Ish ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, përmes një postimi në facebook, ka reaguar në lidhje me aferën e inceneratorëve dhe monitorimin e punës së tyre nga ana e instancavepërkatëse shtetërore.
Sipas Panaritit djegia e mbetjeve kryhet në një temperaturë të lartë prej 800 gradë deri në 1000 gradë, duke krijuar përmes tymit të tyre një ndotje të madhe mjedisore të rrezikshme për banorët e zonës. Ish-ministri ngre pikëpyetjet se a ka një monitorim të temperaturave djegëse dhe tymit të oxhaqeve nga ana e qutoriteteve shtetërore.
Postimi i plotë:
Tymi toksik i inceneratorëve dhe jo “lulishtet” mbi landfille janë problemi i shoqërisë dhe i studentëve e studiuesve të mjedisit!
Sepse ashtu siç keni mësuar në teori tymrat e djegies nga furrat e mbetjeve, janë rrezik i madh shëndetësor për banorët!
Sidomos për ata të Tiranës dhe Elbasanit, qytetet më të ndotura në Evropë
Sepse siç keni mësuar, nëse djegia e mbetjeve nuk kryhet në të paktën 800 gradë dhe në disa raste në 1000 gradë atëhere është më mirë të mos i djegësh ato fare.
Sepse produkt i djegies jo të plotë janë dioksinat, ndër lëndët më toksike të njohura në planet. Ja pra dy tema studimore për studiuesit dhe studentët kurajozë të shkencave mjedisore
Tema e parë: A i djegin inceneratorët (ato që punojnë) mbetjet në temperaturat 800 dhe 1000 gradë
A kryhet monitorimi i temperaturave në furrë! A kryhet monitorimi i tymit të oxhaqeve dhe i mostrave mjedisore në distanca të ndryshme nga oxhaqet ndotës.
A është reale kosto e deklaruar e përpunimit të mbetjeve prej 29 euro /ton apo kjo është vetëm për letrat e tenderave. Këto duan të dijnë njerëzit dhe jo sa i gjelbërt është varri në Sharrë.