupozohet që mbron interesin publik.

Epoka e Edi Ramës shkaktoi braktisjen masive të vendit nga shqiptarët, kryesisht në Francë dhe Gjermani, në kërkim të një përmbushjes së nevojave elementare. Shqiptarët ikin nga Shqipëria saktësisht për arsye të tilla ekzistenciale si buka e përditshme. Mjerimi masiv ka pushtuar vendin; fëmijë të uritur, që mbijetojnë me nga disa cent deri në 1 dollarë në ditë gjendet në çdo qytet dhe fshat të Shqipërisë. Rreth 500. 000 shqiptar janë larguar nga vendi, duke rrezikuar seriozisht strukturën e funksionimit minimal të ekonomisë, si dhe duke rrezikuar seriozisht kohezionin social dhe rënien në kaos.

Në planin politik, Edi Rama është një katastrofë kombëtare. Ai e ka polarizuar shoqërinë, i ka ndarë shqiptarët në Rilindas; një grup ose sekt kriminal që udhëhiqet prej tij dhe benjaminit Erion Veliaj; dhe NE të tjerët, që rezultojmë të jemi shumica absolute e shqiptarve, demokratë dhe socialistë. Opozita shqiptare prej një viti ka dalë nga sistemi i ngritur nga Edi Rama, ku mes të tjerash, ajo refuzon të bëjë fasadën e Kryeministrit. Populli opozitar, në të vërtetë rreth 80 % e shqiptarve, kërkon largimin pa kushte të Kryeministrit. Protestat masive të zhvilluara përgjatë këtij viti ishin ndër demonstrimet më të mëdha që janë mbajtur ndonjëherë në Shqipëri. Policia e Shtetit nën drejtimin e një ish gjenerali delikuent dhe besnik i Edi Ramës, ka ushtruar dhunë sistemike kundër 100.000 mijë protestuesve të opozitës, duke i helmuar me gaz lotsjellës dhe mjete të tjera të dhunës policore.

Ajo çka i ka shkatërruar përfundimisht interesat kombëtare, sigurinë politike, sigurinë juridike dhe rendin kushtetues të Shqipërisë, është kapja dhe njëkohësisht shkatërrimi i Reformës në Drejtësi nga Edi Rama. Duke përdorur “qëllimin e mirë” të ndërkombëtarve, ai mbylli de facto Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, duke eleminuar çdo çelës sigurie që mbron rendin kushtetues të Republikës. Pas kësaj, Edi Rama i ka të gjitha mjetet dhe burimet njerëzore që të shkatërrojë edhe institucionet e tjera, siç po e bën në të vërtetë me sulmin ndaj Presidentit të Republikës. Ngjarjet dhe skandalet që kanë shoqëruar qeverisjen e Edi Ramës janë të jashtëzakonshme, të forta, sistemike, tronditëse. Megjithatë, Edi Rama nuk lëkundet, me mbështetjen edhe të disa “ambasadorëve” me axhenda të dyshimta dhe jo dinjitoze.

Edi Rama i vodhi, i bleu, i rrëmbeu, i plaçkiti zgjedhjet e Vitit 2017 (dhe jo vetëm). Gazeta gjermane Blid publikoi përgjimet e krerëve të PS-së, Vangjush Dako, Damian Gjiknuri, Ulsi Manja dhe vet Edi Ramës teksa aplikonin vjedhjen masive të zgjedhjeve. PPP-ja (Prokurorja e Përgjithshme e Përkohëshme) Arta Marku nuk mund të hetojë bosin e saj, i cili e përzgjodhi mes shumë emrave të tjerë me garancinë e Ulsi Manjës. Në këto rrethana, situata e Shqipërisë duket e pashpresë.

Me politikat e tij të nëndheshme, Edi Rama i ka dëmtuar thellësisht interesat kombëtare të shqiptarëve të Kosovës. Mbështetja për planin e korrigjimit të kufinjëve të presidentëve Thaçi – Vuçiç, në të vertetë një plan serb ky, është vetëm njëri nga aspektet që i kanë dëmtuar thellësisht interesat kombëtare. Diskutimi i një teme të tillë delikate, dhe vënia në pikëpyetje e shtetësisë së Kosovës, është dëmi më i madh në planin strategjik që i është bërë ndonjëherë interesave kombëtare. Po ashtu, mbledhjet butaforike mes dy qeverive ishin një reklamë boshe, por në të vërtetë, asnjë marrëveshje e nënshkruar mes dy qeverive nuk është vënë në zbatim.

Hapja e Negociatave të antarësimit në BE është gënjeshtra më spektakolare që ndonjë Kryeministër i ka bërë vendit të tij. Duke qenë në nevojë ekstreme për të shitur dështimin si sukses, ky njeri i paskrupullt nuk e ka për gjë të organizojë edhe ceremoni dekorimi për hapjen e negociatave, që në fakt nuk janë hapur. Kushtet e BE-së, posaçërisht të Gjermanisë dhe Francës janë të papërballueshme. Edi Rama është dështimi më i madh i shqiptarve; në fakt ai është turpi i tyre.

Më në fund, marrëveshja e Novi Sadit e nënshkruar me Presidentin Serb dhe Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut është padyshim përpjekja më e neveritshme, e bërë në mënyrë demonstrative kundër interesave tona dhe interesave perëndimore. Shtrëngimi i duarve treshe dhe gjuha e trupit e Edi Ramës e tradhëtoi atë, ajo është shenja më kuptimplotë se ky njeri është një armik i betuar i vendit të tij.

Përmbledhtas, Edi Rama ka punuar sistematikisht kundër interesave të vendit. Është krejtësisht e pabazë të shpresohet se pas gjithë kësaj rezumeje, që në të vërtetë nuk e prekë të gjithë veprimtarinë antikombëtare të Edi Ramës, mund të shpjegohen me elemente të tjera, siç është përshembull nevoja e tij për pushtet, dobësitë njerëzore, budallallëku, ose paaftësia. Edi Rama është plotësisht i aftë të punojë kundër interesave të vendit të tij, duke mos përmbushur asnjë detyrë kushtetuese, duke zhytur vendin në kriminalitet të thellë, duke plaçkitur ekonominë kombëtare, Buxhetin e Shtetit dhe pasuritë publike, duke kriminalizuar thellësisht politikën, duke shkatërruar Partinë Socialiste, duke kriminalizuar çdo strukturë të organeve ligjzbatuese. Edi Rama shkatërroi perspektivën e integrimit europian, që vështirë se do të rikthehet ndonjëherë. Ai e ka kthyer shtetin shqiptar në një karakatinë të çuditshme mafioze, ku krimi, vrasjet, imoraliteti, fajdet, plaçka, janë kryefjala e jetës së përditshme. Edi Rama ia doli rrëzojë përtokë dinjitetin e shqiptarve, si njerëz të paaftë të ndërtojnë shtet të së drejtës. Presidenti Macron e çmontoi me dy fjalë propagandën e nevertishme të tij.

Ky tekst është bazuar në të dhëna publike, por edhe në të dhëna të tjera të përpunuara nga analistë të fushës. Përfundimet janë produkt i rezultateve të secilës ngjarje të ndodhur përgjatë karrierës politike të Edi Ramës. Kjo është një bazë e mirë për të filluar hetimin për njeriun që prej 20 vjetësh punon kundër interesave të vendit, nga pozitat e administratorit publik, që nga pozita e Ministrit të Kulturës, Kryetarit të Bashkisë Tiranë, Kryetar i Partisë Socialiste dhe Kryeministër i Shqipërisë.

Ps: Ky tekst mund të shpërndahet lirisht.

Ps2: Ky shkrim është publikuar para një viti.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here