Nga Violeta Murati
Para disa ditësh shoqata e botuesve na lajmëronte se ministria e shëndetësisë ka anulluar Panairin e librit, që mbahet mes nëntori të çdo viti, dhe njihet në rajon si panairi më i madh i librit shqip.
Asnjë reagim s’pati, zija e këtij lajmi nuk preku kënd. Njëzet e katër orë më pas, po shoqata e botuesve, organizatorë të panairit, japin lajmin tjetër: panairi i librit do mbahet online. Disa media dhanë lajmin, disa shkrimtarë u gëzuan, e disa botues heshtën përgjithmonë për ta lënë këtë fat të marrë udhë. Vetëm një botues, në shqetësim se çfarë po ndodh me librin, nga një përvojë lokale e panairit, si ajo e Fierit, më thotë në një bisedë telefonike (më pas të reflektuar në një shkrim në gazetën “Exlibris), se kjo mënyrë është si të bësh “dasëm” pa nusen dhe dhëndrin, nënkupto pa librin dhe lexuesit! Pak a shumë, ky botues e shihte një shëmti të madhe këtë punën e librit online. Kemi një reagim në ironi, të dramaturgut Stefan Çapaliku, njëkohësisht njëlloj rebelimi, pse qendrat tregtare qenkan më pak të rrezikshme se një panair libri, kur bëhet fjala për treg masiv.
Dramaturgu, një antikonformist kur ja do puna, nuk kursyen mprehtësinë e tij të humorit, për të çuar në ferr këtë vendim të qeverisë, duke u shprehur se: “Mora vesh se pavarësisht se qendrat tregtare do mbesin te hapura, sivjet nuk do kemi panair libri, sepse libri demton shëndetin”. Çapaliku ka vazhduar më tej, duke ndjerë si duket mungesën e protestës ndër kolegë të tij letrarë, por dhe “pushtetit” kulturor që kujdeset deri në detaj për punë të librit për të thënë se, “Për sa më sipër ka protestuar edhe Ministria e Kulturës, si dhe strukturat e tjera më imcake…”. E pra, këto punë si duket nuk mjafton të kenë një zë nga facebook-u, që t’i mbledhim statuset si qukrrime kulturore.
Dhe ja, në përgjigje të kësaj situate të vakët që njerëzit e librit, a kulturës kanë për vehten, dje në sheshin qëndror të Tiranës, nja tre fugona me logo nga markat e birrave po bëheshin gati për zbarkim. Skela, skela pa fund, tavolina, karrige, stenda gati edhe muzika për t’u ngulur në një panair birre e qoftesh.
Në të tilla raste protesta kohët e fundit na shoqëron vetëm në facebook, e nuk u përmbajta dot për të shënuar edhe unë gjestin tim revoltues: me vrull e zjarr po montohen stendat për panairin e birrës, ju të librit rrini pini raki! S’di çfarë psikoze më zuri që ta asocioj shkrimtarin me rakinë, por një nënkoshience e ka. Gjithmonë kam parë shkrimtarë me faqore rakie në xhep, të dehur, ose në gjendje mjaft të mjerë sa për t’ju dëgjuar fjala. Nga njëra anë kjo. Nga ana tjetër, gjithmonë kam parë edhe shkrimtarë që me zell janë bërë edhe pushtetarë, që zërin e përdorin vetëm kur hyjnë në politikë: përballë kundërshtarit, ose në vijën e parë të propangës. Dhe në një anë më të errët kam parë gjithmonë edhe shkrimtarët që lëpijnë të njëjtin sahan me mediokrit e institucioneve drejtuese shtetërore, që nuk e përdorin kurrë sinorin hyjnor; të qënit intelektualë të lirë. Ndërsa buzë Lanës, ku bashkohen ujërat e zeza të kryeqytetit, apo në parkun Rinia, a diku në ndonjë qoshk, me një gjatësi prej më shumë se 20 metra, shtrihen librat e përdorur e të rinj, klasikë e nobelistë, autorë të realizmit socialist e kinezë, libra të baltës e pushkës, të revolucionit e luftës…një laryshi, që gjithmonë gjen shkak për të zbrasur portofolin. Si duket këtu mbyllet edhe kjo histori me të ngjashmit e vete, këtë vit të munguar. Çfarë shprehet për librin është dhimbje, dhimbje për autorin, për letërsinë shqipe, për librin si mungesë kulture. Por ministria jonë e kulturës nuk e çan kokën, sepse e sheh më shumë kulturë me vu maskat nën logon qesharake: “trego kulturën tënde”!