Ka kaluar 24 orë nga përfundimi i punës së Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, dhe 326 emrat kanë mbërritur tek Kryesia. Në përfundimin e fazës së tretë të përzgjedhjes së kandidatëve për deputetë, të vetmit që komentojnë procesin janë anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve, edhe ata pa përmendur emrat që zgjodhën ti eleminojnë nga gara brenda PD.
Nga porcesi u skualifikuan 15 ish-deputetë të PD të legjislaturës së fundit, mes te cileve Ervin Salianji e Endri Hasa, por edhe Nada Meçorapaj, ish-deputetja e Vlorës, Romeo Gurakuqi i cili në 2017 ishte i pari në Shkodër, Lindita Metaliaj që u zgjodh deputete në Lezhë në 2017, apo Fatbardha Kadiu në Durrës.
Një prej 5 vendimmarrësve të Komisionit, Enriketa Papa tregon kriteret që emrat e skualifikuar nuk arritën t’i plotësonin. “Ajo që kemi patur parasysh ka qenë maksimalizimi i votës që mbart në vetvete shumë kritere, eksperienca me strukturat, puna në terren, angazhimi për përfaqësim të mirë në fushatën elektorale, individualizmi, janë një kompleks faktorësh që na bënë të nxjerrim listën me 326 persona”, sqaroi Papa për Report Tv