Gazetari i BIRN, Gjergj Erebara, i ftuar në programin e Adi Krastës në SYRI TV, e quajti aferën e inceneratorëve si një skandal të madh.
“Është skema më e madhe piramidale që nga viti 1996,” tha Erebara.
“Kryeministri nuk thotë se kush është pronari apo pronarët e kompanisë. Rregullat e transparencës logjike thonë se pronari mund të dalë të thotë se është pronar. Kemi një njeri praktikisht anonim që është pronar i një investimi prej qindra milionë eurosh”.
“Problemi i parë është se vendit nuk i duhen inceneratorë. E dyta, vendi ka paguar dhjetëra milionë euro dhe nuk ka marrë gjë mbrapsht. 800 euro kapital fillestar për një koncesion që kushton qindra milionë euro, ngjan si shaka,” tha Erebara.
“Në dijeni time janë disa gazetarë ndërkombëtare që po hetojnë këtë çështje. SPAK ka një numër padish në duar, që po të dojë, e ka të gjithë mundësinë për të punuar. Nuk e kam parë denoncimin e PD, por di të them që faktet janë aty, nuk është shumë e fshehtë”.
“Bashkia e Tiranës është palë kontraktore në inceneratorin e Tiranës dhe kjo e lidh Erion Veliajn me këtë aferë. Ka pasur një procedurë për një projekt të stisur. Fillimisht u paraqit si një projekt i holandezëve dhe italianëve. Dhe tani është vetëm një projekt tërësisht nga shqiptarët, të cilët më shumë fshihen dhe nuk dalin”.
Erebara tha se çështja e plehrave është shumë e ndjeshme.
“Në të gjithë botën, tendenca është që të mos digjen plehrat dhe këta inceneratorë janë shumë mbi kapacitetet,” tha Erebara.