Kryetari i PD-së, Lulzim Basha tha sot para medieve se unë nuk jam këtu për t’u kacafytur me Edi Ramën, por për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarë. Basha iu përgjigj një pyetje nga SYRI TV, të gazetarit Ermal Rizaj:
Zoti Rama ka deklaruar nga Elbasani, ditën e djeshme se kjo ëhstë opozita më mizerabël që nga viti 1991 dhe prej ditësh injoron planin me pesë pika dhe procesin e përzgjedhjes së deputetëve. Keni një koment për këtë?
Basha: Unë e kuptoj nervozimin e tij, e kuptoj dhe frikën e tij. Sepse realisht e pret jo vetëm humbja e thellë, por edhe përballja me drejtësinë.
Tani, i gjithë fjalori i tij vulgar, sjellja rrugaçërore, ka një dhe vetëm një qëllim: të më tërheqë mua në një debat i cili është i zbrazët nga substanca, që duket si kacafytje midis meje dhe atij.
Në fakt unë nuk jam këtu për t’u kacafytur me të! Kemi pasur një përballje ne në 2011-ën, e kam mundur dhe prapë do ta mund porsa i përket egos personale, por kjo nuk është ego personale.
Unë jam këtu për të mbrojtur interesin e qytetarëve shqiptarëve, për të treguar përgjegjësitë që ky njeri ka, që sot 100 mijë shqiptarë kanë humbur vendet e punës dhe si asnjë në rajon nuk marrin asnjë ndihmë.
Unë jam këtu për të treguar arsyet pse ka ndodhur, që është afera e tmerrshme e inceneratorëve dhe të tjera si këto.
Edi Rama nuk ka përgjigje për këto dhe ndaj mos u çudisni për gjuhën e ulët , të baltës dhe gënjeshtrat e mashtrimet e tij.
Për të hequr nga vëmendjen nga menaxhimi i krizës pandemisë, nga vjedhja e parave të shqiptarëve me inceneratorët e aferat e tjera korruptive, nga fakti që nuk ka bërë një paketë të tretë, sulmet ndaj meje janë gjëja më e pakët që do të bëjë.
Siç kërceu në studio të enjten e kaluar do të shikoni dhe çudira të tjera. Do të bëjë çdo gjë me shpresën që shqiptarët do t’i harrojnë këto të vërteta.