Protesta kundër Dendias, qëllohet me shishe makina e tij/ Policia shoqëron disa protestues…

0
123

Ministri i Jashtëm grek Nikos Dendias ka mbërritur në Tiranë, ndërsa në orën 11:45 minuta ka hyrë në Ministrinë e Jashtme Shqiptare për të vijuar axhendën me takimin me ministrin në detyrë, Gent Cakaj.

Ministri grek është pritur nga protesta e organizuar nga PDIU-ja dhe Lëvizja Vetëvendosje në Shqipëri, pjesëtarë të së cilës janë përplasur dhe nga Policia e Shtetit.

Në momentin që Dendias ka mbërritur dhe ka zbritur përpara ministrisë, protestuesit janë revoltuar dhe kanë nisur tentativat për të çarë kordonin policor. Disa kanë qëlluar me shishe makinën e kryediplomatit grek.

Deri më tani janë shoqëruar 22 protestues, mes tyre dhe Bojken Abazi, kreu i VV-së në Shqipëri.

Kryetari i Partisë Drejtësi Integrim dhe Unitet, Shpëtim Idrizi, kryesoi protestën.

“Nga kalorësi i Çamërisë, u kthye në kalin e Trojës së Greqisë. Sot ka avancuar vetëm agjenda greke. Bën ligjin për toponimet. Na u refuzua leja për shkak të Covid-19. Por kur Edi Rama bën asamblenë e PS, Covid nuk është problem. Ndërsa që ne të vendoseshim me pankarta ishte problem. Nuk e zgjodhëm ne kohën për protestë, por ministri i Jashtëm, që erdhi në kohë Covid-i për të bërë presion”, tha Idrizi për mediat.

Në vijim ai u shpreh se nëse kërkojnë 12 milje, i kanë në Prevezë dhe Artë.

“Më vjen keq edhe për gjithë punonjësit e policisë, nuk kemi ardhur aty për ata. Tragjedia e shqiptarëve të Çamërisë sigurisht që dhemb sepse Shqipëria që kemi sot, është për shkak të sakrifikimit të Kosovës dhe Çamërisë. Do të vazhdojmë të protestojmë, nuk mund të lejojmë më që idiotët e dobishëm të Athinës në Shqipëri dhe eunukët që vazhdojnë të qëndrojnë në zyrat e shtetit shqiptar, të lejojnë të vijojë deviza e Serbisë dhe Greqisë, që “çka është e tyre është e tyre, çka është e Shqipërisë është e diskutueshme”, tha ai.

Idrizi tha se Shqipëria i ka të përcaktuara dhe delimituara kufijtë tokësorë dhe detarë me Serbinë dhe Greqinë, që në vitin 1913, por sidomos me traktatin e vitit 1926, për delimitimin e ujërave të Shqipërisë dhe Greqisë. “Shqipëria me Greqinë ka për të biseduar vetëm për shelfin kontinental dhe zonën ekonomike. Çdokush që thotë ndryshe pa dyshim që bën tradhti kombëtare ose është debil i lindur dhe i bindur i Athinës. Ne gjithmonë gjërat i marrim vesh nga mediat greke”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here