Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, po shfaqet çdo ditë e më i çakërdisur, për sa i përket situatës së pandemisë në vendin tonë dhe veçanërisht, kolapsit në sistemin shëndetësor dhe spitalet Covid.
Pavarësisht nga mijëra dëshmi të qytetarëve që tregojnë realitetin e dëshpëruar, Rama vazhdon me propagandën e mohimit të gjendjes dhe prodhimit të filmave, me spitale ku kushtet janë “më të mira” edhe se në Gjermani.
Tre pjesë ka xhiruar dhe shfaqur deri më tani ERTV, të këtij filmi propagandistik. Në asnjërin prej tyre nuk ka ndonjë problem apo vështirësi që hasin personeli dhe pacientët. Të gjithë duken të lumtur në spitalet Covid të Ramës, kurse ata që vrasin veten duke u hedhur nga dritaret dhe ballkonet e tyre, nuk flasin dot më.
Ky serial propagandistik shoqërohet gjithashtu me shënime të shkurtra të kryeministrit ku në çdo 3 fjalë, 2 janë mallkime dhe fyerje me fjalë rrugaçësh për opozitën dhe mediat, që po tregojnë realitetin.
Nga ana tjetër kemi edhe një kryeministër shqiptar në Kosovë që këtë të enjte vizitoi Klinikën Infektive, të kthyer tashmë në spital Covid në Prishtinë.
Avdullah Hoti menjëherë pas daljes nga spitali, iu tregoi gazetarëve për gjendjen e vështirë aty. E quajti situatë lufte!
Mori përsipër përgjegjësitë e qeverisë që drejton, për të marrë masat më ekstreme për të përmirësuar edhe më shumë shërbimin ndaj të sëmurëve dhe rritur furnizimin me barna.
“Sot u informuam për aktivitetet që po ndërmerren në përballje me këtë situatë. Kjo është situatë praktikisht e luftës duke u përballë çdo ditë me një rrezik të madh. Shfrytëzoj rastin me gjithë nevojën që kemi për të rritë efikasitetin në punë, për të përmirësuar shërbimin nevojën që kemi për të pasur furnizim me barna”, ka thënë Hoti, teksa ka përgëzuar njëkohësisht edhe stafin për punën.
Kjo është mënyra dhe gjuha e një kryeministri shqiptar në Kosovë, ndaj situatës së rëndur të koronavirusit.
Kurse këtu kemi homologun e tij që vetëm mohon realitetin, mburret, mashtron me filma që tejkalojnë edhe propagandën e Enver Hoxhës, kurse nga ana tjetër mallkon dhe fajëson ata që japin alarmin dhe kërkojnë ndërhyrje urgjente nga shteti.
“Shumë tërbim sot nga çeta e çakërdisur e opozitaristëve pa vizion, pa program, pa ide dhe as din e iman, me daljen para syve tuaj të pamjeve e të dëshmive nga brendia e spitaleve Covid 1 dhe 3! Duan t’ju fusin ankthin, t’ju kallin tmerrin e t’ju mbushin me panik, për “spitalet në kolaps”, “të sëmurët që dergjen dyshemeve”, “situatën jashtë kontrollit” dhe ëndërrojnë që kështu të ndodhë vërtetë, të sëmureni sa më shumë, të vdesin sa më shumë njerëz, të bëhet qameti fare, sepse kjo është shpresa e tyre e fundit për t’u rikthyer në pushtet… Por siç e patë dhe siç do ta shihni edhe në pjesët e tjera EKSKLUZIVE me pamje e dëshmi, spitalet Covid nuk janë aspak në kolaps, shtretërit e lirë nuk mungojnë, pacientët trajtohen me dinjitet, respekt, profesionalizëm, asnjë protokoll mjekësor anti-Covid që përdoret sot në Europë nuk mungon dhe shifrat e tregojnë qartë, që niveli i infektimeve e i humbjeve të jetëve s’është aspak ndryshe nga askund në Europë, ashtu sikundër tregojnë se niveli i shërueshmërisë në spitalet tona është i lartë, si kudo, pavarësisht fataliteteve që njësoj si në të gjithë botën fatkeqësisht nuk mungojnë”, lëshon dëshpërimin dhe mllefin kryeministri.
Vetëm mohime dhe përgënjeshtrime. Asnjë plan dhe asnjë fjalë për situatën reale. Aq i dëshpëruar është sa që bëhet edhe qesharak deri në idiotësi.
Cilëson “ekskluzive” pamjet që merr kamera e zyrës së tij, brenda një spitali ku pacientëve nuk ju lejojnë as celularin që të marrin pak zemër e forcë nga familjarët, apo në rastet fatkeqe të ndajnë lamtumirën dhe fjalët e fundit!
Edhe këtë të enjte, vetëm një orë përpara se kryeministri Hoti (i cili vizitoi personalisht mjekët dhe pacientët brenda spitalit Covid) të tregonte se: “Kjo është situatë praktikisht e luftës duke u përballë çdo ditë me një rrezik të madh… kemi nevojë për të rritur efikasitetin”, Edi Rama shkruante:
“MIRËMËNGJES / Dhe duan s’duan lehaqeniet e çakërdisura të opozitarizmit vulgar, agresiv, gënjeshtar, realiteti brenda spitaleve Covid është pa pikë dyshimi ai që keni parë këtu, e duke ju ftuar të shihni Pjesën e Tretë të EKSKLUZIVES, nga spitali Covid 2”.
“Të çakërdisur, lehaqenë, agresiv, vulgar, duan që të vdesin sa më shumë, nuk i duhen as dreqit…”- Ky është fjalori dhe e vetmja strategji që ka Edi Rama, për të tejkaluar me sa më pak vdekje dhe të sëmurë këtë situatë të rëndë.
Pra mjafton që të dëgjosh vetëm kryeministrin “modest” Abdullah Hoti për të njëjtën situatë dhe ta krahasosh me strategjinë dhe gjuhën e Edi Ramës këtu, për të kuptuar se në duart e kujt kemi mbetur në këto kohë të rrezikshme për çdo jetë shqiptari!