Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë paralajmëroi se koronavirusi “nuk është lodhur” dhe u bëri thirrje vendeve që të jenë të kujdesshme në adresimin e çështjes ndërsa ato raportuan sot një tjetër rekord të infektuarish dhe viktimash nga koronavirusi.
“Ne mund të jemi të lodhur nga Covid-19, por ai nuk është lodhur nga ne. Vendet evropiane po luftojnë, por virusi nuk ka ndryshuar ndjeshëm dhe as masat për ta parandaluar atë,” tha shefi i OBSH-së Tedros Adhanom Ghebreyesus.
Sipas Spitalit Universitar Johns Hopkins, 52 milion e 200 mijë njerëz në të gjithë botën janë të infektuar me koronavirus, dhe numri i të vdekurve ka arritur pothuajse 1 milion e 290 mijë.
Lajm i vetëm ngushëllues është numri i të shëruarve. Deri tani 36,706,773 qytetarë kanë trimumfuar përballë Covid-19.
Vendi më i prekur nga koronavirusi i ri në terma absolutë mbetet Shtetet e Bashkuara, me më shumë se 10 milionë raste dhe pothuajse 241,000 viktima, të ndjekura nga India dhe Brazili.
Sa i përket Europës, shteti më i goditur është Franca, e cila javët e fundit ka njohur një rritje të frikshme të infektimeve dhe vdekjeve duke detyruar qeverinë e Parisit të rifusë vendin në karantinë.