Reagim i “Organizata Politike”
Me dhimbje e revoltë mësuam se sot në orët e para të mëngjesit u gjetën trupat e pajetë të tre minatorëve të bllokuar brenda minierës së Balgjajt në Dibër.
Pasuria minerale e Dibrës nuk shërben për të begatuar jetën e minatorëve dhe banorëve të zonës, por si zgafelle vdekjeje e gjymtimesh për të mjerët që janë të detyruar të hyjnë në galeri.
Gjendja e minierave në Shqipëri është shumë e rëndë. Përmes kontratave koncesionare, qeveria u ka dhënë në përdorim aventurierëve ekonomikë dhe të fortëve të botës së krimit pasurinë e përbashkët nëntokësore.
Në vend se të investojnë në kushtet e sigurisë në punë, ata fitojnë duke rrezikuar përditë jetën e minatorëve. Të tjerë minatorë, të dëshpëruar nga papunësia dhe varfëria, shtrëngohen të futen edhe në galeri të nxjerrë jashtë përdorimi.
Ngjarja e sotme është krim ndaj punëtorëve dhe si e tillë ka përgjegjësit e saj. Ata nisin nga kreu i qeverisë dhe shkojnë deri te nëpunësit që kanë për detyrë të mbikëqyrin kushtet e ligjshmërisë dhe sigurisë në punë.
Tragjedi si e sotmja do të përsëriten nëse nuk shpallet një emergjencë kombëtare për kushtet e sigurisë në punë, duke nisur nga sektori minerar. Duhen hetuar urgjentisht të gjitha kontratat koncesionare dhe evidentuar shkeljet e sigurisë në punë, duke u hequr licencat sipërmarrësve abuzues.
Zgjidhja përfundimtare e problemit të minatorëve gjendet në shtetëzimin e minierave kryesore, zbatimin e një plani afatgjatë investimesh dhe miratimin e statusit të minatorit. Pa siguri në punë, garanci nga papunësia, paga dinjitoze, ulje të moshës së pensionit dhe kujdes të shumanshëm ndaj jetës dhe shëndetit të minatorëve, puna në minierë do të vazhdojë të jetë mallkim për punëtorët.