Vendimi i përbashkët mes qeverisë shqiptare dhe asaj greke për dërgimin e çështjes së detit në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës vijon të shkaktojë reagime në opinionin publik.
Një i tillë vjen edhe nga ish-deputeti i Partisë Demokratike Aleksandër Biberaj, i cili përmes rrjeteve sociale shprehet se transferimi i çështjes së kufirit detar me Greqinë në Hagë nuk është zgjidhje e problemit, por largim nga përgjegjësia që ka qeveria shqiptare dhe vetë kryeministri Edi Rama!
Ish-Zëvendës Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës shprehet se qeveria aktuale dhe çdo qeveri duhet të marrë përgjegjësinë e mbrojtjes së territorit tonë! Pasi, sipas tij, vendimi i Gjykatës së Hagës mund të jetë në disfavorin tonë!
“Të dashur miq, pas deklarimit të papërgjegjshëm dhe antikombëtar të Edi Ramës se pretendimi grek për 12 milje qëndron, dje kryeministri bëri një piruetë duke hequr komplet përgjegjësinë nëpërmjet delegimit të çështjes së kufirit detar në Gjykatën e Hagës, një qëndrim në sinkron ky me palën greke. Ky natyrisht nuk është qëndrim që mbron interesin tonë kombëtar, aq më tepër që kryeministri është shprehur pro 12 miljeve në ndarjen e detit. Dihet që ne shkojmë të papërgatitur në Gjykatat Ndërkombëtare, pa ekspertë dhe pa ekspertizë, pa lobing, nuk kemi asnjë shqiptar në këto institucione, dhe mund t’i shesim vetë këto çështje tepër të rëndësishme. Ndërsa grekët shkojnë mëse të përgatitur, me ekspertë dhe ekspertizë, me lobing dhe financim të fuqishëm, dhe mund të blejnë edhe përfaqësuesit tonë. Fatkeqësisht, akoma kemi deri në nivelet më të larta vendimmarrëse shërbëtorë të grekëve, serbëve dhe rusëve. Zoti na ruajt nga shqip-folësit antishqiptarë!”, shprehet ish-deputeti i PD-së Aleksandër Biberaj.