Nga Gentian Çala
Kishte shumë shqiptarë që besonin te e majta, qoftë si vlera, si inerci e kulturës politike, përkatësi apo interesa. E majta iu dorëzua një lideri si Edi Rama, që nuk përfaqësonte të majtën, ku përveç “trashëgimisë” nga e majta, luhatej midis anarkistit dhe autoritarizimit, për arsye tërësisht personale që kanë të bëjnë me karakterin e tij. Socialistët të mbetur në opozitë pas zgjedhjeve të vitit 2005, kishin nevojë për pushtetin e tij në bashkinë më të madhe në vend, ku ikja e liderit Nano pas humbjes së zgjedhjeve krijoi një boshllëk. Socialistët dhe vlerat e majta ranë, për ti lënë vendin Rilindjes dhe projektit tjetërsues të forcës më të madhe politike në vend. Me Nanon, iku edhe Partia Socialiste.
Rama pazarxhi, bullizues, i paqëndrueshëm dhe fasadaxhi i hyri operacionit të zgjerimit të pushtetit si autoritar me shqiptarët dhe i nënshtruar ndaj ndërkombëtarëve. E gjitha çka bëri dhe përqëndrimi i pushtetit në duart e tij, e vuri në qendër të debatit politik dhe konsumimi ishte i shpejtë. Skandalet, keqqeverisja dhe papërgjegjësia e çuan Ramën në rënie të lirë, e cila tërheq pas vetes edhe krijesën e tij, Rilindjen. Të gjitha përpjekjet për ta parandaluar disfatën duket se nuk munden ta zerojnë pakënaqësinë e shumicës së shqiptarëve. As ndryshimet në Kod, as ndryshimet kushtetuese, as punësimet elektorale, as mobilizimi i administratës, apo çfarëdo lloj taktike tjetër nuk i shërben si parashutë për të zbutur rënien e lirë.
Rama duket si vrima e zezë që tërheq në vorbullën e tij gjithçka kishte rreth vetes, duke lënë pas vetes një vend mjaft te dobët ekonomikisht, një parti të shpërbërë, institucione të dobëta, pra me pak fjalë një vend ku duhen ribërë shumë ndryshime. Opozita ka vetëm një detyrë: të ndërtojë Shqipërinë post-Rilindje. Asgjë nuk do të jetë e lehtë, por disa nga planet e parashtruara të opozitës duken premtuese. Shqipëria ka nevojë për një qeverisje normale, të pakapur nga oligarkia apo krimi, frymëmarrje ekonomike dhe të rikthehet te parimet e shtetit të së drejtës. Fundi i Ramës, rënia e tij, janë mundësia për një kthesë dhe drejtim të ri të vendit, i cili injekton shpresë te qytetarët dhe i jep dritë të gjelbër udhëtimit integrues të vendit.
Rama do të kujtohet vetëm si referencë e modelit të keq qeverisës apo se si nuk duhet drejtuar më vendi.