Në një raport me siglën “Konfidencial”, Kontrolli i Lartë i Shtetit rendit në mënyrë të detajuar veprimet e 4 zyrtarëve të lartë qeveritarë, ish-ministri i Financave, aktualisht ministër i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj në skemën e inceneratorit të Sharrës për të favorizuar Klodian Zoton, duke shkaktuar një dëm miliona euro në buxhetin e shtetit
Një raport tronditës i Kontrollit të Lartë të Shtetit zbulon përgjegjësitë e të paktën 4 zyrtarëve të lartë të qeverisë së “Rilindjes” për dëme miliona euro në miratimin e koncesionit të inceneratorit të Tiranës.
Ish-ministri i Financave, aktualisht ministër i Rindërtimit, Arben Ahmetaj, ish-ministri i Mjedisit, Lefter Koka, ish-ministri i Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, kanë lënë secili gjurmën e tyre në kontratën që jo vetëm nuk ka llogaritur si duhet kostot e projektit, por pritet t’i rëndojë taksapaguesve shqiptarë për 30 vitet e ardhshme.
Në një raport me siglën “Konfidencial”, të miratuar në dhjetor 2019 dhe i bërë publik së fundmi, Kontrolli i Lartë i Shtetit rendit në mënyrë të detajuar veprimet e 4 zyrtarëve të lartë qeveritarë, referuar komunikimeve shkresore ndërmjet tyre në fund të vitit 2016 dhe në fillim të vitit 2017.
Në krye të asaj që mund të konsiderohet si “skemë” për favorizimin e kompanisë koncensionare “Integrated Technology Service” të biznesmenit Klodian Zoto, qëndron ministri i Financave i asaj kohe, Arben Ahmetaj.
Sipas Kontrollit të Lartë të Shtetit, institucioni i drejtuar nga Ahmetaj ka pranuar projektin e propozuar nga Ministria e Mjedisit, megjithëse ai nuk kishte përllogaritur të gjithë kostot e buxhetit të shtetit dhe nuk kishte marrë aprovimin e njësive vendore që do të përfitonin nga shërbimet e inceneratorit të përpunimit të mbetjeve në Sharrë.
Nga analiza e kryer prej audituesve të Kontrollit të Lartë të Shtetit, rezulton se qeveria shqiptare ishte në kushtet e pamundësisë financiare për të miratuar projektin e inceneratorit të Sharrës.
Megjithatë, siç rezultoi, Ministria e Financave dhe Ekonomisë dha viston që Ministria e Mjedisit, në cilësinë e Autoritetit Kontraktor, të nënshkruante kontratën koncensionare me Klodian Zoton.
Po ashtu, në propozimin e kompanisë private “Integrated…”, i mbështetur edhe nga Ministria e Mjedisit, nuk ishte përfshirë kosto e shpronësimit të tokave private pranë landfillit, të cilat arrinin në një shifër rreth 214 milionë lekë të reja ose 2 milion euro.
Ligji për Koncesionet parashikon që pjesë e studimit të fizibilitetit të jenë të gjithë kostot e projektit, përfshirë edhe vlera e shpronësimeve të nevojshme, e cila i ngarkohet autoriteteve shtetërore.
Në rastin e inceneratorit të Sharrës, vlera e shpronësimit të rreth 400 mijë metra katrorë tokë private nuk është përfshirë në studimin e fizibilitetit.
Vlera financiare e shpronësimeve, që llogaritet në rreth 2 milionë euro, duhej të ulej në çmimin që përfituesit e shërbimeve të inceneratorit do të paguajnë për kompaninë koncensionare. Por kjo nuk ndodhi.
Por, ndërkohë që Ministria e Financave ka përgjegjësi për miratimin “symbyllur”, nga ana tjetër Ministria e Mjedisit e drejtuar në atë kohë nga Lefter Koka, ka përgjegjësi që ka propozuar një projekt të paplotë dhe të pastudiuar, me kosto shumë të larta për buxhetin e shtetit në vitet e ardhshme.
Ministria e Financave, në kundërshtimet e saj për gjetjet e Kontrollit të Lartë të Shtetit, argumenton ndër të tjera se projekti i inceneratorit është përkrahur edhe nga përfituesi i kontratës, Bashkia e Tiranës.
Në këtë pikë, KLSH ka konstatuar problematika edhe në rolin e kreut të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Sipas dokumenteve zyrtarë, Veliaj rezulton se është shprehur në parim dakord për studimin e fizibilitetit dhe ky fakt është përdorur nga Ministria e Financave në argumentet e saj mbrojtëse.
Por, sipas projektit, të shndërruar tashmë në kontratë koncensionare, përfituesit e shërbimeve nga inceneratori i Sharrës janë njësitë vendore të Qarkut Tiranë.
Bashkia e Tiranës, megjithëse më e madhja e qarkut, është vetëm një prej përfituesve. Pra, rezulton se nuk u është marrë mendim njësive të tjera vendore.
Po ashtu, edhe aprovimi formal në parim i kryebashkiakut Veliaj është i pavlefshëm, sipas legjislacionit në fuqi. Në raste të tilla, aprovimi ose jo duhet të jepet nga Këshilli Bashkiak, dhe jo nga kryetari i Bashkisë.
Së fundmi, KLSH konstaton përgjegjësi edhe tek Ministria e Infrastrukturës, e drejtuar në atë kohë nga Damian Gjiknuri.
Në studimin e fizibilitetit, është projektuar sigurimi i të ardhurave nga shitja e energjisë së prodhuar nga trajtimi i mbetjeve në shumën 133,546,693 euro me çmimin e parashikuar për t’u shitur prej 70 euro/MëH.
Në dokumentacionin shoqërues të paraqitur për miratim nuk disponohet asnjë evidencë që justifikon aplikimin e çmimit të shitjes prej 70 euro/MëH dhe nga ana tjetër nuk ka asnjë marrje konfirmimi nga autoritetet publike përgjegjëse për politikat e energjisë.