Dosie/ Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet `45-`48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden; “Diktatori fshehte nga sytë e shqiptarëve gjithë këtë ndihmë të dhëna nga jashtë, në drithëra e në të gjitha fushat për rimëkëmbjen e vendit…”
Një dëshmi e periudhës më të rëndësishme në historinë tonë nga vitet `45-`48 është konsideruar libri historik “Sundimi pa pushtim. Shqipëria 1945-1948”, me autor Luan Doden, botim i Institutit të Studimeve të Evropës Juglindore. Autori, rreth të 80-ave, jeton në Bruksel, ndërsa botimi është vlerësuar si një punim shkencor që ballafaqon fakte e dokumente. Duke qenë në kaosin e debateve shpeshherë të ashpra, kryesisht politike, periudha e vendosjes së regjimit komunist e sidomos fillimi, vitet `45-`48 vazhdojnë të shqetësojnë të gjitha palët. Rishkrimi i historisë – mbetet themeli. Më poshtë kemi shkëputur një fragment ku jepen fakte e kalkulime si u shkatërrua ekonomia shqiptare, tregtarët dhe si u procedua me floririn e konfiskuar nga diktatura. Një statistikë e ftohtë që dëshmon si iu “rrëmbye” pasuria shqiptarëve. Në fragmentin e mëposhtëm nga ky studim, jepet një nga rastet ekstreme se si Enver Hoxha pati paranojën dhe frikën e anglo-amerikanëve, që ndonëse në ditë zie për bukë, pushtetshmëria e tij lidhej me sulmet e këtyre armiqve. Nga ana tjetër, misioni i dytë i ndihmës, njohur me emrin UNRRA e ka në historinë e saj të marrëdhënieve me disa vende të Ballkanit, pra këtë me Shqipërinë si një na më të vështirat porsa i takon politikës së ndjekur nga Hoxha. Diktatori fshehte nga sytë e shqiptarëve gjithë këtë ndihmë të dhëna nga jashtë, në drithëra e në të gjitha fushat për rimëkëmbjen e vendit, duke vështirësuar akoma më tej këtë marrëdhënie, deri në fund të kryerjes së misionit. Kjo është një nga gjurmët më të rëndësishme se si pushteti diktatorial ka shfrytëzuar “ndihmën” e huaj, për ta shndërruar në një propagandë për vete, që sot e kësaj dite shqiptarët mendojnë se janë meritë e Hoxhës, i cili fshehu dhe nuk e pasqyroi në historiografinë komuniste asnjë nga këto fakte historike, në ditën e zisë për bukë të shqiptarëve.
Luan Dode
Marrëveshje jozyrtare sovjeto-angleze. Stalini intemacionalist nuk iu nda idesë së carëve për mbizotërimin e Rusisë në Europe.
Në dhjetor 1941, në propozimet që Stalini i bënte ministrit të Jashtëm britanik, Idenit, për rregullim kufijsh pas lufte, kishte pasur kujdes që Shqipëria të mbetej një shtet më vete, pra të mos i përkiste Italisë, pjesërisht edhe Greqisë/ të cilave nuk do t’ua merrte dot.
Në anën tjetër, nga parimet e Kartës së Atlantikut, nënshkruar që në gusht 1941 nga Presidenti amerikan Franklin Rozvelt dhe Kryeministri britanik Uinston Çërçill, si çdo vend tjetër edhe Shqipëria kishte të drejtë për pavarësinë e vet.
Por integriteti i Shqipërisë vihej në diskutim nga diplomacia britanike, e cila duke mbajtur për aleate qeveritë greke dhe jugosllave në mërgim në Londër, sipas një memorandumi të gjatë të Pirson Dikson drejtuar Forin Ofisit me titull “Shqipëria: Qëndrimi i tashëm i Qeverisë së Madhërisë së Saj”, pranonte lakmitë e të dyja palëve, në Jug e në Veri, duke e parë mundësinë e pavarësisë së një Shqipërie të cunguar vetëm brenda një konfederate ballkanike, për krijimin e së cilës në janar-shkurt 1942, Britania inkurajonte qeveritë e dy vendeve, dhe për të cilën në shkurt 1942 Ideni shprehte optimizëm në Dhomën e Komuneve. Në prill miratonte edhe memorandumin e Diksonit.
Me mendimin se pas LDB-së Bashkimi Sovjetik do të ishte e vetmja fuqi e madhe në kontinent (Franca dhe Italia do të dilnin të dobësuara), në maj të vitit 1944 Moska arriti një marrëveshje në parim me Anglinë për ndarjen e zonave të influencés në Europë.
Marrëveshja parashikonte tri zona, nga të cilat njëra mbetej neutrale. Në zonën e BS’-së, veç të tjerash, parashikoheshin edhe vendet sllave të Ballkanit (Jugosllavia e Bullgaria), si dhe Greqia. Shqipëria nuk përmendej, por në kontekstin gjeografik nënkuptohej brenda zonës në fjalë. Për konfederata apo federata ballkanike që mëtoheshin për këtë zonë do të flasim sipas rastit.
Marrëveshja e “përqindjeve”.
Më 9 tetor 1944 Çërçilli u takua në Kremlin me Stalinin; ishin të pranishëm Ministrat e Jashtëm Iden dhe Molotov, ambasadori i Britanisë së Madhe në Moskë, Klark-Ker dhe dy përkthyes.
Kryeministri anglez tregon se, kur “erdhi çasti për biznes”, i tha Stalinit se, për të ruajtur interesat e secilës palë në Ballkan e pra për të “shmangur përplasje për hiçmosgjë”, “si do t’ju duket të keni nëntëdhjetë për qind epërsi në Rumani, kurse ne të kemi nëntëdhjetë për qind përparësi në Greqi dhe të jemi gjysmë për gjysmë në Jugosllavi?” Ndërsa po bëhej përkthimi, shënoi në një gjysmë flete të cilën ia kaloi Stalinit:
Rumani
Rusia 90 %
Jugosllavi-50-50%
Të tjerët 10 %
Hungari- 50-50 %
Greqi, Bullgari, Britania e Madhe, Rusia 75%
(në marrëveshje me ShBA-në) 90 %
Të tjerët 25 %
Rusia 10%
Çërçilli shkruan se Stalini “shënoi një spunto të madhe mbi letrën dhe e ktheu atë mbrapsht”. Duke shprehur mendimin se dukej cinike sjella e tyre që kishin vendosur, për një çast, të ardhmen e miliona njerëzve, Çërçilli propozoi që letra, e cila kishte mbetur mbi tavolinë, të digjej. Stalini u përgjigj “Jo, ruajeni”. Të nesërmen Çërçilli porosiste Idenin: “Mbrëmë nuk e përmendëm Shqipërinë por personalisht mendoj se duhet të ngulim këmbë sovjetikët për një marrëveshje 50% me 50%. Është e natyrshme që Iden ta ketë shtruar çështjen dhe se qoftë nga mirëkuptimi që ekzistonte në atë kohë për lëshime reciproke, qoftë në ngjashmëri me jugosllavinë, problemi shqiptar duhet të ketë mbetur 50% me 50%.
Cilatdo qofshin interpretimet që i janë dhënë ujdisë fluide të (“përqindjeve”, duke filluar nga ato të vetë kryeministrit anglez , nuk do të kalonte shumë kohë që kjo të humbiste çfarëdo lloj vlere sepse Moska, pavarësisht nga hapat formale, ndërmori të gjitha llojet e manovrimeve për t’i dhënë sistemit komunist epërsinë qind për qind kudo që shkeli Ushtria e Kuqe. Më pas Anglia dhe ShBA-ja morën masa dhe e fshinë 10 përqindshin sovjetik në Greqi.
Konferenca e Jaltës (e Krimesë). Kryetarët e tri Fuqive të Mëdha Aleate – Presidenti i ShBA-së Ruzvelt, Presidenti i Komisarëve të Popullit të BRSS-it Stalin dhe Kryeministri i Britanisë së Madhe, Çërçill – të shoqëruar nga ministrat e Punëve të Jashtme, nga shefa ushtarakë dhe nga ambasadorët përkatës, u mblodhën në Jaltë të Krimesë më 4-11shkurt 1945, për të vendosur kushtet e kapitullimit të Gjermanisë dhe për bashkërenditjen e përpjekjeve për t’i dhënë botës së pasluftës paqe dhe siguri. Në ditarin e vet Çërçilli shkruan: “Jalta: Projekte për paqen botërore”. Por nuk janë të paktë studiuesit që e vlerësojnë Jaltën si projekte për ndarjen e botës. Mbledhja e parë plenare u zhvillua më 5 shkurt. Merrnin pjesë 23 veta duke përfshirë tre përkthyes.
Ndër vendimet që u morën në Jaltë, ishte dhe përcaktimi i kritereve për ngritjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara dhe për pjesëmarrjen në të. Për këtë u vendos të mbahej një konferencë në San Francisko të ShBA-së më 25 prill 1945.
Meqenëse kishte mjaft vende që nuk e kishin nënshkruar Deklaratën e Kombeve të Bashkuara, si dhe të tjera që nuk i kishin shpallur luftë Gjermanisë, u hap një diskutim për të krijuar mundësinë e thirrjes së tyre në San Francisko. U pranua propozimi i Çërçillit që të ftoheshin në konferencë të gjithë ata shtete që do t’u shpallin luftë Gjermanisë dhe Japonisë deri më 1 mars.
Për shkak të marrëdhënieve të tensionuara me qeverinë komuniste shqiptare, anglo-amerikanët nuk e lajmëruan këtë për të bërë hapin e duhur formal: shpalljen luftë Gjermanisë.
Por edhe Moska, që kishte një Misionin Ushtarak në Tiranë, nuk e njoftoi kryeministrin shqiptar në mënyrë që qeveria e Tiranës t’i shpallte luftë Gjermanisë, dhe jo formalisht, se në atë kohë ishin dy divizione të UNÇSh-së që, të bashkuara ushtrisë së Titos, ndiqnin forcat gjermane në ikje nga Jugosllavia.
Vetvetiu shtrohet pyetja pse mund ta ketë sakrifikuar Stalini një votë në favor të tij në OKB, atë të Shqipërisë komuniste, në një kohë kur kërkonte dhe mori miratimin e aleatëve perëndimorë që dy nga 16 republikat e Bashkimit Sovjetik, Ukraina dhe Rusia e Bardhë, të ftoheshin në Konferencën e San Franciskos si shtete sovrane.
Mendojmë se Kremlini nuk dyshonte për besnikërinë e PKSh- së, sepse me kohë kjo kishte rënë ne duart e Titos. Supozimi ynë është se nuk dëshirohej njohja ndërkombëtare e Shqipërisë, sepse mund të sillte komplikime për realizimin e një projekti të Moskës që titullohej «Ndërtimi i Ballkanit pas lufte (Jugosllavi, Bullgari, Maqedoni, Shqipëri)» .
Shqipëria u përmend në Jaltë, por jo në seancat zyrtare në të cilat Tre të Mëdhenjtë folën shumë herë për fqinjët e saj e për vende të tjera të afërta. Këtu poshtë po ndjekim Artur Konten.
Në darkën që shtroi Çërçilli, dollia e parë ishte “për një paqe njëqindvjeçare”. Stalini shtoi se ishte detyrë vetëm e të Mëdhenjve për ta ruajtur atë. Sipas tij, do të ishte qesharake që në OKB-në që po ndërtohej, Shqipëria të ishte e barabartë me BS-në, se nuk ishin të detyruara Fuqitë e Mëdha të derdhnin gjakun për t’i çliruar. “Jam dakord – tha – me Shtetet e Bashkuara dhe me Britaninë e Madhe, për t’i mbrojtur të drejtat e fuqive të vogla, por nuk do të pranoj kurrë që çfarëdo vendim apo aksion i Fuqive të Mëdha t’i nënshtrohet vendimit të të vegjëlve”. Ruzvelti qe dakord se Fuqive të Mëdha u takonte përgjegjësia më e madhe e që paqja duhet të shënohej nga tri fuqitë e përfaqësuara në këtë tavolinë, por gotën e ngriti “për respektimin e të drejtave të kombeve të vegjël”. “Jugosllavia, Shqipëria e vende të tjera si këto, – tha në atë dolli Stalini – nuk kanë të drejtë të qëndrojnë në këtë tavolinë. A doni që Shqipëria të ketë të njëjtin status me Shtetet e Bashkuara? Ç’bëri Shqipëria në këtë luftë për të merituar një vend të tillë? Duhet ne të tre të vendosim si ta mbajmë paqen në botë, paqe që do të ruhet vetëm po e mbajtëm ne të tre”.
Duke filluar nga 7 shkurti, gazeta Bashkimi ka botuar lajme të ndryshme nga bota mbi jehonën ndërkombëtare të Konferencës së Jaltës. Në artikujt e botuar flitej edhe për vendimet e marra aty, pa përmendur në asnjë rast shpalljen e luftës Gjermanisë e Japonisë.
Stefan Pitërs, anëtar i Misionit Ushtarak Amerikan në Tiranë, shkruan se Enver Hoxha ishte tepër i shqetësuar se mos Stalini ua jepte anglezëve Shqipërinë dhe ishte kjo arsyeja që e detyroi atë të shkonte personalisht për herë të parë dhe të fundit në Zyrën e Shërbimeve Strategjike (OSS) Amerikane në Tiranë më 11 shkurt, në një përpjekje të qartë për të mësuar nëse çështja e Shqipërisë kishte qenë trajtuar në Konferencën e Jaltës. Pas një takimi tjetër me Hoxhën më 19 shkurt, Pitërsi i shkruante qendrës së vet për ankesat e qeverisë shqiptare se i mungonte informacioni nga Konferenca e Jaltës mbi të ardhmen e Shqipërisë dhe se anëtarët e qeverisë e ndiejnë veten se po trajtohen padrejtësisht dhe se vendi i tyre po bllokohet nga pjesa tjetër e botës.
Më 25 shkurt Bashkimi botonte në faqen e parë lajmin se Turqia dhe Egjipti i kishin shpallur luftë Gjermanisë dhe Japonisë.
Gjatë afatit prej 17 ditësh, kur vende të ndryshme i shpallën botërisht luftë Gjermanisë, qeveria shqiptare nuk lëvizi. Kështu Shqipëria e humbj rastin për të marrë statusin e “vendit aleat”.
Në 10-ditshin e fundit të marsit, qeveritarët e Tiranës organizuan manifestime të gjera popullore nëpër qytete të vendit, ku kërkohej njohja e qeverisë dhe thirrja e Shqipërisë në Konferencën e San Franciskos. Më 29 mars 1945, pak javë përpara se të fillonte Konferenca e Jaltës, ku morën pjesë 50 shtete, Enver Hoxha u drejtoi një kërkesë Kryeministrit Çërçill, Mareshalit Stalin dhe Presidentit Ruzvelt, të ditëve u kujtonte se akoma nuk kishte marrë “asnjë ftesë” për pjesëmarrje në atë konferencë. Si për të shkaktuar një buzëqeshje ironike, do të thoshim sidomos te Stalini, vazhdonte: “Ndër shtetet që kanë luftuar krah për krah me shtetet aleate për të mposhtui Gjermaninë hitleriane, Shqipëria zë një vend të rëndësishëm për hir të luftës së pareshtur që ka bërë kundër armikut të përbashkët”.
Më 11 prill ShBA-ja ktheu përgjigje me tre argumente: Konferenca nuk ishte për paqen por për organizimin ndërkombëtar; ftesat u janë dërguar qeverive që janë njohur; kriteret për ftesat janë miratuar prej kohësh dhe ishte e pamundur rihapja e dikutimeve për procedura tashmë të mbyllura. Qeveria britanike i komunikoi Hoxhës se përgjigjia e saj ishte e njëjtë me atë të ShBA-së. Nuk dimë gjë për ndonjë përgjigje nga ana e Moskës. Edhe në janar 1946 në një konferencë shtypi Hoxha do të shprehë habinë “pse nuk u thirr vendi… në San Francisko”.