Banka Botërore pret që rimëkëmbja e Ballkanit Perëndimor të jetë e ngadaltë dhe e pasigurt. Banka ka publikuar sot Raportin e Rregullt Ekonomik nr. 18 për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Raporti i titulluar “Rimëkembje e pasigurt” fokusohet në përgjigjen e vendeve të rajonit ndaj COVID-19 dhe shqyrton konsekuencat makroekonomike dhe fiskale të pandemisë në të 6 vendet e rajonit, Bosnje dhe Hercegovinë, Kosovë, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Shqipëria. Pandemia e ka futur rajonin në një recesion të thellë, duke sjellë norma negative rritjeje në të gjashtë vendet për vitin 2020.
Sipas Raportit, rritja ekonomike e rajonit parashikohet të jetë – 4.8 përqind në vitin 2020, 1.7 pikë përqindje më e ulët se parashikimi i bërë në muajin prill. Vala e dytë dhe më e fortë e pandemisë që nga mesi i qershorit ka penguar më tej rimëkëmbjen ekonomike të rajonit. Kufizimet e udhëtimit dhe masat e distancimit social kanë dobësuar gjithashtu rritjen ekonomike të vendeve me varësi më të lartë nga turizmi.
Persa i takon ekonomisë së Shqipërisë, raporti ve ne dukje se për vitin 2020 rritja pritet të kontraktohet me 8.4%. Reagimi i autoriteteve ishte i shpejte ne marrjen e masave kundër krizës, p.sh., linjave të garantimit të kredisë për bizneset dhe rritjes së transfertave sociale për individët.
Pozita fiskale e Shqipërisë për vitin 2020 pritet të përkeqësohet me rritjen e parashikuar të deficitit në 8.5 përqind të PBB-së.
Rënia e aktivitetit ekonomik pritet të ulë raportin e të ardhurave tatimore ndaj PBB-së nga 25.7 përqind e PBB-së në 2019 në 24.1 përqind.
Të dy këta faktorë së bashku, të ardhurat e ulëta dhe deficiti i lartë fiskal, pritet ta rrisin borxhin publik të Shqipërisë në 81.4 përqind të PBB-së, thekson raporti.
Me ngadalësimin e përhapjes së pandemisë, pritet që në 2021 të ketë një rimëkëmbje graduale të ekonomisë prej 5% për shkak të rifillimit të procesit të rindërtimit nga pasojat e tërmetit dhe rimëkëmbjes së ekonomisë globale. Për të përshpejtuar rimëkëmbjen ekonomike duhet që politikat mbështetëse të balancojnë zbutjen e ndikimit nga pandemia dhe forcimin e qëndrueshmërisë fiskale.
Duke supozuar se pandemia do të vihet nën kontroll deri në fund të vitit, PBB-ja në vitin 2021 parashikohet të rikthehet në rritje me 5 përqind, për shkak të rimëkëmbjes së eksporteve, konsumit dhe investimeve. Gjithashtu, vijimi i procesit të rindërtimit të strukturave të dëmtuara nga tërmeti pritet t’i japë hov rritjes ekonomike, siç ka ndodhur në situata të ngjashme në ekonomitë e tjera në zhvillim.
Pas kësaj periudhe, rritja do të varet gjithnjë e më shumë nga konsumi privat, mbështetur nga rindërtimi pas tërmetit. Investimet private dhe ato publike do të kontribuojnë gjithashtu pozitivisht në rritjen ekonomike për sa kohë që qeveria do të vijojë reformat për përmirësimin e klimës së biznesit dhe investimet në infrastrukturë. Sektori i shërbimeve, kryesisht ato që lidhen me turizmin, dhe sektori i ndërtimit pritet të jenë kontribuesit kryesorë sektorialë në rritjen ekonomike.
Deficiti i llogarisë korrente pritet të ulet në 10.1 përqind të PBB-së në 2021 dhe më tej të ngushtohet gradualisht në 8 përqind, në linjë me trendin e periudhës së para krizës,si rezultat i përmirësimeve të parashikuara në bilancin tregtar. Në periudhë afatmesme, eksportet e shërbimeve, veçanërisht turizmi dhe operacionet e proceseve të biznesit të cilat po zgjerohen me shpejtësi, do të çojnë në ngushtim të deficitit tregtar. Në vitin 2021 importet pritet të rriten me 12.8 përqind si pasojë e përshpejtimit të investimeve në infrastrukturë. Gjatë periudhës së parashikimit, flukset hyrëse të investimeve të huaja direkte, kryesisht në sektorin e turizmit, energjisë dhe industrisë përpunuese, parashikohen të financojnë pjesën më të madhe të deficitit të llogarisë korrente.
Me rigjallërimin e aktivitetit ekonomik, të ardhurat parashikohet të arrijnë në 27.6 përqind të PBB-së deri në vitin 2022, kohë në të cilën parashikohet një rënie e vogël e borxhit publik të Shqipërisë. Autoritetet duhet të vijojnë të zbatojnë rregullin fiskal mbi dinamikën e borxhit, i cili përcakton se raporti i stoku i borxhit publik dhe të garantuar ndaj PBB-së nuk duhet të rritet nga viti, dhe ky rregull kërkon që duke filluar nga viti 2023 të ruhet një bilanc primar pozitiv. Perspektiva e punësimit varet kryesisht nga rimëkëmbja e sektorëve të shërbimeve dhe vlerës së investimeve në rindërtimin e vendit, thuhet në raport./MONITOR