Kontestimi i rezultatit, sfidat ligjore që po përgatit Donald Trump…

0
121

Presidenti amerikan në detyrë, Donald Trump, po planifikon sfida ligjore ndaj rezultatit të zgjedhjeve në disa shtete kyçe, edhe pse Joe Biden është shpallur fitues. Avokati i tij, Rudy Giuliani, tha për Fox News se do të ishte e gabuar për Trump që të pranonte humbjen.

“Ka prova të forta që këto zgjedhje janë vjedhur në 3 apo 4 shtete, mundësisht 10 shtete”, theksoi avokati. Ky është një pretendim që është ripërsëritur vazhdimisht nga Presidenti në detyrë, i cili nuk ka paraqitur asnjë provë deri më tani.

Në Pensilvani, sfida ligjore do të prekë çështjen e mungesës së vëzhguesve zgjedhorë në procesin e numërimit të votave. Ata lejohen në të gjitha shtetet amerikane, por këtë vit ka pasur kufizime për shkak të pandemisë Covid-19. Zyrtarët e Komisionit Zgjedhor pohojnë se procesi ishte i rregullt. Gjithashtu, një padi do të ngrihet në Pensilvani edhe kundër numërimit të votave me postë.

Në Miçigan, një shtet të cilin Trump e fitoi në 2016 me një diferencë prej 10 700 votash, Biden është projektuar fitues. Më 4 nëntor, ekipi i republikanit ngriti një padi për të ndaluar numërimin e votave për shkak të mungesës së vëzhguesve. Por, gjykata e rrëzoi atë për mungesë provash.

Në Uiskonsin nuk do të ketë padi, por vetëm një kërkesë për rinumërim, që me shumë gjasë do të pranohet.

Në Nevada, republikanët kanë pretendime për shkelje ligjore sepse, sipas tyre, në këtë shtet kanë votuar persona të cilët janë zhvendosur për në shtete të tjera amerikane.

Në Xhorxha, ekipi i Trump ka ngritur një padi për probleme në procesimin e votave, por që është rrëzuar nga drejtësia.

Ndërsa në Arizona ka pretendime për vota ligjore të refuzuara dhe për probleme të tjera në teknologjinë e votimit. Nëse rezultati i zgjedhjeve kontestohet, fillimisht do të kërkojë një vendim nga gjykatat e shteteve. Më pas, mund të urdhërohet një rinumërim, ndërsa fjalën e fundit mund ta ketë opinioni i Gjykatës Supreme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here