Viti akademik ka nisur si kurrë më parë, me studentë jo në auditore. Ish-ministri i Arsimit, Myqerem Tafaj, thotë se procesi mësimor online është i destinuar të dështojë, pasi një pjesë e madhe, sipas tij nuk kanë akses në internet.
”Ky vendim nuk u takon thjesht universiteteve, pasi autonomia e tyre nuk mund të shkojë deri te menaxhimi i pandemisë. Unë mendoj se vendimi është i papërgatitur, pasi në 7 muaj nuk ka ndodhur asgjë për digjitalizimin. Së dyti, ne jemi i vetmi vend që deri tani, asgjë nuk u kemi dhënë studentëve për mësimin në distancë. Ata janë tërësisht të pambështetur. Ky proces është i pasigurt për të qenë i suksesshëm. Shumë familje nuk kanë internet dhe kjo është e pamundur. Duhet një akt ekzekutiv, ose një udhëzim i ministrit që të bazohet diku. Studentët janë të pambështetur. Me këtë proces diskriminohen studentët e varfër. Edhe procesi mësimor është i destinuar të dështojë”,-tha ai.
Sa i përket buxhetit të arsimit, Tafaj shprehet se ai është totalisht i pamjaftueshëm, pasi sipas tij universitetet janë në kolaps financiar. ”Jemi në një kohë krize, por të godasësh arsimin, ti thellon krizën. Edhe me këtë proces kështu do të ndodhë. Është shumë e drejtë që i është dhënë prioritet shëndetësisë, por të shohim se çfarë do të ndodhë. Arsimi është i diskriminuar, pasi buxheti është i pamjaftueshëm”, tha Tafaj.