Gjobat për parkingjet, një ‘taksë e fshehtë’ mbi banorët e Tiranës

0
172

Mëngjesin e 26 tetorit, Ligert Vaso – banor prej 20 vitesh në një rrugicë në zonën e ish-Ekspozitës në Tiranë, gjeti një fletushkë gjobe në dritaren e makinës së parkuar si zakonisht poshtë shtëpisë. Rrugica ishte kthyer brenda natës në zonë parkimi për rezidentë, por Vaso thotë i irrituar se askush nuk e kishte njoftuar.

Gjobitja nga policia bashkiake e detyroi Vason të sorollatej për disa ditë për të siguruar dokumentet dhe pullën e rezidentit, por kjo nuk ishte një punë e thjeshtë.

“Më kanë çu me shtëpi në Yzberisht,” tha ai me ironi, duke pretenduar lëvizje në gjendjen civile, që i pamundësonte të merrte pullën për zonën ku jetonte.

Dhjetra pronarë të tjerë makinash u irrituan njësoj fundjavën e kaluar, pasi gjetën gjoba 1 mijë lekëshe në xhamin e përparmë dhe tabela që njoftonin kthimin e rrugicave në zona parkimi për rezidentë.

Fushata e fundit në rrugët e Tiranës është pjesë e një politike më të gjatë të Bashkisë së kryeqytetit – e cila i ka kthyer gjobat në një burim të rëndësishëm të ardhurash për arkën e saj.

Të dhënat e siguruara nga BIRN tregojnë se gjobat për parkimet dhe qarkullimin u dhjetëfishuan në katër vitet e fundit në Tiranë, duke kapërcyer nga mesatarja mujore prej 2789 gjobash në vitin 2016, në 27 mijë përgjatë vitit 2020.

Të ardhurat nga gjobat pësuan gjithashtu një rritje të konsiderueshme; nga 151 milionë lekë në vitin 2015 në 458 milionë lekë në vitin 2018 [për 2019 dhe 2020 nuk ka të dhëna publike].

Megjithatë, ekspertët e ekonomisë dhe pushtetit vendor e konsiderojnë këtë një lajm të keq dhe një ‘taksë të fshehtë’ në kurriz të banorëve të kryeqytetit.

“Gjobat në kryeqytet janë bërë qëllim më vete për të rritur të ardhurat,” kritikoi Agron Haxhimali, drejtor ekzekutiv i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.

Pano Soko, ekspert ekonomie dhe anëtar i “Nismës Thurje” mendon të njëjtën gjë. “Një taksë e fshehur,” tha ai në një bisedë për BIRN.

Bashkia e Tiranës nuk iu përgjigj një kërkese të BIRN për koment mbi këto çështje deri në publikimin e këtij shkrimi.

Gjobat fryjnë buxhetin

Të dhënat publike për të ardhurat e Bashkisë së Tiranës nga opendata.tirana.al tregojnë se numri i gjobave ka vijuar të rritet nga 211 mijë në vitin 2018 në 223 mijë në vitin 2019. Numri i gjobave mbeti i lartë edhe në vitin 2020 –ndonëse qytetarët e Tiranës qëndruan në karantinë gjatë 3 muajve dhe viti është ende në vazhdim.

Krahasuar me bashkitë e tjera, Tirana siguroi 20 herë më shumë të ardhura nga gjobat se Durrësi në vitin 2018 dhe gati 37 herë më shumë sesa Shkodra, Fieri dhe Vlora të marra së bashku.

Në tabelën excel për parashikimin dhe të ardhurat e realizuara nga Bashkia e Tiranës rezulton se Policia Bashkiake kishte tejkaluar edhe pritshmëritë e veta në vitin 2018; kur nga 336 milionë lekë të parashikuara mblodhi 458 milionë lekë ose 137 për qind.

Në të njëjtin vit, gjobat sollën rreth 4 milionë lekë më shumë të ardhura se sa vetë tarifa e parkimit me pagesë në qytet, që ishte realizuar në masën 454 milionë lekë. Gjobat rezultojnë zëri i gjashtë për nga madhësia në të ardhurat e Bashkisë së Tiranës.

I pyetur për rritjen e gjobave në kryeqytet, Agron Haxhimali tha se bashkia kishte dështuar me ndërgjegjësimin dhe rritja e gjobave tregonte se problemet nuk po zgjidheshin dhe se shkeljet vijonin.

“E shikoj si lajm të keq. Fakti që masa e gjobave ka këtë rritje progresive tregon për punë joefektive dhe të mjaftueshme që duhet të bënte bashkia për ndërgjegjësimin e tyre (qytetarëve), për sensibilizimin dhe për t’i orientuar qytetarët për zonat dhe rastet kur mund të merret gjoba apo masa administrative,” tha Haxhimali.

Duke komentuar shifrat, Haxhimali thotë se i takonte të ishin gjobitur afërsisht 23-25 mijë familje çdo muaj dhe se gjoba ishte një pagesë shtesë mbi tarifat që ata i paguanin bashkisë.

“Gjoba si akt vërtet është bazuar në ligj, por kjo nuk duhet të jetë qëllim në vetvete. Para gjobave, fillimisht duhet ndjekur hapi i këshillimit dhe në fund saksioni,” thotë ai.

Shumica e qytetarëve i shohin gjobat si mbledhje parash dhe një pjesë që përpiqen të jenë korrektë, nuk ndjejnë se ato po shkojnë për të përmirësuar situatën me parkingjet.

“Ata të bashkisë vijnë mbledhin gjobat dhe nuk duken më,” thotë një qytetar, ndërsa tregon se tabelat ndryshonin vazhdimisht dhe shpesh dukej sikur kjo bëhej vetëm për të mbledhur gjoba.

Sipas Pano Sokos, bashkia as nuk është duke u përpjekur të zgjidhë problemet.

“Bashkia e konsideron zërin e të ardhurave nga gjobat, si një zë të rëndësishëm buxhetor dhe shifrat e publikuara e mbështesin këtë gjë. Në thelb, bashkia nuk po përpiqet të disiplinojë kaosin në trafik, ajo po e shfrytëzon kaosin për të “shitur” orë parkimi,” tha Soko.

Banorët e Tiranës nuk besojnë se paratë e mbledhura nga gjobat po kthehen mbrapsht në investime.

“Ata kalojnë, vendosin gjoba, por rrugët janë njësoj të bllokuara dhe nuk ke ku të kthehesh,” tha një burrë në një sheshpushimi pallatesh mes rrugës së Kavajës dhe Myslym Shyrit, duke treguar me dorë makina që kishin zënë rrugën dhe që sipas tij, kishin muaj të parkuara në një vend.

Më tutje, në një rrugicë të ngjashme në vend të gjobës së bashkisë ishte një fletë e thjeshtë fletoreje, që synonte t’i tregonte parkuesit se kishte zënë një vend që nuk i përkiste. “Mos parko këtu o kryeneç, sepse është me pagesë”, shkruhej në letër.

Letra të ngjashme dhe me më pak etikë gjen thuajse në çdo hapësirë parkimi, ndërsa qytetarët përpiqen të zgjidhin vetë problemet. Në krahun tjetër dhjetra shoferë vendosin numra telefoni në kroskotin e makinës, duke e ditur që mund të kenë zënë rrugën dhe duke i dhënë të bllokuarit një mundësi për të zgjidhur vetë problemin.

Producenti Agron Domi, të cilin BIRN e takoi pranë shtëpisë së tij në pranë Stadiumit “Selman Stermasi”, tha se kishte paguar 4 gjoba gjatë muajit edhe pse e kishte pullën e rezidentit.

“Në një rast isha në këmbë pranë makinës, u thashë se mund ta lëvizja, por më thanë të qëndroja në vend, kishin sjellë kamera me vete. Siç duket mendonin që ishte gjë bukur të filmonin gjobvënien,” tha Domi për një nga gjobat që kishte marrë.

Domi dyshon se rrugicat rreth lagjes gjatë ditës ishin të zëna me makina që ose nuk e ishin pullën, ose kishin marrë diçka të falsifikuar. “Natën këtu është bosh, që tregon se ata që zënë vendet ditën, nuk janë banorë”, shtoi Domi për BIRN.

Ai thotë se gjobëvënia nuk ka për të rregulluar situatën, ndërsa shton se po të donin të rregullonin parkimin, vula e rezidentit duhej të bëhej elektronike përmes E-Albania, përndryshe një vërtetim banimi mund të blihej lirë dhe asgjë nuk do të zgjidhej.

Edhe kur janë në favor të masave, qytetarët thonë se ato nuk kanë ndryshuar asgjë.

“Më në fund te parkimet mbrapa ish-Ekspozitës u vendosën tabelat per rezidentët. Edhe pse ka disa ditë që janë vendosur, unë si rezident prapë e kam shumë të vështirë të gjej parkim, ndonëse shumë makina të parkuara nuk e kanë pullën,” ankohej në Facebook një nga rezidentet e zonës.

/BIRN

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here