Nga Erblina Mile
Draft-buxheti për vitin e ardhshëm është shumë optimist. Ekspertët e ekonomisë japin alarmin se të ardhurat e parashikuara janë shumë të ulëta,investimet të pakta ndërsa borxhi publik ka rritur në nivele shumë të larta. Ish-ministri i financave Arben Malaj deklaron se problemi kryesor në këtë draft buxhet është fakti që mungon plotësisht mbështetja për shtresat në nevojë dhe biznesin që janë goditur për shkak të pandemisë.
“Borxhi publik do të shkojë në nivele të larta që unë mendoj se mund të arrij deri në 85-100% të GDP dhe ajo që duhet theksuar për buxhetin e vitit 2021 është që nuk ka parashikuar mbështetjen që duhet dhënë të papunëve të rinj dhe të varfërve që sipas BB dhe kalkulimeve të institucioneve tjera rrezikojnë që të rriten. Këtë e shohim edhe nga pandemia tani. A është një buxhet realist?Sigurisht që buxheti nuk është aritmetik dhe varet nga ambienti ekonomik dhe shoqëror do të implementohet .Nëse qeveria nuk do të injektojë para në ekonomi në pjesën e mbrojtjes sociale për të papunët të varfrit dhe bizneset rrezikon të jetë jo realist”, shprehet Malaj.
Për ekspertin Selami Xhepa ky projektbuxhet i ka treguesit shumë të fryrë .Të ardhurat vlerësohen të ulëta ndërsa shpenzimet të larta.
“Mendoj që tipari themelor i këtij buxheti janë të ardhurat shumë të ulëta sepse niveli i të ardhurave të projektuara për vitin 2021 janë të barabarta me ato të vitit 2018, së dyti niveli shumë i lartë i shpenzimeve qeveritare që vjen si për shkak të shpenzimeve korente pagave dhe investimeve publike dhe që për pasojë prodhojnë një indikator final që është niveli i lartë i borxhit publik dhe defiçitit fiskal”, shprehet Xhepa.
Afrimi i zgjedhjeve e rëndon edhe më shumë situatën ekonomike në vend. Arben Malaj thekson se gjatë periudhës së zgjedhjeve ka stopim të investimeve dhe konsumit .
“Kur jemi në një vit elektoral së pari qytetarët konsumojnë më pak sepse duan të dinë çfarë do të ndodh,investojnë më pak sepse presin të ndodhin ndryshimet e premtuara,investitorët biznesi vendas dhe i huaj rrinë në pritje për të parë se çfarë drejtimi merr vendi pas një qeverie të re që do jetë në muajt e parë të vitit”, thotë Malaj.
Ndërkohë Selami Xhepa shprehet se fushata elektorale ka nisur disa muaj më parë ndërsa thekson se në të gjitha zgjedhjet në vend ka një shthurje të disiplinës financiare.
“Por në kontekstin e zhvillimeve politike dhe të fushatave elektorale janë shoqëruara me shthurje të disiplinës, me probleme serioze të funksionimit të sektorit privat dhe për pasojë investimet private do të jenë më të munguara .Kështu që do të ketë rreziqe të mëdha e të forta”, thekson Xhepa.
Të ardhurat në buxhetin e shtetit gjatë vitit 2021 janë parashikuar në vlerën e 479 miliard lekëve me një rritje me rreth 10,6% nëse e krahasojmë me të ardhurat gjatë këtij viti. Ndërsa shpenzimet janë planifikuar të jenë në nivelin e 587,6 miliard lekëve./ abcnews.al