Kushi ia le Manastirliut.
Manastirliu ia pason Komitetit.
Komitetit ia merr Rama në kthesë.
Rama pastaj ia le OBSH-së.
Është pak a shumë si ajo loja e fëmijërisë “e ka kush e ka”, ose thënë ndryshe këtej nga Elbasani, “me ta lanme”. E zinxhiri vazhdon në një rrotullim pa mbarim. Dhe në fund, si në lojën e fëmijërisë, në të cilën megjithatë sundon sinqeriteti, askush nuk mban përgjegjësi për mbylljen e Universiteteve, sepse këtu në zinxhirin qeveritar sundon djallëzia. Filli që i bashkon të gjithë, në këtë lojë tallëse me studentët, është papërgjegjshmëria totale e institucioneve, ku peshën kryesore e zë Ministria e Arsimit dhe Rama dora vetë.
Një javë vetëm do Kushi “sa me la gojën” me studentët dhe Komiteti nuk ia dha. Nuk dihet sa do t’i rezistojë Komiteti tundimit të Kushit. Se për çfarë duhet kjo javë, askush nuk e di. Dikush tha që Kushi e ka këtë kërkesë plagjiaturën e rradhës me bashkautor, të kopjuar nga një vend afrikan. Vetë nuk e besoj aq. Mundësia më e madhe është që kjo javë, të mund të kërkohet vërtet për studentët. Por jo për t’i ardhur atyre në ndihmë. Bëhet ndoshta nga dashuria e pakufi e Ramës për ato, meqenëse dhe protesta e rradhës po ndizet. Ose ndoshta që Kushi të gjejë pak kohë të lexojë Paktin e famshëm për Universitetin, që të nxëjë disa prej mashtrimeve më të mëdha, e mos të bëhet qesharake me kërkesa të tilla. Megjithatë, e thënë më troç e saktë, duket që kjo javë i duhet Ramës me siguri që studentët të paguajnë shpejt e shpejt tarifat, të plotësojnë formularin e votuesit partiak me të dhënat personale dhe pastaj të ikin, që mos t’i bëhen atij dhe Erionit ferr nëpër këmbë.
Se ku do qëndrojnë një javë studentët, Kushi me siguri e di që ato mund të flenë tek Skënderbeu. Kaq pa arsye ishte kërkesa e Kushit sa dhe Komiteti më pak i arsyeshëm dhe më pak shkencor ia hodhi poshtë. E në vend të këtij një javëshi, Ministrja njëmuajshe e arsimit, duhet të paraqiste në publik të gjitha masat që institucioni i saj dhe qeveria kanë marrë për mbarëvajtjen e mësimit online në Universitete. Aq më tepër që një kalim i tillë ka qenë i parashikuar që gjatë verës. Por Kushi s’ka asgjë për të thënë. Dhe njëherë tjetër Rama dhe ministrja e tij e rradhës, sikurse në mars, i kanë lënë Universitetet në mëshirë të fatit, gjoja në emër të autonomisë. Që ta zgjidhin ato si të duan formën e mësimdhënies. Por Universitetet janë në kolaps. Investimet në to janë zero. Paketa financiare për studentët nuk pati as në mars dhe nuk ka as tani. Me saktë fare, Rama dhe Kushi i kanë lënë Universitetet publike “të vrasin veten” me ose pa pandemi.
Askush dhe as Kushi nuk mendon për mbarëvajtjen e tyre, sepse Rama ka të tjera prioritete. Që Universitetet të realizojnë një mësim online efikas e jo shkel e shko siç ka ngjarë, së pari, duhet të çlirohen nga ndalimet e një Ligji, i cili, jo vetëm ka rezultuar asfiksues për arsimin e lartë, por është njëherazi dhe i paplotësuar me aktet normative.
Neni 69 që përcakton format e studimit nuk parashikon diplomim apo mësim në distancë. Pa këtë ndryshim ligjor, çdo iniciativë e tyre për të aplikuar diplomimin në distancë siç po kërkohet, do të rezultonte e pavlerë nga ana ligjore.
Sot arsimi i lartë, për këtë arsye, por sepse mungon edhe letra e prioriteteve dhe nuk është krijuar akoma Agjencia e financimit të Arsimit të lartë, është në kaos total.
Së dyti, Kushi nuk duhet t’i kërkojë disa ditë Manastirliut, apo Komitetit, sikur këto të ishin “ditët e plakave” që prilli ia kërkon shkurtit për hakmarrje. Ajo duhet të kërkojë fonde për ngritjen nga universitetet të platformave të dedikuara dhe të personalizuara.
Sikurse duhet të aprovojë paketa ndihmëse për studentët që këto të përballojnë kostot e mësimit online, humbjet e vendeve të punës part-time, humbjet e qirave dhe shpenzimet e shtuara për më shumë tekste.
Me lojëra “e ka kush e ka”, nuk mbulohet as paaftësia për të qeverisur dhe as papërgjegjshmëria e qeverisë. E gjitha kjo është as më shumë e as më pak, lënie dhe braktisje e Universiteteve dhe e studentëve në mes të pandemisë e në mes të katër rrugëve.
Fasadës së shpëlarë që po i del boja askush dhe as Kushi nuk mund t’i dalë më për Zot. Fundi tashmë është nënshkruar e në fund të lojës e ka kush e ka, fajin e ka Rama dhe Kushi.