Janë botuar në fletoren zyrtare ndryshimet në Kodin Zgjedhor, të cilat u miratuan fillimisht nga Kuvendi por që u rikthyen nga presidenti Meta përsëri në parlament për votim.
Pasi ndryshimet u rimiratuan siç ishin me një shumicë të thjeshtë votash, ato sëfundi janë botuar dhe në fletoren zyrtare. Thirrjeve të presidentit Meta për marrjen e një opinioni nga Komisioni i Venecias mbi ndryshimet e njëanshme të Kodit Zgjedhor, mazhoranca qeverisëse iu përgjigj negativisht.
Ndryshimet në Kod u miratuan pa mbërritur një opinion i Komisionit të Venecias, i cili parashikohet të dalë në dhjetor.
Ndër ndryshimet më të rëndësishme që qëndruan dhe në thelb të debatit midis mazhorancës dhe opozotës jashtëparlamentare, ishin ndryshimet që kishin të bënin me heqjen e koalicioneve parazgjedhore. Gjithashtu një element i rëndësishëm në këto ndryshime është ulja e pragut zgjedhor në 1%, çka i jep mundësi partive të vogla të mund të kenë përfaqësim poltik, nëse janë elektoralisht të forta në një zonë të caktuar zgjedhore. Sakaq u vendos që kryetarët e partive politike të garojnë në 4 zona elektorale.
Këto ndryshime u miratuan në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca socialiste të ndihmuar dhe nga votat e disa deputetëve të opozitës parlamentare, por pa patur një konsensus të gjerë në Këshillin Politik. Opozita jashtëparlamentare megjithëse i etiketoi si taktika të Ramës për të minimizuar humbjen është shprehur qartazi se ajo do t’i fitojë zgjedhjet.