Në Gjermani gjatë 24 orëve të fundit janë konfirmuar 14.964 raste të reja me coronavirus, që është numri më i madh në baza ditore që nga fillimi i epidemisë, ka njoftuar Instituti Robert Koh.
E përditshmja gjermane “Bild” raporton se, kancelarja gjermane Angela Merkel ka kërkuar takim me zyrtarët e 16 rajoneve gjermane ku do të diskutojnë për mbylljen e restoranteve dhe kafeneve nga 4 nëntori, si një tentative për të parandaluar përhapjen e mëtejme të Koronavirusit.
Përforcim i kufizimeve
Gjithnjë e më shumë zona në Gjermani konsiderohen tanimë si zona rreziku. Në disa rajone janë mbyllur përsëri shkollat dhe kopshtet, si p.sh. në Berchtesgadener Land apo Rottal-Inn në Bavari. Po ashtu shumë zona kanë vendosur edhe mbylljen e restoranteve.
Kufizimet vlejnë fillimisht për dhjetë ditë.
Qeveria federale gjermane dhe disa nga kryeministrat e landeve kanë theksuar vazhdimisht që shkollat, kopshtet dhe ndërmarrjet mundësisht nuk duhet të preken nga një bllokim i dytë.
Prandaj fokusi i masave kufizuese tani po përqendrohet gjithnjë e më shumë tek baret, restorantet, tek vendosja e orëve policore/shtetrrethimeve dhe tek eventet.
Nga nisja e pandemisë, Gjermania numëron 463,419 të infektuar dhe 10,263 viktima.
Rekordi i mëparshëm është regjistruar të premten, kur janë evidentuar 14.714 raste të reja.