Infektohet personeli në QSUT, mjeku ngre alarmin: Asnjë test! COVID ka rrezik të përhapet te pacientët

0
193

Pesë punonjës të Shërbimit të Hemodializës në Qendrën Spitalore “Nënë Tereza” kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Lajmi konfirmohet nga mjeku i njohur i këtij shërbimi, Ahmet Duraku që thotë se prej 4 ditësh i është drejtuar Shefit të Shërbimit me një kërkesë për të nisur hetimi epidemiologjik, por që nuk ka marrë ende asnjë përgjigje.

Mjeku nuk e përjashton mundësinë që infeksioni të jetë përhapur nga stafi mjekësor tek pacientët, por për ta vërtetuar këtë duhet që të gjithë të shtruarit dhe bluzat e bardha t’i nënshtrohen testit.

Në intervistën e dhënë në ‘News 24’ doktor Duraku i kujton qeverisë dhe Ministrisë së Shëndetësisë se pikërisht një prej grupeve më të rrezikuara nga COVID-19 janë të sëmurët që trajtohen në Qendrën e Hemodializës.

Një maskë e thjeshtë kirurgjikale në fytyrën e doktorit është i vetmi mjet mbrojtës përballë virusit vrasës. Doktori apelon se në asnjë rast pacientët nuk duhen të shtrohen në spital pa kryer më parë testin për COVID-19.

Në emër dhe të kolegëve të tij, doktor Ahmed Duraku i kërkon qeverisë të investojë për të mbrojtur mjekët dhe infermierët si dhe të lëvrojë pagën e luftës për të gjithë bluzat e bardha pasi përballë përhapjes komunitare të virusit i gjithë personeli shëndetësor ndodhet në vijën e parë të betejës. Ndërkohë burime për ‘News 24’ thonë se në spitalin COVID 2 janë të paktën 2 mjekë të tjerë të diagnostikuar me koronavirus, të cilët ndodhen të karantinuar në shtëpi. Që prej shpalljes së pandemisë, virusi vrasës sars cov 2 i ka marrë jetën 8 punonjësve të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here