Kur regjimi komunist ra, dhe ithtarët mbanin ende në këmbë pushtetin si mendësi dhe të shkuarën alibike, pjesa tjetër e popullsisë shqiptare, ajo më e reja që nuk e kishte marrë në gjak diktaturën befasohej nga absurdi, dhe mbante në shpirt të qeshurën që jepte artisti i humorit Koço Devole. Thelbësisht të lidhur me ironinë mbi udhëheqësin, diktatorin, si dhe me mendësinë autokrate të individit shqiptar, reflektimi që zgjonte Devole janë palca e humorit të tij, për ta mbajtur mend gjatë, njeriun që ç’dramatizoi ekranin nga skema dhe frika. Koço Devole vdiq dje, pas një sëmundje të rëndë, e komplikuar më tej edhe nga sëmundja që ka prekur globin, covid-19, duke ja përshpejtuar fundin, ndarjen nga kjo jetë.
“Sa shumë trishtim nga ky lajm! Sikur të na thoshe se bëre shaka, nga ato të kripurat, që ti na bëje gjithmonë! Humori dhe arti shqiptar padyshim humbën një prej kolosëve dhe figurave më të dashura, i cili do të na mungojë të gjithëve. Familjes Devole, të afërmve dhe gjithë artistëve ju shpreh ngushëllimet më të ndjera!”, shkruante presidenti Ilir Meta.
Por, dje, të gjithë shqiptarët kanë sjellë një ditë celebrimi, jashtë kornizës së zisë duke kujtuar humorin e Devoles. Ndër rastet e rralla kur një shqiptar me famë vdes, dhe dyzinat hedhin fjalë e ngushëllime për t’ju ndjerë pranë dhimbjes. Devole nuk ishte ky rast.
Në të kundërt, memoria kolektive që zgjoi vdekja e tij ishte po aq simbolike sa data e djeshme, 8 nëntori që lidhej me “lindjen” e fantazmën e adhuruar: parti.
Rikthimi i Devoles në Shqipëri, pas një pauze të gjatë jashtë vendit, rifreskoi këtë kujtesë, dëshmi. Por, ne, media kemi gjithnjë në mision të ringremë nekrologjinë e njerëzve që kontributet i kanë të forta, edhe në vlerën e trashëgimisë e rralle flasim per te errtat.
Po të kujtojmë se Devole vinte nga një përvojë rastësore me kinemanë, qysh në vegjëli, kur pas dy kinoprovave atij iu besua roli i Colit, tek filmi “Debatiku”.
“Ndërsa prisja regjisorin më afrohet Sulejman Pitarka. Më tha: “Mos u mërzit, se ç’është e drejta duan një djalë pak më të vogël në moshë, por ti mos u dorëzo. Rritu dhe konkurro të bëhesh aktor”. Dhe unë ashtu bëra. Konkurrova dhe nuk fitova. Për ironi, në juri ishte Sulejman Pitarka. Nuk më mbante mend nga ajo kohë dhe më tha: “Djalë, ti mund të bëhesh inxhinier shumë i mirë, por aktor jo!’”, ka kujtuar Devole disa muaj para ndarjes nga jeta.
Ndërsa studimet e tij kishin kaluar përmes një natyre tjetër profesionale, nisur si inxhinier mekanik, për t’i ndërprerë e fituar konkursin për dramaturgji në Akademinë e Arteve. Karriera e tij, nisi qysh në krye me humorin. Me hutimin tipik të një aktori karakterial, duke hyrë e ndjerë potencën si i tillë në Estradën e shtëpisë qëndrore të ushtrisë si aktor dhe regjisor. Devole përgjatë intervistave të shumta do të kujtonte se sa i vështirë ishte ky zhanër në diktaturë, edhe pse në çudi estradat ishin më tipike si struktura organizimi për vatrat kulturore, krahas teatrit. Dorën e hekurt të sistemit e kishte ndjerë jo pak herë. Ai ka kujtuar në daljet e tij publike se një skeç me ushtarin dembel që kishte zgjedhur të punonte në guzhinë e kishin penalizuar. “Ai gjatë skeçit tundte garuzhdën dhe kjo krijonte impakt e shkaktonte të qeshura. Të nesërmen erdhi kritika nga lart, “Çfarë është ky që tallet me garuzhdën?! Ajo garuzhdë ushqen tërë ushtrinë popullore!’. Mjaftoi ky “realitet” artistik për ta dengdisur artistin në gurore, në punë të detyruar, për riedukim. I sinqertë në rrëfimin e tij për kompromiset që duhej të bënin, që të shpëtonin kokën Devole ka treguar si shpëtoi kur iu kërkua të zbraste talentin për të realizuar portretin e Enver Hoxhës: “Kur erdhi Sekretari i Partisë dhe e pa në hyrje të repartit u mahnit dhe pyeti kush e ka bërë. Kështu shpëtova nga Gurorja dhe u ktheva prapë”.
“Shumë shpejt koleg shkove në botën e vërtetë! Prehu në paq! Lamtumirë!, shkruante aktorja Marjana Kondi, ku bashkë me Devolen realizuan rolet e spikatura në “Gjuetia e fundit”.
“Dhimbje, dhimbje, dhimbje! Pena më e arte e humorit shqiptar, nuk do shkruaje më. Për mua do mbetesh me i madhi dhe më vizionari, boshllëku që sapo le do vazhdoje me vite, nuk do ketë më të dytë si ti, o i madhi Koço Devole!! Lamtumirë o artist i popullit”, shkruante këngëtari Elton Deda.
“Ky asht ndoshta skeçi ma gjenial i Koços, kur ironizonte në mënyrë brilante maoizmin gjuhësor që shitej si purizëm nga propaganda. Nuk ka pasë fatin kjo pjesë me kenë ndikuese në kohën e vet, e kemi zbulue shum vite mbrapa. Por telekomedia Gjuetia e Fundit dhe sequelet e saj kanë mbetë si dëshmitë ma të pastra dhe ndikuese të lirisë së viteve të para 90”, shkruan Astrit Cani, shkrimtar e përkthyes për humorin “Gjuhëtari” të Devoles.
Devole ka qenë skenarist dhe aktor në koncertet e vitit të Ri te RTSH-se në vitet 1979 – 1997 si edhe autor dhe Regjisor ne telekomedite: Çanta e zezë 1986, Të gjallë apo të vdekur 1996, Çanta me një milion 1993, Një ditë i çmendur 1995, Pushime në Romë 1996, Tre shokë pa shërbyesen 2001, Karafili dhe Kleopatra 2001, Milioneri 2005, Na ishte njëherë Shqipëria 2009. Në moshën 75 vjeçare, Devole një portret kompleks i ngurtësuar totalisht me humorin, do të shprehej: “Aq shumë duartrokitje kam marrë sa thosha sikur secila të ishte një tullë, unë dhe artistët të tjerë, do të kishim vila të tëra”.