Ferdinand Xhaferraj, kryetari i PD në Durrës, ka denoncuar me foto, gjendjen e mjerë të spitalit rajonal të Durrësit, ku edhe pse kanë kaluar tetë muaj që nga fillimi i pandemisë, në këtë spital mund të kurohen e shumta 20 pacientë me COVID! Xhaferri shprehet se kjo është kosotja katastrofike e “shëndetësisë falas!
“Janë bërë 8 muaj nga konfirmimi i rastit të parë me Covid-19 në vendin tonë, ku çdo masë e marrë ka qënë e pamjaftueshme ose totalisht absurde, – tha Xhaferraj. – Si rrjedhojë, ndonëse jemi një vend i vogël dhe që mund ta përballojmë më mirë pandeminë, gjendemi përpara një kaosi total ku qytetarët e prekur nga ky virus tinzar u duhet ta përballojnë të vetëm atë.
Kostot katastrofike të “shëndetësisë falas” po i ndjejmë çdo ditë kur paguajmë faturat në farmaci, kur marrim me qira aparaturat e oksigjenit dhe kur thërrasim infermierët të na shërbejnë në shtëpi.
Mjekët dhe infermierët e rraskapitur nga muaj të tërë ngarkese fizike dhe psikologjike, nuk kanë kushtet, mjetet dhe medikamentet e nevojshme për lehtësimin e punës së tyre.
Përkatësisht, në spitalin e Durrësit, qyteti i dytë më i madh në vend, gjenden vetëm 12 aparatura për oksigjen, ku vetëm 8 prej tyre janë të mirëfillta dhe 4 janë të sajuara(!!).
Me hapjen prej sot të repartit të kujdesit paliativ për të sëmurët me Covid-19, shtohen vetëm 8 bombula oksigjeni.
Pra, spitali i Durrësit mund t’i shërbejë gjithsej 20 personave me Covid-19, duke rrezikuar edhe të tjerët që kanë nevojë për mjekimin nga sëmundje të tjera.
Ndonëse kishin plot 8 muaj për të shtuar kapacitetet, sot gjendemi përpara një kaosi ku të sëmurët dhe mjekët nuk kanë as infrastrukturën bazike për të lehtësuar trajtimin e rasteve.
Këto muaj e kanë bërë edhe më të dukshëm dështimin e Ramës, pasi nuk mund të bësh shëndetësi me PPP dhe nuk mund të luftosh pandeminë me lajmet alternative të ERTV-së.
Fakti është se Rama u ka vjedhur qytetarëve në nevojë për trajtim dhe mjekëve në shërbim, jo vetëm mundësinë për të përballuar siç duhet pandeminë, por edhe dinjitetin.,” përfundon Xhaferraj.