Miratohet buxheti (sërish optimist): Investime dhe borxh 880 milionë euro vitin e zgjedhjeve…

0
146

Qeveria shqiptare ka rishikuar në ulje pritshmërinë për rritjen ekonomike këtë vit, në -6.1%, nga -4.5% që ishte në vlerësimin e mëparshëm.

Pritshmëria është gjithsesi më e ulët se ajo e institucioneve ndërkombëtare, përkatësisht -7.5% nga FMN, -9% nga BERZH dhe -6.4% nga Banka Botërore.

Pas recesionit të fortë në vitin 2020, aktualisht i parashikuar në -6.1%, ekonomia pritet të rekuperohet në vitin 2021 dhe të vijojë trendin pozitiv në periudhën afatmesme. Rritja ekonomike parashikohet në 5.5% në vitin 2021 dhe të vijojë të qëndrojë afër nivelit prej 4.9% Në periudhëN afatmesme në vijim.

Në mbledhjen e saj të fundit, qeveria ka miratuar dhe projektbuxhetin për vitin e ardhshëm.

Në vitin 2021, të ardhurat totale të buxhetit të shtetit parashikohen të arrijnë 479 miliardë lekë, ose 28.5% e Prodhimit të Brendshëm bruto. Krahasuar me të pritshmin e vitit 2020, të ardhurat gjithsej të buxhetit të shtetit rriten 10.6%, ndërkohë që të ardhurat tatimore nga tatimet dhe doganat programohen të rriten 12.2%  ose +37.1 miliardë lekë.

Totali i shpenzimeve publike për vitin 2021 është planifikuar 587.6 miliardë lekë ose 34.9% e PBB. Në krahasim me pritshmërinë e 2020-s, shpenzimet pritet të rriten lehtë me 1.4%.

Sipas deklarimeve zyrtare, shpenzimet do të mbështesin një nivel të lartë investimesh publike duke u përqendruar në procesin e rimëkëmbjes të ekonomisë, si dhe financimin e projekteve të rëndësishme strategjike.

Investimet Publike për vitin 2021 janë planifikuar në masën 7.2% e PBB, ose 120.6 miliardë lekë (duke përfshirë këtu dhe fondin e rindërtimit në shumën 27 miliardë lekë). Në planifikimin e investimeve për vitin 2021 janë mbajtur në konsideratë të gjitha detyrimet kontraktuale për projektet e investimeve me financim të huaj dhe të brendshëm. Ashtu si dhe në vitin 2020, dhe në vitin 2021 do të ketë përparësi financimi i projekteve në vazhdim.

Si në vitin 2020, parashikohet që të ketë një diferencë të lartë mes shpenzimeve dhe të ardhurave, çka do ta detyrojë qeverinë të marrë borxh për të realizuar projektet e saj të investimeve, në një vit elektoral. Deficiti buxhetor për vitin 2021 planifikohet të jetë në nivelin 6.5% të PBB nga rreth 6.8% i pritshëm për vitin 2020. Në vlerë absolute, deficiti buxhetor është parashikuar në 108 miliardë lekë, ose 880 milionë euro, nga gati 1 miliard euro, që është i pritshmi këtë vit.

Sipas relacionit, dy goditjet që pësoi vendi, në fillim nga tërmeti i nëntorit 2019 dhe më pas nga pandemia në vitin 2020, janë dy faktorët vendimtarë që kanë çuar në këtë përkeqësimin të përkohshëm të deficitit të përgjithshëm buxhetor dhe balancës primare. Edhe për vitin tjetër, rreth 1.7% e PBB janë planifikuar shpenzime për fondin e rindërtimit.

Megjithatë, balanca korente fiskale (diferenca midis investime publike dhe deficit fiskal) rikthehet në shifra pozitive që në vitin e ardhshëm 2021, në nivelin prej 0.8% të PBB nga një nivel i pritshëm negativ prej -0.3% këtë vit, në përputhje kjo me rregullin respektiv fiskal (“rregullin e artë” të buxhetit).

Borxhi do fillojë uljen 

Këtë vit, borxhi publik pritet të arrijë në një nivel rekord prej rreth 81% të PBB-së. Financat parashikojnë se borxhi publik bruto do t’i rikthehet një trajektore rënëse duke filluar që nga 2021, në përputhje me rregullin respektiv fiskal, ku pritet të bjerë në rreth 78.6% të PBB nga rreth 80.9% i pritshëm për këtë vit. Ndërkohë që në afatin e mesëm, pasi të akomodohen nevojat kryesore të lidhura me efektet negative të dy goditjeve, financat publike do t’i rikthehen qartësisht trajektores konsoliduese.

Investimet prioritare 

Sipas financave, në prioritetet e investimeve 2021-2023 do të jenë:

-Zgjerimi i rrjetit të rrugëve kombëtare  nëpërmjet, ndërtimit, rehabilitimit dhe sistemimit të rrugëve kombëtare dhe përveç kësaj kalimin në praktikat e mirëmbajtjes së rrugëve bazuar në performancë;

-Investimi në ujësjellësa, Reduktimi i humbjeve në nivel kombëtar në masën 50% në vitin 2023;

-Në vitin 2023 synohet që të trajtohen rreth 50% të mbetjeve me landfill-e sipas standardeve, nga 30% që parashikohet në fund të vitit 2019;

– Për industrinë parashikohet zhvillimi i strukturave dhe burimeve njerëzore dhe forcimi i kapaciteteve institucionale për inspekimin dhe mbikqyrjen, sigurinë në punë për monitorimin e inspektimit dhe mbikqyrjes së sigurisë teknike të produkteve / pajisjeve / instalimeve në fushat e veprimtarisë së MIE;

-Për shëndetësinë parashikohet Mbulimi universal i popullsisë me shërbim shëndetësor duke parashikuar 6.4 milionë numër vizitash në periudhën 2021-2023, mbështetur në treguesit e sëmundshmërisë.

A është buxheti realist 

Të ardhurat dhe shpenzimet për vitin 2021 parashikohen mbi planin e 2020-s, ndërkohë që fakti deri për 10 mujorin ka qenë dukshëm në mos realizim. Të ardhurat totale kanë rënë me më shumë se 10%, nga 3% që ishte plani i buxhetit të rishikuar. Si rrjedhojë, financat janë detyruar që të kursejnë me shpenzimet e planifikuara, në mënyrë që të mbajnë treguesin e deficitit buxhetor nën kontroll.

Si rrjedhoje, buxheti është sërish optimist, përtej kapaciteteve reale dhe rrezikon të rishikohet në ulje shumë shpejt (shënim i Monitor). Por, ekspertët kanë paralajmëruar se mbajtja e një buxheti optimist mundëson financat të planifikojnë shpenzime përtej kapacitetet, duke rrezikuar rritjen e detyrimeve të prapambetura në të ardhmen./MONITOR

Image

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here