Analizë nga Prof.Dr. Fatmir Terziu/ Shqipëria nuk mund të konsiderohet aktualisht si një vend demokratik. Rama që kur fitoi “tepsinë” dhe “timonin”, ka mbikëqyrur çmontimin e parlamentit dhe të institucioneve demokratike të vendit, duke kufizuar fuqinë e organeve të ndëshkueshmërisë për zyrtarët e korruptuar. Sjelljet e njënshme me Kodin Zgjedhor, Ligjin për Presidentin e Republikës dhe bllokimin e negociatave me BE-në
Prof. Dr. Fatmir Terziu, Drejtor i “Albanian Info Ltd” në Mbretërinë e Bashkuar
Me sa duket me këtë Qeveri, me këtë Kryeministër, që nuk bën asnjë tentativë të zbusë tonet, nuk mendoj se Bashkimi Europian mund ta shikojnë të arsyeshme hapjen e negociatave
Prof.Dr. Fatmir Terziu, Drejtor i“Albanian Info Ltd” në Mbretërinë e Bashkuar në intervistën për gazetën „Telegraf“ duke dashur të analizojë realitetin e sotëm politik pohon se „Situata politike mbetet një problem që varion, nga i dukshmi mes zhurmës, dhe nga i padukshmi mes shushuritjeve që prodhojnë prapaskenat e politikës, të cilat janë modeli më i kamufluar, ku paraja lëviz ngutshëm dhe mistershëm“. Duke iu referuar ngjarjeve konkrete Prof. Terziu citon europarlamentarin Joseph Daul, që pohon se „nuk pres zgjidhje në Tiranë“. Ndërsa për këtë parlament pa opozitë, Prof. Terziu thotë se mbetet nga më të rrezikshmit, që shkatërron themelet e të sotmes dhe minon të ardhmen, prandaj Shqipëria nuk mund të konsiderohet vend që i përket demokracisë. Prof. Terziu, duke marrë si shembull ligjin për Kodin e ri Zgjedhor, por edhe projektligjin „Për Presidentin e Republikës“, pohon se kanë cenuar rendin kushtetues në Shqipëri.
–Prof. Terziu, cili është vlerësimi juaj për situatën politike në Shqipëri?
– Një situatë e tillë e tensionuar, natyrshëm nuk do veshë të mprehta, as dhe ndonjë mjet të sofistikuar për t’ia dëgjuar zërin edhe në skajin më të largët gjeografik. Zërin, nëse do të ishte thjesht i tillë, sepse natyrshëm është një britmë, një ulërimë që vjen nga faktorë të tensionuar në vitet e tranzicionit, e pse jo, në këto dekadat e fundit në Shqipërinë politike. Kësisoj situata politike mbetet një problem që varion, nga i dukshmi mes zhurmës, dhe nga i padukshmi mes shushuritjeve që prodhojnë prapaskenat e politikës. Këto prapaskena gjithnjë janë modeli më i kamufluar, ku paraja lëviz ngutshëm dhe mistershëm, ku gjithnjë pritet që i huaji të vijë e të qetësojë mjedisin politik. Koha me Covid-19, të huajin e ka lënë disi larg, ose paksa në hallet e tij, ndaj dhe opozita tashmë ndodhet vetëm me fatin e vet, me zërin e vet, me asnjë zë tjetër „ndihmës“, sikurse ndodhte dhe ka ndodhur më parë. Momenti më delegon pas, jo si i vetmi shembull, pikërisht në javën e fundit të qershorit të vitit 2010, kur Europarlamentari Joseph Daul, së bashku me eurodeputetin Martin Schultz, kryetar e atëhershëm të grupit të partive të majta në Parlamentin Europian, që ishin përpjekur të negocionin për gjetjen e një zgjidhje të situatës politike të atëhershme në Shqipëri, kur fjalia e prerë „nuk ka shpresë për zgjidhje të shpejtë të krizës“ natyrshëm vazhdon të ketë efekt të njëjtë, tashmë në krah të kundërt. Jo më kot atëherë Europarlamentari Joseph Daul do të shprehej prerë: „Nuk pres zgjidhje në Tiranë!“
–Cili është shpjegimi juaj, pse Bashkimi Europian për të tretën herë i mbyll portat e hapjes së negociatave për anëtarësim në BE?
– Mendoj se janë shumë faktorë në këtë pikë. Bashkimi Europian ka ndoshta të drejtën e tij të bazuar të refuzimit, kur sheh se gjërat nuk janë ashtu sikurse ata mendojnë, kur në fakt ata kanë informacione dhe bazohen në realitetin aktual të situatës politike në Shqipëri. Ndaj me sa duket me këtë Qeveri, me këtë Kryeministër, që nuk bën asnjë tentativë të zbusë tonet, nuk mendoj se mund ta shikojnë të arsyeshme këtë pikë. Më tej, ky është një nga problemet që duhet të sigurojë dhe konsiderojë se të paktën politika qeverisëse sot duhet të ketë vëmendjen më të madhe tek Shqipëria, tek shqiptarët, që mendojnë përditë të lënë vendin, tek hallet dhe problemet që janë të konsiderueshme. Kësisoj, nuk duhet konsideruar aq thjesht, aq kalimtare hera e tretë e refuzimit, por si një kryefjalë e problemit ku fryma e bashkëpunimit e sigurimi i dialogut politik dhe më kryesorja se si forcat politike e konsiderojnë rëndësinë e anëtarësimit në BE, duhet të jetë pikë së pari preokupimi bazë i gjetjes së gjuhës së përbashkët nga ana e Qeverisë, e Kryeministrit, e Presidentit dhe jo një faturë që i vishet vetëm zërit kritik të opozitës, e cila për hir të faktit ka sot vetëm zërin e saj, se askush nuk e mbështet, aq më shumë përditë e më shumë, bëhen plane e kurthe se si të shkëpusin prej mbijetesës së saj politike.
Shqipëria vështirë se mund të konsiderohet si një vend që i përket demokracisë. Që kur fitoi kryeministrinë Rama ka mbikëqyrur çmontimin e qëndrueshëm të institucioneve demokratike të vendit, dhe duke kufizuar fuqinë e gjyqësorit të tij
– Si mund ta kuptojnë krerët e Bashkimit Europian dhe udhëheqësit e vendeve të Europës përgjigjen e kryeministrit Rama se vendet që vendosin veto, si Hollanda, kanë këtë qëndrim negativ ndaj intergrimit të Shqipërisë, sepse kanë problemet e tyre të brendshme?
– Gjithkush e kupton se është mjaft e thjeshtë për ta nënkuptuar një përgjigje të tillë. Kur e kupton dështimin, dhe nuk dëshiron ta pranosh atë si një dështim pas dështimi, natyrshëm e gjen një arsye. Aq më shumë mirëkuptohet, kur Kryeministri i Shqipërisë i di aq thellë problemet e brendshme të Holandës, saqë ato probleme të brendshme të tyre i bëhen gjithnjë pengesa Shqipërisë (?!).
- Në aspektin juridik sikurse dhe ligji i Kodit Zgjedhor, po aq edhe projektligji “Për Presidentin e Republikës”, këto duket apriori se janë sjellje të njëanshme politike, pa konsensus të gjerë politik, dhe duken qartë se kanë cënuar rendin kushtetues të Shqipërisë
– Prof. Terziu, çfarë përshtypje ju bëri Ju, që pikërisht, ditën që Gjykata Speciale e Hagës nxjerr me pranga në duar në gjyq udhëheqësit e UÇK-së, kryeministri Rama zhvillon takimin me ish- ministrin e Milosheviçit Vuçiç për Minishengen,?
– Në fakt është një pikëpyetje akoma më e madhe për këtë pikë. Fundja edhe institucioni i Kryeministrit ka një këshilltar për këto probleme, apo jo? Nëse ai nuk pyetet, dihet pse atëherë me të gjitha gjasat si arsyetim për „Minishengen“ Ballkanik, Kryeminstri i Shqipërisë ulet me Aleksandar Vuçiçin, që ishte Gebelsi i Millosheviçit. Edhe kur theksi shkon tek Gjykata Speciale e Hagës. A nuk jemi para një paradoksi kështu. Dhe Vuçiç, nuk besohet se e ka seriozisht këtë punën e Minishengenit, madje më vështirë akoma se qeveria serbe vështirë se e ka seriozisht përmirësimin e marrëdhënieve me Kosovën. Si e tillë, ajo punon nën rrogoz, jo vetëm që Kosova të mos njihet nga shtetet e tjera, por edhe të krijohet ideja se ata jo që s’dinë të formojnë shtet, por edhe janë kriminelë, nga ata të rrezikshmit që bëjnë krime jo dosido, por kundër njerëzimit. Pra, të vërtetohen teoritë djallëzore të “akademikëve” të saj. Para këtij realiteti, nuk është shumë dinjitoz edhe qëndrimi i politikës tonë të jashtme, natyrisht i shefit të saj dhe më tutje edhe i zëvendësit të tij. Dikush mund të preket nga këto fjalë, por ky është mendimi im edhe pse e di që Volteri thoshte se “Është e rrezikshme të kesh të drejtë, kur qeveria është gabim”. Kjo është e pafalshme.
- Kjo faturë është e madhe, e dhimbshme dhe nuk të premton se Shqipëria do të bëhet vend me demokraci europiane, pa u shkundur mirë e mirë prej kësaj forme që ka marë sot. Nëse do të ndodhë, ajo do të ndodhë vetëm me forcën e ligjit dhe zbatimin e tij
– Çfarë domethënie kanë akuzat e kryeministrit ndaj liderit të Opozitës, për hetimet e burgjeve të UÇK- së në Shqipëri, pikërisht, kur Udhëheqësit e UÇK-së akuzohen në gjyqin e Hagës edhe për këto “krime lufte”?
– Në situata të tilla ka gjithnjë manovra spine, madje janë tejet të njohura. Tërheqja e vëmendjes nga problemet më të mprehta, por edhe ngritja e „dritëhijeve“ për rolin e një përkthyesi, në detyrën e tij, dhe shfrytëzimi si pretekst në funksionin e tij politik të mëvonshëm, nuk do ndonjë filozofi të thukët për ta kuptuar. Thjesht shpërndarje vëmendjeje, por ama si zhurmë e inskenuar mbetet të kuptohet se është pjesë e skenareve të përditshme, ku theksi i vihet „të prishim sa mund të prishim“ në imazhin dhe rritjen politike të opozitës së drejtuar nga Lulzim Basha.
– A është normalitet demokratik, që Shqipëria të qeveriset një mandat të tërë nga një qeveri, kur ndërkohë nuk ka Gjykatë Kushtetuese? A do të pranohej ky realitet, në çfarëdo shteti me çfarëdo regjimi qeverisës?
– Ajo që dihet dhe është e qartë është se gjithë theksi bie tek drejtësia kushtetuese. Kjo e fundit në Shqipëri është e organizuar sipas sistemit evropian dhe si e tillë organizmi i saj ashtu si në vendet evropiane bazohet në gjashtë parime të përbashkëta, ku kryesori është se drejtësia kushtetuese i është besuar një Gjykate Kushtetuese të pavarur nga çdo autoritet tjetër shtetëror. Vetëm Gjykata Kushtetuese si institucion ka monopolin në këtë fushë: kjo do të thotë që gjyqtarët e zakonshëm nuk mund të merren me konflikte që i rezervohen Gjykatës Kushtetuese. Pra në këtë rast të qeverisjes pa këtë institucion kaq të rëndësishëm të drejtësisë, natyrisht kur dihet se ajo përbën një pushtet të pavarur, mandati është vërtet një pikëpyetje e madhe, e cila nuk dihet ende pse tingëllon në veshët e shurdhër të Europës, dhe institucioneve të saj që vejnë e vijnë në Tiranën zyrtare dhe ende heshtin. Kjo është krejt normale, që në asnjë vend demokratik të Europës me këtë sistem nuk do të pranohej një qeverisje e tillë.
– Sipas jush, çfarë tregon që opozita parlamentare në Shqipëri tashmë i jep votat çdo ligji që sjell në Parlament qeveria?
– Më kujtohet një formë humori që komunikonte që kur isha i angazhuar në Shqipëri. Sipas rrëfenjës, e cila ka në thelb fabulën e sarkazmës për dikë që u gjend rastësisht në atë vend, e që ndodhej aty pikërisht për të kërkuar gjoja një send të humbur disa të tjerëve, kur e pa se ishte rastësisht në një vend krejt të gabuar dhe në vendin e pamerituar, iu përgjigj në errësirë pyetjes që vinte nga ana tjetër e errësirës, ku të tjerët e kishin gjetur tashmë atë që kërkonin: „Eh, mos na shqetësoni kot. Ne u gjendëm, që gjendëm, do të kërkojmë edhe pak.“ Ndoshta kjo copë humori i përmbledh të gjitha ato që ndodhin aty në atë Parlament, në atë skenë humori dhe turpi, por ama jo thjesht si e tillë, një gjendje e tillë atje në Parlament, tregon se mbetet nga më të rrezikshmet që shkatërron themelet e së sotmes dhe minon tërësisht ato të së ardhmes duke u bërë pjesë në pazare kartonash. Mos e konsideroni thjesht si „opozitë parlamentare!“
– Prof. Terziu, qeveria e kryeministrit Rama, ka kaluar në këtë parlament pa opozitën reale, kur nuk funksionon edhe Gjykata Kushtetuese shumë ligje të rëndësishme, të cilat kanë prekur thellë Kushtetutën e Shqipërisë, siç ishte ligji i Kodit Zgjedhor, siç është tashmë edhe projektligji “Për Presidentin e Republikës”. A mendoni se këto sjellje të njëanshme politike, pa konsensus të gjerë politik, kanë cënuar rendin kushtetues të Shqipërisë?
– Shqipëria vështirë se mund të konsiderohet sot si një vend që i përket demokracisë. Që kur fitoi kryeministrinë, Rama ka mbikëqyrur çmontimin e qëndrueshëm të institucioneve demokratike të vendit, duke shkatërruar liritë e tij të shtypit, duke minuar sistemin e tij arsimor dhe duke kufizuar fuqinë e gjyqësorit të tij. Me shpërthimin e koronavirusit dhe sëmundjes që përhapet, Rama ka gjetur një pretekst ideal për të treguar dhëmbët e tij. Sipas legjislacionit të ri të emergjencës, sajesa e tij „Rilindje“, mund të qeverisë në mënyrë të efektshme të padiskutueshme, duke anashkaluar edhe institucionet ekzistuese. Megjithëse qeveria e tij këmbëngul se këto masa do të zgjasin vetëm për sa kohë zgjat kriza, kohëzgjatja varet tërësisht nga Rama. Mbi të gjitha, kompetencat e emergjencave mund të hiqen vetëm me mbështetjen e dy të tretave të Parlamentit (një shumicë që mban e kontrollon Rama).
Zhvillimi historik i civilizimit perëndimor ka prodhuar disa modele të opozitës politike. Këto modele janë të rrënjosura thellë dhe të vendosura relativisht mirë në sistemet politike. Kjo, si formë e shprehjes, nuk është thjesht kundërshtim, por një ekzistencë e domosdoshme e rendit kushtetues, që zakonisht identifikohet me kontrollin e „qeverisur“ mbi qeverinë. Me të drejtë pohohet se opozita është në të njëjtën kohë një kusht i mjaftueshëm dhe i domosdoshëm për ekzistencën e një kontrolli të tillë. Kundërshtimi, siç përdoret zakonisht termi, ka disa karakteristika, është politik; është institucionalizuar në formën e një partie ose partish; dhe shpesh thuhet se është gjithashtu ‘përgjegjës’, d.m.th., nuk shtrihet në pengimin e veprimeve të qeverisë. Në mënyrë që të përcaktohet më saktësisht marrëdhënia midis kundërshtimit dhe kontrollit, duhet të bëjmë dy pyetje të një natyre më specifike: a është kundërshtimi një kusht i mjaftueshëm për një kontroll efektiv? Dhe a është një kusht sine qua non për çdo lloj kontrolli politik? Përkundër disa pohimeve ideologjike, duket qartë se përgjigjet për të dy pyetjet janë negative. Meqenëse problemi i kundërshtimit në sistemin e sotëm shqiptar diskutohet diku tjetër, ne do të përqendrohemi këtu në ato mekanizma të kontrollit, që paraqesin një alternativë ndaj opozitës, siç është institucionalizuar në sistemin partiak, gjë që nënkupton se nuk ka kontroll pa opozitën e institucionalizuar me votë, dhe natyrisht që nuk mund të bëhet me një emër tjetër, qoftë të ngjashëm, që depërton për hir të insinuatave, si në rastin konkret shqiptar, kur opozita braktisi Kuvendin për dhjetëra e dhjetëra arsye, ku më e rëndësishmja ishte mosdëgjimi i zërit kundërshtues e të drejtë të saj. Në aspektin juridik të gjitha këto që pyesni, sikurse dhe ligji i Kodit Zgjedhor, po aq edhe projektligji “Për Presidentin e Republikës”, mund të kenë justifikime dhe mund të bazohen në terminologji kalimtare të sfumuara nga kushtet me dual-opozitë, por në një rend të tillë politik shqiptar, në një rend kushtetues të tillë, këto duket apriori se janë sjellje të njëanshme politike, pa konsensus të gjerë politik, dhe duken qartë se kanë cënuar rendin kushtetues të Shqipërisë, për të cilin sikurse e thashë më lart heshtet edhe nga ata që duhet të ngrenë zërin tashmë më fort.
Situata politike mbetet një problem që varion, nga i dukshmi mes zhurmës, dhe nga i padukshmi mes shushuritjeve që prodhojnë prapaskenat e politikës, të cilat janë modeli më i kamufluar, ku paraja lëviz ngutshëm dhe mistershëm
-Jeni optimist, se Shqipëria do të bëhet vend me demokraci europiane?
–Koha pa opozitën legjitime në Parlament dhe po aq edhe koronavirusi ka provuar një ndihmë të madhe për autoritarët e sotshëm në qeverisje. Kjo kohë dhe kjo pandemi ka shkuar e tejkaluar normat dhe ka bashkuar në mënyrë të pandjeshme e të lloj-llojshme edhe atë që përcaktohet nga imponimi i mbylljes së kufijve te përdorimi i mbikëqyrjes masive dixhitale, lëvizjet që dikur ishin klasifikuar si zgjerime të rrezikshme të pushtetit shtetëror, tani po vlerësohen si hapa të nevojshëm në përpjekjen globale për të frenuar një pandemi. Kohë të jashtëzakonshme, është rënë dakord kolektivisht, kërkojnë masa të jashtëzakonshme. Kush përfiton? Natyrisht në një vend si Shqipëria përfiton ai që ka paranë, tregun, qeverisjen, kontrollin dhe … mjaft gjëra të tjera. Tjetri, qoftë dhe ai më i thjeshti mbetet jo optimist, jo besues se një ditë do të jetë ndryshe. Kjo dhe për vetë faktin se tashmë kur dikush dështon, shkon e krijon një forcë të vetën poltike dhe… fatura shkon gjithnjë tek fatura. Kjo faturë është e madhe, e dhimbshme dhe nuk të premton se Shqipëria do të bëhet vend me demokraci europiane, pa u shkundur mirë e mirë prej kësaj forme që ka marë sot. Nëse do të ndodh, ajo do të ndodh vetëm me forcën e ligjit dhe zbatimin e tij, të cilën e kemi ndeshur disa herë në veshë nga Basha, i cili vjen nga fusha juridike, por që jo në të gjitha rastet është në fokus të asaj që kërkohet dhe besohet.
– Çfarë pritshmëri keni për zgjedhjet e 25 prillit 2021?
– Në këtë pritshmëri janë dy ekipe. Ekipi që duket i konsumuar dhe i lodhur, dhe ekipi që vjen me një fytyrë të re, por që ka shumë pengesa për të realizuar fitoren. Të dy ekipet janë në një betejë, që nuk është thjesht për kualifikim, por për ekzistencë dhe … madje dhe për faturën e së ardhmes. Si të tillë të dy këto ekipe e kanë një mendje. Mendja e tyre nuk të çon tek ndonjë priitshmëri të magjishme për zgjedhjet e 25 prillit 2021. Nëse ndodh që të vendosë vërtetë sovrani pritshmëria dihet. I konsumuari nuk shkon më një mandat tjetër.
Faleminderit!
Kush është Prof. Dr. Fatmir Terziu
Prof. Dr. Fatmir Terziu është një shkrimtar shqiptar, studiues, regjisor, kritik i artit dhe letërsisë. Ka punuar për disa vite në fushën e arsimit në disa institucione të Shqipërisë. Ka publikuar shkrime në gjithë shtypin shqiptar dhe ka qenë gazetar i gazetës “RD”, kryeredaktor i gazetës së pavarur “Fjala e Lirë” dhe Drejtor i Televizionit “Dardan”. Në vazhdim të edukimit të tij të mëtejshëm ka studiuar në High Melton College, South Thames College për gjuhën angleze dhe për HNC, Certificatë e Lartë Nacionale në Britaninë e Madhe për Media Production (media prodhimtari). Ka marrë nivelin e lartë (Gradën-nivel A) për Communication Media (media komunikim) pranë Universitetit London South Bank University (2004). Më tej kreu studimet në London South Bank University, pranë Faculty of Arts and Human Sciences për Digital Film dhe Video Production (2004-2007). Autori ka fituar gradën e Masterit për Media, Kulturë dhe Politikë pranë Roehampton University në Britaninë e Madhe dhe Phd-së për Media, Kulturë, Politikë nga London South Bank University, ku ndoqi dhe studimet e postdoktoraturës. Ai është dekoruar nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë me titullin „Mjeshtër i Madh“. Ka botuar disa libra në të gjitha gjinitë, gjithashtu dhe disa studime në dygjuhësi, të cilat janë nominuar për Çmime Letrare Kombëtare dhe janë përfshirë në Kurrikulën e Librave të miratuar nga Ministria përkatëse. Ai është Drejtor i kompanisë mediatike “Albanian Info Ltd” në Mbretërinë e Bashkuar, kompani e regjistruar në bazë të ligjeve të MB-së, gjë që e mban gjithnjë në korent me situatën aktuale në mesin e shqiptarëve, në vendin ku jeton dhe punon si dhe në Atdhe e më gjerë.