Kur ‘patriotin’ e bën Edi Rama

0
229

Nëse në termat e gjuhës shqipe do të duhej të gjendeshin disa fjalë që e kanë të pamundur të lidhen me figurën e Edi Ramës, padyshim njëra ndër to do ishte fjala “patriot”. Në të gjitha postet që ka mbajtur, si ministër i kulturës, kryebashkiak i Tiranës, kryetar i PS-së dhe për dy mandate si kryeministër, Edi Rama ka vërtetuar katërcipërisht se mes tij dhe patriotizmit nuk ka kurrfarë pike bashkimi.

Por në momente kritike, Rama e ka përdorur gjithnjë kartën e ‘patriotit’ për interesa politike, sic po bën edhe sot me çështjen e ish-krerëve të UÇk-së në Hagë duke rikthyer debatin për raportin e Dick Marty-t. I gjendur nën lumin e akuzave qytetare për dështimin me pandeminë, bashkëpunimin me oligarkët, ngjitjen në piedestal të PPP-ve, shifrave rekord të borxhit publik si edhe kriminalizimit të jetës politike në vend, Rama po mundohet me çdo kusht të heqë nga vetja përgjegjësitë, duke krijuar çështje që nuk ezkistojnë.

Në parantezë vlen të theksohet se qartazi kryeministri po mundohet të paraqesë në publik përfaqeësuesit e opozitës aktuale, më parë në pushtet, si njerëz që sipas tij kanë dhënë një shtysë për situatën ku ndodhen sot ish-krerët e UÇK. Ndërsa e vërteta është krejt ndryshe. Shqipëria në 2011-ën votoi pro një rezolute, e cila kërkonte hetim për çështjet e ngritura në raportin e Dick Marty. Rezoluta i bënte thirrje Eulex-it, Kosovës, Shqipërisë, Serbisë etj që të ndihmojnë me hetimin. Nëse Shqipëria do të kishte votuar kundër rezolutës, do të përkthehej si një qëndrim kundër hetimit, prakitikisht, duke konfirmuar akuzat dhe duke bërë lojën e Rusisë dhe Serbisë.  Këtë fakt Rama e di fare mirë, por ja do loja politike që ta paraqesë në publik krejt ndryshe situatën.

Tani të kthehemi pak te Rama dhe ‘patriotizmi’ i tij.

Indicia 1– Kryeministri shqiptar do të hyjë në historinë e kombit shqiptar si i vetmi zyrtar i këtij rangu që paditi në gjykatë homologun e tij të Kosovës. Në kulmin e debateve për ndarjen territoriale Kosovë-Serbi, Edi Rama vendosi të padisë kryeministrin në detyrë në atë kohë të Kosovës, Ramush Haradinaj për shpifje. Me padinë ndaj Haradinajt, që konsiderohet si një ndër simbolet kryesore të luftës së UÇK-së, Edi Rama dha në Evropë e më gjerë imazhin e liderëvë shqiptarë që janë në luftë me njëri-tjetrin.  Se për cilat interesa, Rama e kreu atë veprim, ende sot mbeten të paditura, por fakt është shteti më i kënaqur nga e gjitha sa ndodhi me padinë e Ramës ndaj Haradinajt, padyshim ishte Serbia. Edhe mbyllja e padisë pa nisur endi gjyqi ishte gjithashtu një akt i turpshëm i kryeministrit, që nxorri lakuriq Edi Ramën si individin që realisht sipas akuzave të Haradinajt, qëndrontepas planit Vuçiç-Thaçi për shkëmbimin e territoreve.

Indicia 2-Në dy vite me radhë, kryeministri shqiptar u përfol gjerësisht jo vetëm në Kosovë e Shqipëri por edhe në kancelari evropiane si njeriu kumbar i marrëveshjes së përfolur Vuçiç-Thaçi për shkëmbimin e territoreve. Këtë akuzë së pari e zbardhi publikisht kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Serbi Sonja Biserko. Ajo tregoi se Vuçiç dhe Thaçi prej dy vitesh në Bruksel kishin hapur kanalin për të biseduar për ndarjen e Kosovës, ndërsa në këto diskutime për shkak të ambicieve personale ishte përfshirë edhe Federica Mogherini. “Në të vërtetë, Beogradi gjatë gjithë kohës ka kërkuar partner në Tiranë dhe më në fund e ka gjetur atë: është kryeministri shqiptar Edi Rama. Ato bisedime (për ndarjen) filluan para dy vitesh kur Rama ishte në Nish”, ka thënë ajo.

Më tej për përfshirjen e Ramës në planin e shkërmbimit të territoreve, është shprehur disa herë në publik edhe ish-kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj. “Ka qenë i angazhuar kryeministri Rama në opsionin e marrëveshjes Kosovë-Serbi, i njohur si shkëmbim i territoreve por që do të rezultonte me ndarje të Kosovës. Rama ka qenë i kyçur që në inicimin e kësaj mënyrë të marrjes vesh jo vetëm Kosovë-Serbi, por edhe një marrëveshje paqeje shqiptaro-serbe”, ka pohuar me bindje Haradinaj.

Po ashtu edhe ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, Enver Hasani e ka cilësuar Ramën si ofertues të parë të idesë së korrigjimit të territoreve.

Indicia 3- Nëse do të kishte një nisëm, e cila pa mëdyshjen më të vogël, duhej të kishte një qëndrim unison Shqipëri-Kosovë, ajo duhej të ishte nisma për minishengenin ballkanik. Kjo e fundit u nis si një ide e projektuar nga BE dhe përfundoi në një tryezë trepalëshe ku shqiptarët e gjeten veten të papërfaqësur, në të gjitha kuptimet e fjalës. Pjesëmarrja e Shqipërisë në tryezën e minishengenit ballkanik në krah të Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut, në mungesë të Malit të Zi, Bosnjes e mbi të gjitha Kosovës, ishte një lëvizje aspak patriotike e Edi Ramës. Shqipëria më parë duhej të kishte krijuar termat e dakordësisë me Kosovën për këtë nismë dhe vetëm pas arritjes së konsensusit me shtetin sivlla, do të duhej të ishte pjesë e nismës. Por në atë kohë Ramës nuk i nevojitej patriotizmi, kishte domosdoshmërinë e të paraqiturit në publik lideri rajonal, duke u munduar të krijonte profilin e një njeriu që nuk kishte dhe nuk do mund të ekzistonte kurrë në personalitetin e tij.

Historia mes Ramës dhe patriotizmit ështe fare e shkurtër dhe me ndërprerje në kohë. Ai e thërret në ndihmë ndjenjën nacionale vetëm kur i nevojitet elektoralisht. Ndërsa sa i takon Edi Ramës së vërtetë, kjo foto flet më shumë se gjithçka…

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here