Në muajin prill të këtij viti Koreja e Jugut zhvilloi zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Partia e presidentit Moon Jae-in arriti fitoren më të thellë të 60 viteve të fundit dhe pothuajse çdo analizë e lidhi këtë rezultat surprizë me menaxhimin perfekt të epidemisë së COVID nga ana e presidentit dhe qeverisë.
Para pak ditësh një nga analizat e para të humbjes së presidentit Trump u hap me fjalën COVID-COVID-COVID dhe vazhdoi me argumentin se menaxhimi katastrofik i epidemisë nga administrata e Trump ishte shkaku kryesor i humbjes në zgjedhje dhe se shkaqet e tjerë të humbjes vinin shumë më pas për nga rëndësia.
Sigurisht këto indicije nga bota nuk e kanë lënë indiferent kryeministrin shqiptar të përfshirë nga ethet e fushatës. Katastrofa shëndetësore që pasoi dështimin shumëplanësh në menaxhimin e COVID mund të bëhet një nga shkaktarët kryesorë të humbjes në 25 prill.
Çuditërisht, në vend që të marrë masa korrigjuese duke mësuar kësaj here diçka të dobishme nga bota, qeveria jonë i është drejtuar dy armëve aspak etike – demagogjisë dhe mashtrimit.
Në fushën e demagogjisë, ministria e shëndetësisë e provoi me Lancet-in dhe u diskretitua, e provoi me drejtorin e OBSH-së dhe doli huq, e provoi me vdekshmërinë nga COVID që sipas kryeministrit është më e ulta në botë dhe e dogji vetë agjencia qeveritare INSTAT që publikoi shifrat reale të vdekjeve.
Atëherë entourage qeveritar ju kthye asaj që di të bëjë më mirë, mashtrimit. Nisën të mashtrojnë shërbëtorët politikë që çdo zë kritik e cilësojnë armik politik. Vazhduan sejmenët me bluza të bardha që nisën të fajësojnë popullin se shpenzon nga “qejfi” pasi sipas tyre shëndetësia falas e padronit funksionon më mirë se në Francë, Gjermani e Itali.
I pakënaqur me sa duket me aftësitë mashtruese të sejmenëve e shërbëtorëve, dje ishte vetë kryeministri që hapin thesin e shpifjeve kur filloi të akuzonte ekspertët që kërkojnë prej muajsh shtim të testeve si të lidhur me kompanitë farmaceutike dhe akuzoi kundërshtarët politikë si ngjallës paniku.
COVID do të bëhet me të vërtetë një fushë beteje politike në zgjedhjet e prillit dhe përgjigjja ndaj epidemisë mund të jetë një nga vijat e demarkacionit për rezultatin e zgjedhjeve.
Por para se ta trajtojë COVID-in si çështje politike dhe elektorale, qeveria dhe kryeministri bëjnë mirë të nisin ta trajtojnë atë si çështje të menaxhimit dhe praktikës shëndetësore!
Në se qeveria vazhdon kursin destruktiv të këtyre muajve, me qindra jetë të tjera shqiptarësh do të humbasin nga shkaqe të parandalueshme dhe çdo familje shqiptare do të përfundojë e shkatërruar financiarisht nga shpenzimet katastrofike.
Le të mos e lënë përgjigjen ndaj COVID në dorë të amatorëve dhe të paaftëve si deri më sot, por të krijojnë një ekip ekspertësh me mbështetje të fuqishme ndërkombëtare.
Së dyti, të mos alokojnë fonde 3D, rimbursime ilaçesh dhe rritje pagash që nisin me buxhetin imagjinar të 2021-it, por fonde reale për teste, medikamente, pajisje dhe shpërblime për ata që me të drejtë i quajnë heronj me bluza të bardha.
Përndryshe COVID rrezikon të bëhet varri i shëndetit dhe ekonomisë shqiptarëve.
Sa për faktin se mund të bëhet edhe varri politik i kryeministrit pak na e ndjen..