Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, ka kohë që nuk kanë qëndrime të njëjta, pasi Rama nuk guxon ta thotë të vërtetën për presidentin e Serbisë, Vuçiç.
Gjatë një konferene për mediat, Kurti tha se Kosova dhe Shqipëria nuk mund të bashkohet si komb kur kanë qëndrime të ndryshme ndaj Serbisë.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin, por as të drejtën që të kenë qëndrime të ndryshme sa i përket Beogradit.
“Ka kohë që me kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, zoti Edi Ramën ne nuk kemi të njëjtin qëndrim sa i përket presidentit të Serbisë, kjo është një pikë e rëndësishme që ne dallojmë fort. Fatkeqësisht kryeministri i Shqipërisë nuk guxon ta thotë të vërteten për presidentin e Serbisë, për çfarë motivesh dhe arsyesh, unë nuk jam në gjendje ta them. Ne duhet të bashkohemi për luftën çlirimtare, për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, por edhe kundër Serbisë e cila është kundër nesh. Nuk do të mund të bashkohemi si komb, nuk do të mund të bashkëpunojmë si shtete me qëndrime të ndryshme karshi Serbisë. Kosova dhe Shqipëria nuk e kanë jo vetëm luksin por as të drejtën që të dallojnë sa i përket Beogradi”, ka thënë Kurti