Jo vetëm politika në SHBA por edhe Marrëveshja për Klimën apo negociatat për marrëveshjen tregtare me BE-në pas Brexitit lidhen me fituesin e zgjedhjeve në SHBA.
Në rast se fiton zgjedhjet kandidati për president i SHBA, Joe Biden dëshiron ta prapësojë daljen e Shteteve të Bashkuara nga Marrëveshja e Parisit për Mbrojtjen e Klimës që në ditën e tij të parë në detyrë. Biden e bërë këtë njoftim, pasi u bë e njohur që shanset e të cilit për të hyrë në Shtëpinë e Bardhë ishin përmirësuar pasi ai kishte fituar disa shtete të SHBA.
Dalja e SHBA-së nga Marrëveshja për Klimën, e vendosur nga Donald Trump, hyri në fuqi të mërkurën, një ditë pas zgjedhjeve presidenciale në SHBA.
Brexit-i dhe marrëveshjet tregtare transatlantike
Një zyrtar i lartë i qeverisë amerikane paralajmëroi Britaninë e Madhe që të mos i varë negociatat për një marrëveshje të ardhshme tregtare me BE-në nga rezultati i zgjedhjeve presidenciale në SHBA. “Unë nuk do t’ia këshilloja këtë qeverisë britanike”, tha i dërguari special i SHBA-së për Irlandën e Veriut, Mick Mulvaney. Ai tha se nuk pret që rezultati i zgjedhjeve do të dihet para “fundit të nëntorit ose fillimit të dhjetorit”.
Ngadalësimi i negociatave me BE ndërsa ora po bie mund të jetë “vetëshkatërrues” për Londrën, tha Mulvaney gjatë një takimi me Institutin për Çështje Ndërkombëtare dhe Evropiane (IIEA) në Dublin.
Londra përgënjeshtron
Një zëdhënës i kryeministrit, Boris Johnson i hodhi poshtë si “të pavërteta” lajmet se Londra po i frenon negociatat e vështira për një marrëveshje të ardhshme tregtare derisa të bëhej e qartë nëse Presidenti i SHBA Donald Trump do të konfirmohej në detyrë apo nëse fitues i zgjedhjeve do të jetë Joe Biden. Sipas këtyre njoftimeve mendohet se nëse Trump fiton zgjedhjet një Brexit i fortë mund të ketë ndikim pozitiv për një marrëveshje të ardhshme tregtare transatlantike. Kurse nëse zgjedhjet presidenciale në SHBA i fiton Biden, një Brexit pa marrëveshje është opsioni më pak i favorshëm.
Britania e Madhe doli nga BE në fund të janarit, por vazhdon të jetë anëtare e tregut të brendshëm të BE dhe e bashkimit doganor deri në fund të vitit. Të dyja palët donin ta përdornin këtë kohë për të rënë dakord për një marrëveshje tregtare. Por bisedimet nuk po përparojnë për muaj të tërë.